Në Bernë mirëpritet ekspozita personale e piktores Valentina Marevci

1148

Me rastin e hapjes së kësaj ekspozite me emërtimin: “Kurrë mos harro nga ke ardhur! “, përshëndeti ambasadorja e Kosovës në Zvicër, Nazane Breca, e cila pasi i uroi suksese piktores, shprehi dëshirën që artistët të bëhen misionarë të denjë të kulturës shqiptare në botë, duke e afirmuar kështu edhe vet shtetin e Kosovës 

Teksti dhe fotot: Rexhep Rifati  

Mbrëmë në galerinë ekspozuese në lokalet e ambasadës së Republikës së Kosovës në Bernë, u hap ekspozita e piktores Valentina Marevci, shpalljen e së cilës me një përshëndetje për të pranishmit e bëri ambasadorja e Kosovës në shtetin helvetik, zonja Nazane Breca e cila pasi përmendi vendlindjen e artistes Marecin e Lipjanit dhe rrugëtimin shkollor të Valentines, që ka përfunduar Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës dhe ka magjistruar në artet figurative, ka arrit të bëjë emër në botën e artit pamor, duke marr pjesë deri më tash në 22 ekspozita kolektive dhe 10 ekspozita personale. Ndër të cilat në Itali, në Galerinë e Ministrisë së Kulturës, pastaj në qytetin e Lipjanit, në Qendrën e Kulturore të Kosovës në Cyrih, si edhe në bibliotekën “Pestaloci” po të këtij qyteti dhe së fundi në javën që shkoi pati ekspozitën e saj edhe në Suedi.

Në përmbyllje të fjalës së soj, ambasadorja Breca i dëshiroi Valentinës sukses e të më tejme në krijimtarinë saj artistike me bindjen se kjo artiste e Kosovës, bashkë me artistët tjerë do të ndikojnë pozitivisht dhe fuqishëm në përhapjen e vlerave artistike të shtetit të Kosovës kudo që paraqiten me punimet e tyre në regjion dhe përgjithësisht në botë.

Më pastaj me një fjalë falënderimi të pranishmëve iu drejtua edhe vet piktorja Valentina Marevci e cila u ndal te mesazhi që japin punimet e saja në këtë ekspozitë, pasi ajo përherë ne organizimet e saj jashtë vendit sjell një cikël dhe një galeri të veçantë punimesh, siç ka ndodhë edhe gjatë kësaj ekspozite të porsahapur në kryeqytetin e shtetit helvetik.

Do theksuar se me këtë ekspozitë, Valentina Marevci erdhi nga Kosova në Zvicër për herë të tretë. Edhe atë me një ekspozitë personale të kompozuar me 40 piktura të punuara në vaj, në dimensione standarde.

Kështu, pas ekspozitave me emërtimet “Brez pas brezi” dhe “Lule me ty” që, siç mësojmë patën lënë lanë mbresa të veçanta te artdashësit në diasporë , kësaj radhe ajo erdhi me ekspozitën “Kurrë mos harro nga ke ardhur! “, një ekspozitë kjo e gjallë, plot ngjyra por edhe mesazhe që  shprehin kuptim, krenari dhe japin emocion të veçantë për prejardhjen. Kjo bëri që mjaft nga pjesëmarrësit në këtë ekspozitë donin të kishin ndonjë foto pranë këtyre punimeve apo edhe me autoren e tyre, piktoren Valentina Marevci.

Ekspozita që u hap mbrëmë  ( më 8 Qershor 2019) në Ambasadën e Kosovës në Bernë, do të qëndroj e hapur deri më 22 qershor në galerinë ekspozuese në lokalet e ambasadës.