Shpesh është folur apo shkruar për disa çështje gjuhësore të cilat po përdoren dendur në gjuhën shqipe. Është e qartë se gjuha merr prej gjuhëve të tjera jo vetëm fjalë, të cilat hyjnë në forma të ndryshme në gjuhë ( shpesh bashkë me mjetin), por jo rrallë edhe kalke.
Nga Sami Islami, Londër
Çështja rreth së cilës do të bëjmë fjalë në këtë artikull nuk është çështja e fjalëve, por e kalkeve. Në kundërshtim me natyrën e gjuhës shqipe shpesh na bie të dëgjojmë (në mjetet e informimit publik por edhe gjetkë), konstrukte gjuhësore të huaja, si: »Në bazë të çkafit kemi ardhur deri te suksesi (TVP — 8. XI. 79), “E keqja qëndron aty se njeriu zotëroi natyrën para se ta zotërojë vetveten”, e ndonjë tjetër. Në fjalitë të cilat i theksuam më lart, togfjalëshat “në bazë të çkafit”, “kemi ardhur deri te suksesi”, si dhe “e keqja qëndron aty” nuk janë të natyrës së gjuhës shqipe.
Në fjalinë »Në bazë të çkafit kemi ardhur deri te suksesi” kemi dy kalke, i pari »në bazë të çkafit” (nga serbokroatishtja »na osnovu čega”) dhe i dyti (po ashtu nga serbokroatishtja »doći do uspeha«. Për t’iu shmangur sintaksës serbokroate, në shqip do ta kishim shprehur këtë mendim thjesht me »mbi çfarë baze«. »në ç’ bazë”, por assesi “në bazë të çkafit”.
Edhe konstrukti tjetër “kemi ardhur deri te banesa”është nga i njëjti burim (nga serbokroatishtja »doći do stana”), që në gjuhën nga është marrë, ndoshta, e kanë kuptimin, për të pasur » sukses«, ose për të »marrë banesë, por jo edhe në gjuhën shqipe. Tek ndonjë banesë mund të shkojë kushdo, por se a do ta marrë banesën apo jo kjo është krejt çështje tjetër. E njëjta gjë vlen edhe për sintagmën “erdhi deri te suksesi”. Deri te suksesi mund të synojë gjithsecili, por a do ketë sukses është tjetër gjë!
Kalke të çoroditura shprehimore vërehen në fjalitë e tipit si: »E keqja qëndron aty se njeriu zotëroi natyrën para se ta zotërojë veten« ose »Puna qëndron aty se unë jam i zënë« etj. Shprehja “qëndron aty« prapë, mendoj, se është kalk serbokroat i futur në gjuhën shqipe dhe si i tillë është e domosdoshme të flaket nga gjuha jonë. Këtë kalk, për t’i ikur parafrazimeve të panevojshme, do ta zëvendësonim me një fjalë shumë të përshtatshme të shqipes. Pse të mos përdoret vetëm fjala “është” për lokucionin “qëndron aty” (»stoji u tome”)? Dhe fjalia shqipe do të ishte: “E keqja ËSHTË se njeriu zotëroi natyrën para se ta zotëronte vetveten« ose »Puna ËSHTË se unë jam i zënë.”
Që këto “lajthitje« të mos marrin përmasa më të mëdha duhet urgjentisht, t’ua ndalim hovin këtyre kalkeve, duke u përpjekur që të shkruajmë dhe të flasim shqipen në mënyrë kritike. Në rend të parë kjo detyrë u përket institucioneve të informimit publikë: radios, televizionit dhe shtypit të përditshëm, që për një pjesë të mirë të shikuesve, dëgjuesve dhe lexuesve është shkollë ku mund të mësohet edhe gjuha standarde.
Botuar në FLAKA E VËLLAZERIMIT * 9 MARS 1980