Në 22 vjetorin e rënies së Sali Çekajt

Marrë nga libri „Këtu jam për t’i luftuar armiqët – Monografi për dëshmorin e kombit Xhemajl Fetahaj“ –

Pas një pushimi të shkurtër, njësiti menjëherë u nis drejt pozicioneve në fshatin Koshare. Në malet përreth filluan luftime të ashpra. Armiku e kishte përqendruar sulmin në Rrasë të Koshares dhe në Maje të Kokës.  Forcat e UÇK-së në Rrasë të Koshares i udhëhiqte eprori Fadil Hadergjonaj, i cili kishte arritur tri ditë më parë. Në Maje të Kokës plagoset Skënder Hasangjekaj, ku pas plagosjes së tij, detyrën e komandantit të njësitit e kishte marrë Hysen Berisha, i cili me mjaft sukses i përballon sulmit.  Nga ana e armikut në luftime ishin përfshirë njësite të ndryshme të përgatitura shumë mirë, si: brigada të mekanizuara, parashutistë, polici ushtarake, njësi diversanto-vëzhguese, vullnetarë, njësite paramilitare, mercenarë rusë etj. Përgjuesit përmes radiolidhjeve me vëmendje e përcillnin komunikimin mes komandantëve të njësiteve armike, të cilët për komunikim përdornin emra pompozë si: “Fantom”, “Vampir”, “Jaguar”, “Deda” etj.

Duke folur për luftimet në këtë pjesë, Anton Çuni thotë: “Përballë njësisë ‘Delta’ sulmet ishin më të dobëta. Ato bëheshin kryesisht me automatikë. Komandanti serb, për shkak të intensitetit të dobët sulmues kundër ‘Delta’-ve, i qortoi se pse nuk po sulmojnë më ashpër. Oficeri përgjegjës i tha se përballë i kemi ‘Delta-t dhe se ne asnjë hap nuk e bëjnë para pa kryer punë artileria!” Artileria edhe më tutje vazhdonte të shtinte me zjarr të përqendruar në Rrasë të Koshares dhe në Maje të Kokës.  Në Rrasë të Koshares sikur të kishte shpërthyer vullkani. Të gjitha armët artilerike fillojnë të vjellin zjarr e flakë. Minahedhësit 82 dhe 120 milimetërsh, topat 76 dhe 80 milimetërsh, topat 150 milimetërsh, shumëtytëshat Orkan etj. dërgonin predha në drejtim të armikut, por edhe armiku kishte vënë në përdorim gjithë arsenalin që e kishte në dispozicion.

Derisa luftimet zhvilloheshin me ashpërsinë më të madhe, në Rrasë të Koshares arrin Sali Çekaj, ndihmëskomandant për moral dhe menjëherë i bashkëngjitet njësitit të komanduar nga Fadil Hadergjonaj.  Sapo kishte përfunduar sulmet artileria serbe, e bindur se “forcat e terroristëve të UÇK-së” ishin përgjysmuar, e fut në sulm këmbësorinë.  Sali Çekaj me këngë e jep kushtrimin dhe iu prin forcave të komanduara nga Fadili në kundërsulm. Në radhët e armikut pason një pështjellim i pakërkundshoq. Ushtarët armiq i kap paniku ngase u gjendën ballë për ballë në afërsi të drejtpërdrejtë me forcat e UÇK-së. Distanca ishte e shkurtër dhe luftimet zhvilloheshin me automatikë, pistoleta, bomba dore…, por edhe me zola e tromblona. Pos plumbave që nuk kishin të ndalur, të ndalur nuk kishin as sharjet, fyerjet, kërcënimet. Ushtarët armiq shanin e kërcënonin, ndërkaq ushtarët e UÇK-së i vazhdonin luftimet duke kënduar me sa zë që kishin. Të shtënat rrallohen paksa, ndërkaq Xhemajl Fetahaj dhe Anton Çuni vazhdonin ta përgjonin komunikimin e ushtarëve armiq me komandën e tyre. Ata flisnin haptas, pa kode, dhe kërkonin ndihmë. Kërkonin ndihmë mjekësore, i kërcënonin dezertorët, të cilët kishin filluar t’ua mbathnin këmbëve dhe e shanin njëri-tjetrin për organizimin të kësaj “lufte e çmendur”. Në anën tjetër, komandanti i njësitit, Shefqet Mustafaj, i cili dy ditë më parë duke e ndërmarrë një aksion kokë më vete, ngase i dukej se po vonohej për të arritur te Ramushi, kishte hyrë në pozicionet e armikut dhe duke i zënë në befasi, kthehet me 16 armë AK-47, të cilat i kishte marrë nga armiqt, përmes radiolidhjes kërkon ndihmë duke thënë se është i rrethuar. Sali Çekaj kërkon nga një grup ushtarësh që t’i bashkëngjiten dhe t’i shkojnë në ndihmë Shfqetit – ”Dukagjinit”, mirëpo ushtarët të lodhur dhe të rraskapitur siç ishin, kishin filluar të hanë nga ushqimet që i kishin në “xhepa”, i thonë: “Qe, veç sa ta hamë këta dhe po nisemi”, mirëpo Salihu duke e kuptuar se puna nuk priste, iu thotë ushtarëve: ”Ishalla po ngihi bre”, – dhe niset t’i shkojë në ndihmë Shefqetit, për ta çarë rrethimin. Kjo dyshe e thërret Sali Çekajn për ta uruar për fitoren në këtë betejë, por ai nuk përgjigjet. E thërrasin edhe të tjerë, por prapë mungon përgjigjja.  Xhemajli dhe Antoni sikur nuk donin të besonin. Salihu dhe Shefqeti, pothuajse në të njëjtin interval kohor, kishin rënë! Po përsëritej e njëjta gjë si me shefin e Shtabit, Agim Ramadanin. Në ndërkohë arrin edhe njoftimi: Sali Çekaj dhe Shefqet Mustafaj kishte rënë në fushëbetejë, për të mos vdekur kurrë. Sa herë mbase do të jenë grindur mes vete nëpër tubime të ndryshme në Evropën Perëndimore për konceptet e luftës, Xhema, si veprimtar i dalluar i LPK-së e Salihu si veprimtar i dalluar i LDK-së, ndërkaq këtu, i kishte bashkuar lufta për çlirimin e atdheut!  Duke u ballafaquar me humbje të njëpasnjëshme, armiku e kuptoi se nuk do të mund të qëndronte më gjatë, prandaj edhe nuk ndërmori operacion përmasash më të gjëra. Për disa ditë radhazi intensiteti i luftimeve sikur kishte rënë. Jeta në vijën e frontit ishte shndërruar pothuajse në rutinë, ndërkaq pas vijës së frontit ushtarët i vazhdonin ushtrimet dhe kalitjen për beteja të reja pa u ndalur dhe përgatiteshin për kryerjen e detyrave, edhe të atyre më të vështirave. Zinxhiri komandues funksiononte shumë mirë dhe me përgjegjësi të lartë. Në ndërkohë, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Brigadën GO3 e emëron „Brigada 138” dhe propozon që t‘i vihet emri Luan Haradinaj. Edhe komandanti i ZOD-it, nën komandën e të cilit ishte kjo njësi, kishte telefonuar dhe kishte kërkuar që këto veprime të kryheshin sa më shpejt, mirëpo tek ushtarët e GO3-shit ishte dëshira që të formoheshin dy brigada, dhe ato t‘i merrnin emrat e Luan Haradinajt dhe të Sali Çekajt. “Më lut Rrustem Berisha që të bisedojë me komandantin Agim Çeku ose me komandantin e Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj, t‘ua shprehë dëshirën e ushtarëve dhe ta gjemë një zgjidhje për formimin e dy brigadave si dhe për emërtimin e tyre. Unë bisedova me komandantin Çeku, ndërkaq ai më thotë: ‘Bisedo me kushëririn tënd!’ I telefonova edhe Ramushit dhe e njoftova hollësisht për kërkesën. Ramushi më tha se nuk bën të formohen dy brigada, meqë jemi përcaktuar për një. Në fund, duke i thënë se nëse mbetet vetëm një brigadë, si zgjidhje më e mirë do të ishte emri i Agim Ramadanit, meqë Agimi, pos që ishte njeri meritor, ishte edhe nga një rreth më i largët, – nga Karadaku. Ramushi më tha: ‘Bëjani si të doni!’ Unë e thirra Rrustemin dhe e njoftova për rezultatet e bisedës. Brigada 138 mbeti një dhe ajo e mori emrin Agim Ramadani, i cili kishte rënë vetëm pak ditë më parë”, – thotë Nasim Haradinaj.