NË 22 VJETORIN E BETEJËS SË KOSHARES

Marrë nga libri „Këtu jam për t’i luftuar armiqët
Monografi për dëshmorin e kombit Xhemajl Fetahaj“ – nga Ibish Neziri

I

„Këto janë nisma që garantojnë fitore!“

Këtë kohë edhe në zonën e Tropojës, ku vazhdonin të ishin funksionale njësitet e furnizimit dhe të grumbullimit, kishin ndodhur ndryshime të shumta për mirë. Njësitet ushtarake ishin ristrukturuar si GO-3 (Grupi Operativ i tri Brigadave) dhe ishin futur në komandë të përbashkët, pas marrëveshjes për bashkim që ishte bërë mes Nasim Haradinajt, si përfaqësues i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, i nxitur dhe i ndihmuar shumë edhe nga Xhemajl Fetahaj, dhe nga Naim Haradinaj, Agim Ramadani dhe Rrustem Berisha. Ristrukturimi dhe hyrja në kuadër të komandës së përbashkët kishte dalë si rezultat i bisedave të filluara qysh në vjeshtën e vitit 1998 dhe të përfunduara në vitin 1999 nga Nasim Haradinaj, nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së dhe Sali Çekaj e Rrustem Berisha nga FARK-u. Për arritjen e kësaj marrëveshjeje, njëri ndër ata që kishte ndihmuar shumë ishte edhe gjenerali Kudusi Lama, i cili duke e shprehur gëzimin e tij, sapo e merr lajmin, i thotë Nasim Haradinajt:

Njësitet e Brigadave të ashtuquajtura „131“, “134“ dhe BDV (Batalioni Diversanto Vëzhgues) ishin në kulmin e përgatitjeve për fillimin e operacionit luftarak, i emërtuar nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së.

„Shigjeta“, që për qëllim kishte heqjen e kufirit në regjionin e gjerë të Koshares dhe vendeve tjera përgjatë kufirit, regjion ky përmes të cilit njësitë e UÇK-së brenda Kosovës furnizoheshin, dhe të cilin njësitet ushtarake, paraushtarake dhe mercenare serbe përpiqeshin ta mbanin të mbyllur. Edhe përkundër faktit se plani për operacionin mbahej në fshehtësi të madhe, të gjithë ushtarakët e kuptonin se po përgatitej një operacion kompleks në përmasa të gjëra dhe i cili mund të ndikojë në ndryshimin e rrjedhës së luftimeve brenda Kosovës, ku zhvilloheshin luftime për jetë a vdekje.

„Marrëdhëniet ndërnjerzore dhe ndërushtarake ishin shumë të mira.  Morali dhe disiplina në shkallën më të lartë. Përgatitja profesionale vazhdonte, me theks të veçantë në përgatitjen e kuadrove komanduese për skuadër dhe togë si dhe në përgatitjen e njësiteve për taktika dhe operacione të veçanta.

Përkundër atmosferës pozitive, komanda e GO-3 ende përballej me disa vështirësi, për të cilat kërkoheshin zgjidhje si: mungesa e kuadrove komanduse, mungesa e armëve kolektive dhe pajisjeve tjera ushtarake dhe, në fund, nevoja për ndërtimin e marrëdhënieve dhe komunikimit të mirë me SHP të UÇK-së dhe Komandën e Zonës Operative të Dukagjinit“, – thotë kolonel Anton Çuni.

Në këto rrethana, në muajin shkurt në Komandën e GO-3 u paraqitën shumë ushtarakë dhe luftëtarë të udhëhequr nga Nasim Haradinaj, mes të cilëve ishte edhe Xhemajl Fetahaj. Duke e pasur parasysh përgatitjen e tij, punën në ilegalitet, qëndrimin stoik në burgjet e Serbisë, aktivitetet kombëtare në Perëndim, Xhemajli ngarkohet me detyrën e oficerit të zbulimit në kuadër të sektorit për zbulim dhe kundërzbulim (G-2).  Edhe pse në shikim të parë kjo detyrë dukej atraktive, ishte detyrë me përgjegjësi, sepse mbulonte një spektër të gjerë të veprimeve si:

  • Grumbullimin, përpunimin, nxjerrjen dhe shpërndarjen e të dhënave të zbulimit;
  • Përshkrimin e ndikimeve të mjedisit të fushëbetejës në mundësitë e UÇK-së dhe të armikut;
  • Bashkërendimin me të gjithë sektorët e Shtabit për çështje të personelit, operacioneve, logjistikës, komunikimit, trajnimit, marrëdhënieve civilo – ushtarake etj.;
  • Sigurimin e informatave për armikun: numrin, radhitjen, teknikën, moralin, objektivat, dobësitë etj.;
  • Plasimin e informatës në kohën e duhur;
  • Mundësitë e armikut për zbulim;
  • Masat për mbrojtjen e informacionit etj.

Format e sigurimit të informatave janë të ndryshme, por më e sigurta është informata e siguruar drejtpërdrejt nga afërsia dhe nga kontakti i vazhdueshëm me armikun. Kjo formë e sigurimit të informatave kërkonte përgatitje psiko-fizike, profesionale, shkathtësi luftarake etj., dhe nga natyra është veprimtari që mund të ballafaqohet me situata të paparashikueshme dhe nivel të lartë të rrezikshmërisë. „Për të gjitha këto Xhemajli ishte shumë i vetëdijshëm dhe i ndërgjegjshëm, kështu që menjëherë u kyç në punimet e stafit për përgatitjen e operacionit“, – kujton Anton Çuni.

„Duke i njohur mirë Xhemajl Fetahajn dhe Cenë Aliçkajn, e kam ndjerë domosdoshmërinë që në këtë luftë, pra në Koshare, gjithsesi të jenë edhe këta dy. Cena më është dashur, sepse e kam njohur nga lufta, brenda, në Dukagjin. Ai ka qenë në luftë edhe në Junik bashkë me Rrustemin dhe Agimin. Kështu që edhe këta nga lufta në Junik janë njohur mes veti.  Ndërkaq Xhemajlin e kam njohur si një njeri që afron dhe bashkon, por edhe Milazim Shalën, të cilin e kam njohur në luftë në Baballoq“, – thotë Nasim Haradinaj.

II

Për një kohë të shkurtër Xhemajli, falë kulturës së tij të komunikimit, edukatës dhe mirësjelljes ushtarake, modestisë, shprehive dhe metodës së punës, arrin të familjarizohet me ushtarët e njësive në Papaj.  „Bisedat tona në kohën e lirë kryesisht ishin biseda për ngjarjet politiko-ushtarake dhe parashikimin e situatave. Ndonjëherë bisedonim për jetën private. Marrëdhëniet tona kolegjiale ishin vendosur në rrugë dhe bazament të shëndoshë. Dallimet në moshë, regjion, bindje politike, arsimim, religjion etj. ishin të parëndësishme krah gjërave që na bashkonin si kombi, gjuha, flamuri dhe, në fund, vullneti për ta mposhtur armikun e përbashkët“, -thotë kolonel Çuni, deri sa i kujton ato ditë.  Këtu Xhemajli shumicën e kohës e kalonte me ushtarët e Batalionit Diversanto-Vëzhgues (më vonë Forcat Komando „Delta“) si njësi më atraktive dhe e supozuar për realizimin e aksioneve dhe operacioneve të ndërlikuara me përdorimin e taktikave të veçanta dhe që ngushtë lidhej me afrimin e shërbimeve për G-2. Për të mbajtur hapin me këtë njësit, Xhemajli filloi të investojë kohë në përgatitjen psiko-fizike, në taktikat e luftës dhe përdorimin e mjeteve ushtarake. Shumë shpejt do të përvetësojë njohuri në leximin e hartave, përdorimin e busullës, maskim, kalim të pengesave, ndihmën e parë, mbrojtjen nga helmet luftarake, sistemet e ndërlidhjes, manipulimin me armë dhe qitjet, taktikat e luftës, punët e shtabit, komandimin dhe drejtimin etj.

Njësi të shumta i kishin kryer trajnimet e nevojshme dhe kishin filluar realizimin e detyrave luftarake. Numri i vullnetarëve çdo ditë e më shumë shënonte rritje. Ata sapo arrinin në njësite, i nënshtroheshin programit intensiv të përgatitjes për kryerjen e detyrave luftarake. Njësia u furnizua me armatim të konsiderueshëm dhe pajisje të nevojshme ushtarake.

Komandanti i Divizionit të Kukësit, Gjenerali Kudusi Lama, thotë:

„Kur Nasim Haradinaj dha garanci se ky grup djemsh duan të luftojnë, atëherë është thirrur tek unë Rrustem Berisha, komandant i njësisë në Papaj. A vërtet don t’luftosh, – e kam pyetur. Ai ka thënë „Po, unë dua t’luftojë!“ Atëherë unë i kam thënë shko se unë do të vi ta inspektoj repartin tënd dhe pastaj do të marrim një vendim. Unë pas ca ditësh kam shkuar në repart. Kuadrot janë mbledhur nga Rrustemi në një dhomë në katin e dytë të një godine. Pasi jemi përshëndetur, m’është paraqitur situata në repart dhe në kufi. Paraqitjen edhe me gojë edhe me hartë e ka bërë Agim Ramadani, një oficer simpatik, elastik, shumë i zgjuar, i aftë profesionalisht, i cili në atë kohë kryente detyrën e shefit të Shtabit, siç e kishin emërtuar ata, të Brigadës, pavarësisht se kishte diku 40 veta.  Pasi jam njohur me gjendjen e armatimit të dëmtuar komplet, rreth 38 armë, nja dy mortaja 60-she, dy 82-she, dy topa 75-sh, dy granatahedhës pa optikë dhe jashtë gatishmërie, jam kthyer në divizion dhe kam dërguar shefin e armatimit, Shahin Toçillën, kapiten në ushtrinë shqiptare, shef armatimi i divizionit, për ta verifikuar se si ishte gjendja e armatimit.  Ai ka shkuar, e ka inspektuar armatimin dhe ka shënuar për çdo armë se çfarë nevojash ka për t’u vënë në gatishmëri, çfarë optike duhet dhe ka ardhur në Kukës, ku e ka marrë brigadën e riparimit të armatimit nga ofiçina ose, të them më mirë ofiçinën, se kështu e emërtonim ne, dhe nga depot e divizionit, pajisjet që i nevojiteshin dhe ka shkuar dhe e ka vënë në gjendje gatishmërie armatimin“.

Pas kësaj, në Papaj janë paraqitur mjaft veprimtarë dhe luftëtarë, të cilët kishin shkuar për të luftuar. Kudusi Lama bashkë me Xheladin Gashin, komandant i gjithë asaj zone, i ka marrë ushtarët që ishin në procesin e stërvitjes në qendra të ndryshme stërvitore dhe i ka dërguar në Papaj.  Nga Vlahna janë marrë 60 ushtarë, nga Cahani 40, nga Kalimashi 75, 76 dhe janë dërguar në Papaj për ta krijuar një repart më të fuqishëm që do të futej në Kosovë për të luftuar, duke hapur edhe një shteg furnizimi.  Disa pjesëtarë të komandës u vendosen në Padesh (500 m nga kufiri Shqipëri-Kosovë), ku intensivisht merreshin me kryerjen e detyrave ushtarake deri në detajet më të vogla. Çdo mbrëmje luftëtarët nën masat e rrepta të maskimit bartnin municion, predha dhe material tjetër luftarak, të cilat deponoheshin pranë kufirit.

Në të gjitha këto aktivitete vërehej prezenca aktive e Xhemës në role të ndryshme, herë si ushtar, oficer, zbulues, vëzhgues, ndërlidhës, snajperist, e herë si shënjues i minahedhësit 60 milimetërsh etj., por mbi të gjitha, ai ishte një koleg dhe shok i mirë i të gjithëve, pa marrë parasysh rangun dhe funksionin. „Xhema dhe Nasimi ishin ata që pos që rrinin vazhdimisht me ne, shumë shpesh edhe flinin në të njëjtin vend me ne, ushtarët e thjeshtë“, – thotë Frashër Oseku. „Xhemajli ishte njeri, i cili gjithnjë kishte humor të mirë. Shpesh na bënte të qeshnim dhe hapte edhe tema nga jeta private. Shumë i afërt me ushtarët“, – thotë më tutje Frashëri.

Xhemajli, apo Xhema siç e quanin bashkëluftëtarët, ishte më së i kënaqur me ecurinë e punëve dhe kjo vërehej në çdo moment tek ai.  Përkundër përgatitjeve dinamike dhe rraskapitëse ai kërkonte edhe më shumë duke u bërë vetë shembull për të tjerët. „Ai shembull ishte bërë edhe për të gjithë ushtarët duke mos pranuar asnjë lloj page për punën e tij prej ushtari dhe komandanti, gjë që nuk ka ndodhur me disa të tjerë“, – thotë Nasim Haradinaj. „Atë e brengoste kjo, jo pse nuk merrte pagë, por se nuk donte të kishte dallim mes ushtarësh dhe komandantësh“, – shton më tutje Nasimi. Të njëjtën gjë për Xhemajlin e thotë edhe Frashër Oseku, i cili herë kishte qenë në Koshare e herë në Komandën e Divizionit të Kukësit, te Gjenerali Kudusi Lama. „Kam punuar në zyrën e Babushit në Kukës. Kam punuar edhe në zyrën e Sali Çekajt në Koshare. E kam pasur edhe kodin e kompjuterit të Salih Çekajt. Kur Nasim Haradinaj dhe oficerët e FARK-ut kanë arritur marrëveshjen për bashkim dhe hyrje nën komandën e përbashkët, njeriu i parë që ka kërkuar t’ia heq logon e FARK-ut nga kompjuteri ka qenë Salih Çekaj. Kur ai më ka thënë hiqe logon prej kompjuterit, e kam shikuar Agim Ramadanin dhe ai ma ka bërë me kokë, në shenjë aprovimi“, – thotë Frashër Oseku.

III

Në planin ndërkombëtar, gjatë muajve shkurt dhe mars gjërat kishin lëvizur bukur shumë në favor të Kosovës. Ishte thirrur edhe një konferencë ndërkombëtare për Kosovën në Rambuje të Francës me ndërmjetësimin e Grupit të Kontaktit (SHBA-ve, BE-së dhe Federatës Ruse), përfaqësuesit e të cilit kishin hartuar edhe një tekst për marrëveshje. Meqë ishte bërë e qartë se pa përfaqësuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në bisedime, nuk mund të vendosej për paqen, ishin ftuar edhe përfaqësuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila me këtë rast edhe e korri fitoren më të madhe në fushën e diplomacisë. Konferenca i filloi punimet më 6 shkurt të vitit 1999 me një ditë vonesë, meqë Serbia përpiqej ta pengonte fluturimin e përfaqësuesve të UÇK-së nga Aeroporti i Prishtinës. Ato zgjatën për 17 ditë rresht dhe pas 17 ditësh përfunduan pa sukses, për shkak të kërkesave të papranueshme të Serbisë, ani se delegacioni i Kosovës e kishte pranuar në parim propozim-marrëveshjen e Grupit të Kontaktit për zgjidhjen e krizës së Kosovës. Pasi konferenca në Rambuje rezultoi e dështuar, rreth një muaj më vonë, më 15 mars, do të thirret Konferenca në Paris, e cila edhe mund të llogaritet si vazhdim i të parës në Rambuje, por edhe kjo konferencë do të përfundojë pa sukses. Serbia nuk e pranoi propozim-marrëveshjen.

Më 24 mars të vitit 1999, gjatë kohës që reparti përgatitej, aleanca ushtarake veri-atlantike, NATO, do t’i fillojë bombardimet e pozitave ushtarake, paraushtarake dhe policore serbe në Kosovë dhe në Serbi.  Në ndërkohë, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së nuk qëndroi në pozitat e inferioritetit, por më 31 mars mori vendimin historik për mobilizim të përgjithshëm për çlirimin e Kosovës. Duke iu përgjigjur thirrjes për mobilizim, vetëm brenda pak ditësh në zonën kufitare u përqendruan mbi 10 mijë luftëtarë. Për këtë gjenerali Kudusi Lama thotë: „Ne u detyruam të ngrehnim fushime masive në Kolsh të Kukësit, në Kalimash të Kukësit dhe në Helshan. Po në Helshan ishin rreth 3000 luftëtarë, në Kolsh po ashtu, në Kalimash mbi 800. U bënë mbi dhjetëmijë ushtarë në tërësinë e tyre“.  Mobilizimi bëri që të ndryshojë pozicioni i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Shtabi i Përgjithshëm tani më nuk kishte nevojë të depërtonte nëpër kufij për të hyrë në Kosovë. Ai e përpiloi planin për operacionin „Shigjeta“. Qeveria e Përkohshme operacionit i dha rëndësi të madhe.  Para se të jepej urdhri për fillimin e operacionit, ministri i Mbrojtjes, Azem Syla, bashkë me ushtarakë të tjerë të ngarkuar me operacionin dhe me anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, bënë kontrollin dhe inspektimin e hollësishëm të veprimeve përgatitore e pastaj në konsultim të ngushtë me shefin e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, kolonel Bislim Zyrapin dhe komandantin e drejtimit të dytë operativ, përkatësisht komandantin e Brigadës 138, Rrustem Berishën, vendosi për fillimin e operacionit.

Ky operacion do të kishte një front në Koshare, nga do të depërtonte dhe do të hapte linjën në bashkëpunim me njësitet tjera të Zonës Operative të Dukagjinit. Këtë front do ta përballonte Brigada 138 si njësi e ZOD, që me fillimin e luftës do të ishte në varësi të komandantit të ZOD, Ramush

Haradinajt, me vendim të Shtabit të Përgjithshëm.  Pjesë e përgatitjeve ishte edhe Xhemajl Fetahaj, i cili nuk dinte të pushonte. Pasditet e vonshme, pas ushtrimeve të lodhshme, i kalonte duke biseduar me ushtarët për jetën private, për të kaluarën e tyre dhe për ëndrrat për të ardhmen. Edhe mbrëmjeve biseda të tilla zhvilloheshin mes komanduesve. Bisedat kryesisht zhvilloheshin në mes Sali Çekajt, Agim Ramadanit, Xhemës, Nasim Haradinajt etj. dhe temat ishin nga më të ndryshmet. Ishte e pamundur të anashkaloheshin temat për angazhimin e partive politike në përkrahjen dhe organizimin e UÇK-së, posaçërisht për LDK-në dhe LPK-në. „Edhe pse bindjet ishin të ndryshme rreth meritave për organizimin e luftës, dallimet tejkaloheshin me lehtësi falë ambientit të mirë të krijuar, komunikimit të mirë mes nesh dhe realitetit përballë të cilit gjendeshim. Ne përpiqeshim që njësitë t’i mbanim në nivelin më të lartë profesional, të zhveshura nga të gjitha ideologjitë dhe ndikimet e politikës ditore“, – thonë Nasim Haradinaj dhe Anton Çuni.  Në ndërkohë Xhemajli për së afërmi i kishte përcjellë të gjitha aktivitetet e BDV – Forcave Komando „Delta“. Ishte i kënaqur me të arriturat e njësisë. Po ashtu duke e ditur rolin e „Delta“-s dhe planin për operacionin, kërkoi që funksionin e oficerit të zbulimit për nevojat Shtabit të GO-3 ta realizojë në kuadër të Forcave Komando „Delta“.  „Kërkesa e Xhemajlit u miratua nga Komanda e GO-3 dhe u mirëprit nga të gjithë djemtë e ‘Delta“-s’”, – thotë Kolonel Çuni.

IV

Shtabi i Përgjithshëm e përfundoi përpunimin e planit të operacionit.

Sulmet do të fillojnë me rreth 300 veta, pastaj do të furnizohen sipas kërkesave të komandantit të operacionit, Rrustem Berishës, me nga një kompani çdo ditë. Njësitet ishin shumë mirë të përgatitura. I kishin përgatitur oficerët e ushtrisë shqiptare, të cilët Gjeneral Lama i kishte vënë në shërbim të GO 3-shit. Ata tanimë ishin të gatshëm për gjuajtje me armë të ndryshme, sidomos me topa kalibrash të ndryshëm dhe armë tjera të rënda.

Secili ushtar kishte paketën individuale kundërkimike, paketën individuale mjekësore, helmetën dhe maskën kundër gazit. Ishin të pajisur me granatahedhës e me topa kundërtanksë, me mortaja 60 milimetërshe dhe 82 milimetërshe si dhe me mortaja 120 milimetërshe edhe 160 milimetërshe, pastaj me topa 122 milimetërsh për gjuajtje deri në 30 km largësi. Një ushtri klasike në kuptimin e plotë të fjalës.  Edhe pse të përgatitur mirë në çdo aspekt, prapë ekzistonin mëdyshje nëse do të funksionojë çdo gjë sipas planit apo jo. Batalioni kufitar i armikut ishte vëzhguar me muaj të tërë dhe ishin mësuar edhe detajet më të vogla si: numri, struktura, pozicionet, radhitja, armatimi dhe pajisjet, fortifikimet dhe fushat e minuara, procedurat e alarmimit dhe reagimit, mënyrat e komunikimit, pozicionet rezervë dhe marrja e ndihmës nga thellësia, rezervat dhe mbështetja logjistike, mbështetja me zjarr artilerik nga thellësia, mundësitë e lëvizjes së mjeteve të blinduara, bashkëpunimi me njësitet fqinje, morali dhe marrëdhëniet ndërnjerëzore mes tyre e shumë elemente të tjera.

Bazuar në këto të dhëna, të siguruara nga G-2 shi (Sektori i Inteligjencës) pjesë e të cilit ishte edhe Xhema, ishte hartuar strategjia e futjes në veprim të këtij njësiti.

Erdhi edhe 8 prilli dhe kaloi. Këtë mbrëmje në Koshare arrin edhe Cenë Aliçkaj, i cili qysh verën e fundit ishte kalitur nëpër beteja në Zonën Operative të Dukagjinit dhe i bashkohet shokut të vetë të fëmijërisë dhe të të gjitha kohërave deri këtë ditë, Xhemajl Fetahajt.

V

Akrepat e orës sapo kishin kaluar 24-shin dhe kishin filluar të rrëshqisnin ngadalë në ditën e nëntë prillit të vitit 1999. Ushtarët ishin në gjendje gatishmërie për të filluar sulmin mbi forcat pushtuese serbe.  Është e vështirë të përshkruhen ndjenjat e ushtarëve në këto çaste. Për herë të parë do të nisnin një operacion të përmasave të mëdha.  Me vendim të ministrit të Mbrojtjes në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës, Azem Sylës, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së e dha urdhrin: „Me 9 prill, në orën 03:30 të mëngjesit të fillojë operacioni!“ Operacioni filloi me hapjen e zjarrit nga grupi i përbërë prej ushtarëve Nasim Haradinaj, Esat Kadrijaj, Halil Dema, Shpend Dema, Ukë Kurmekaj, Ali Byberaj, Avdi Haxhijaj, Milazim Mavraj, Ismet Neziri, si dhe dy mjekëve të luftës, Time Kadrijaj dhe Ilirjana Hasaj. Grupi i përbërë nga Shpend Dema, Ukë Kurmekaj, Ali Byberaj, Avdi Haxhijaj, që mori detyrë për ta kryer sulmin në pozicionin serb «7 korriku» ( «7 juli») kishte vendosur të mos e merrte në sulm Ismet Nezirin, meqë kishin mësuar se ai ishte djalë i vetëm në familje. Në vend të Ismetit e marrin Halil Demën. Meqë ky grup Ismetin nuk e mori me vete, Ismeti shkon me skuadrën e Nasim Haradinajt, i cili do ta sulmojë pikën kufitare të Morinës. Sulmi do të fillonte saktësisht në orën 03:00 të mëngjesit, por me kërkesën që Agim Ramadani i bën Nasimit, si udhëheqës i sulmit, për ta shtyrë edhe për pak sulmin, me arsyetimin se njësitet që do ta bëjnë sulmin kryesor ende nuk kanë arritur te vendi, sulmi shtyhet dy herë nga 15 minuta, ndërkaq kur bëhet edhe kërkesa e tretë për shtyrje, Nasimi i thotë Agimit se nuk po mund e merr në radiolidhje grupin sulmues, ndërkohë që Shpend Demës i thotë ta fillojë sulmin dhe sulmi befasues fillon saktësisht në 03:30, sipas marrëveshjes që ishte bërë paraprakisht në mes të Rrustem Berishës, Nasim Haradinajt dhe Agimit Ramadanit.  Sulmi që kishte filluar në Morinë, me kërkesën e komandantit Rrustem Berisha, duhej të vazhdonte edhe më tutje me mortaja. Ky ishte një sulm mashtrues për ta tërhequr vëmendjen e njësiteve serbe, për kinse tentimin për të shpërthyer në këtë pjesë, meqë ishte më e rrafshët, në mënyrë që forcat e UÇK-së të lëviznin më lehtë drejt Rrasës së Koshares, cakut të sulmit të planifikuar.

Sulmi ishte përqendruar në dy pika në drejtim të Morinës; mbi karaullën verore „7 Korriku” dhe në pikën tjetër, ku tani gjendet pikëkalimi kufitar, 5 – 6 km larg nga drejtimi kryesor. Sulmi në këtë pikë ka zgjatur rreth 3-4 orë dhe brenda kësaj kohe u hodhën në drejtim të ushtrisë serbe rreth 170-180 predha mortaje.  Përkundër befasisë, ushtarët armiq reaguan shpejt. Ata ishin të stërvitur për situata të tilla. Së pari morën mbështetje me zjarr artilerik nga regjioni i Morinës, pastaj nga Morina, Punasheci dhe Molliqi u nisën përforcimet dhe njësitet intervenuse. Nga përgjimet u mor vesh se njësiti serb i stacionuar në karaullën „7 Korriku“ ishte i shqetësuar tej mase dhe alarmonte për rrezikun. Ismet Neziri dhe Halil Dema u plagosën në ndërkohë, ndërkaq të tjerët vazhduan sulmin me mortaja mbi këto pika derisa filloi sulmi në Koshare.

Sulmi në Koshare filloi pak pas orës 06:00. Njësitet sulmuese të UÇK-së hapën zjarr prej të gjitha armëve mbi caqet e zgjedhura të armikut. Objektivi i parë ishte neutralizimi i një togu të armikut të pozicionuar në Rrasën e Koshares. Ndaj atij pozicioni u hap zjarri nga minahedhësit 82 milimetërsh, topat pa dridhje 75 milimetërsh dhe mitralozi i rëndë 12,7 milimetërsh.  Zjarri ishte shumë preciz dhe me intensitet të lartë. Në fytyrat e ushtarëve të njësisë „Delta“ vërehej entuziazmi dhe dëshira për sulm me këmbësori.  Armiku ishte tërësisht i befasuar dhe në panik. Përgjuesit, të cilët përmes ushtimës dhe krismave të armëve me vështirësi kishin arritur t’i kapnin fjalët e njësiteve serbe të ndërlidhjes, njoftonin se armiku raportonte për humbje të mëdha. Ata kërkonin ndihmë mjekësore për të plagosurit dhe përforcime. Komandanti i batalionit kufitar mundohej t’i koordinonte veprimet e njësiteve të veta, por pa ndonjë sukses. Togu i armikut në Rrasë të Koshares as që arriti t’i përgjigjej zjarrit. Ishte i preokupuar me tërheqjen e të plagosurve dhe i kapluar nga frika e paniku. Të gjitha kushtet u plotësuan që njësiti „Delta“ t’ia japë goditjen përfundimtare njësitit serb në Rrasë të Koshares. Komandosët ishin në pritje të urdhrit. Pranë e pranë qëndronin Xhemajl Fetahaj dhe Anton Çuni. Antoni duke i kujtuar këto çaste thotë:

„Pranë meje ishin Xhema dhe ushtarët. Të gjithë në pritje të urdhrit. U mundova të kujtoja ndonjë frazë të ndonjë strategu të njohur siç ishin Sun Tzu, Zhukov, Ajzenhauer e ndonjë tjetër, por shprehja vendëse “A shkojmë t’ua q.. nanën?”, m’u duk më e përshtatshme, prandaj edhe e thashë. Xhema, i habitur me fjalorin tim, buzëqeshi e më tha ‘Shkojmë e i ndjekim si lepurit’.  Kjo bisedë ishte njëkohësisht shenjë për sulm“.  „Kemi qenë njësia e parë që kemi hyrë në territorin e Kosovës edhe e kemi marrë Rrasën e Koshares. Komandant i saj ka qenë Anton Çuni ndërsa zëvendëskomandant Xhemajli“, – thotë Cenë Aliçkaj.  Që në orët e hershme të mëngjesit të nëntë prillit 1999, për njësitet okupatore serbe, të cilat për 86 vjet radhazi, të ngulitur në mes të Alpeve Shqiptare, në Rrasë të Zogut, me forcën e armëve i mbanin të ndarë shqiptarët, bashkë me fillimin e sulmit nga njësitet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kishte filluar një ferr i vërtetë, një ferr që edhe ata e pranuan si të tillë dhe e quajtën „Pakao Koshare“ („Ferri Koshare“) nga edhe një film dokumentar serb, kushtuar këtyre luftimeve u emërtua kështu.  Ora kishte kaluar 6:15, kur komandosët e „Delta“-s filluan lëvizjen nga kufiri në drejtim të Rrasës së Koshares, me qëllim të neutralizimit të forcave serbe të mbetura, marrjes së objektit në Rrasë të Koshares dhe rrethimit të kazermës nga ana veriore, ku ishin të vendosura forcat kryesore të armikut. Në të njëjtën kohë ky njësit e siguronte edhe shefin e Shtabit, Agim Ramadanin, i cili sipas planit do të duhej të koordinonte operacionin nga Rrasa e Koshares.

Marshimi zgjati rreth një orë. Ai ishte shumë i mundimshëm për shkak të reliefit, kushteve atmosferike dhe fushave të minuara. Me të gjitha masat e sigurisë, njësiti lëvizte në formacion të togut në vëzhgim me mundësi të kalimit në formacion togu në sulm. Pengesa më e madhe ishte trashësia e borës, e cila e vështirësonte lëvizjen. Reliefi ishte aq i thyeshëm sa që në shumë raste komandosët u detyruan t’i shfrytëzonin edhe metodat e alpinistëve. Reshjet e pandërprera, temperaturat e ulëta, përroskat e thella dhe të rrëmbyeshme, tatëpjetat dhe ngarkesat me pajisje luftarake ishin rraskapitëse për njësitin, por falë përgatitjeve të mira psiko-fizike dhe morale, ai arriti që pa u vërejtur, formacionit të armikut, të stacionuar te Rrasa e Koshares, t’i dilte nga prapa. Gjatë lëvizjes, përgjegjësinë më të madhe e kishin vëzhguesit ballor dhe anësor si dhe snajperistët, të cilët i mbështetnin vëzhguesit. Në mesin e snajperistëve ishte edhe Xhemajli, i cili kishte snajper me shurdhues dhe me rreze veprimi deri në 800m.

Në rast se vëzhguesit binin në pritë, snajperistët duhej t’i mbulonin me zjarr. Njësiti arriti deri pranë pozicioneve të armikut pa veprime luftarake. „Sipas njoftimit nga qendra e përgjimit, togu i armikut ishte tërhequr në drejtim të kazermës, por kishte mundësi që ndonjë ushtar serb të ketë mbetur në pozicion. Kërkova nga njësiti me armë kolektive të ndërpriste goditjet në Rrasë të Koshares dhe zjarrin ta bartte në ndonjë objektiv tjetër. Jashtë rregullave ushtarake, Agimi dhe unë vendosëm që të parët të hynim në pozicionet e armikut, por edhe Xhema e kishte marrë të njëjtin vendim. Njësitin e vendosa në formacion të luftimit në rrethim, kurse grupin e snajperistëve e udhëzova të na mbështeste me zjarr. Në këtë formacion në lëviznim drejt pozicioneve të armikut“, – thotë Anton Çuni.  Kjo treshe gjatë lëvizjes, para se të aktivizoheshin i kishte vërejtur minat më ndezje elektrike dhe veprim të përqendruar të vendosura nga ushtria serbe me qëllim të ndërprerjes së rrugës ushtarëve të UÇK-së. Me kujdes të madh, duke i anashkaluar ato treshja arrin deri te pozicionet e para ku ishin edhe ndezësit elektrik të minave. Ata menjëherë i çaktivizuan minat. Me shumë vëmendje, në gatishmëri të plotë, të armatosur me armë automatike dhe bomba dore kontrollonin çdo istikam, bunker dhe pozicion të zjarrit, të cilët ishin mirë të sistemuar dhe të lidhur me njëritjetrin.  Njësiti vepronte në mënyrën më profesionale të mundshme duke mbuluar me zjarr lëvizjet, kalimet, zonat e dyshuara dhe prapashpinën.

Duke ecur me kujdes përpara dhe duke kontrolluar çdo gjë, hap pas hapi, arritën te një gjysmë shtëpize druri, e cila me siguri do t’u kishte shërbyer ushtarëve armiq për strehimin e njësitit gjatë pushimit. Pasi u kontrollua mirë terreni, njësiti u vendos në pozicionet që ishim marrë nga armiku, por tani me objektiv sulmi kazermën. Anton Çuni bashkë me Xhemajl Fetahajn e kontrollojnë shpejt e shpejt arsenalin luftarak që armiku duke ikur në panik e kishte lënë në fushëbetejë. Aty ishin më shumë se 10 armë AK-47, 2 pushkomitralozë 7.62 milimetërsh, 2 minahedhës 60 milimetërsh, 1 top kundërajror 20 milimetërsh, dhjetëra mina me ndezje elektrike (MRUD), radiolidhje „Motorola“ dhe radiolidhje „RUP 3“, pajisje për ndihmën e parë dhe për mbrojtje kimike, atomike dhe biologjike, municion të kalibrave të ndryshëm, granata, bomba dhe tromblona, dylbi, racione ushqimi të konservuara dhe në një shtëpizë të vogël, edhe një qen kufiri.

Objektivi ishte arritur. Objekti më me rëndësi për operacionin, Rrasa e Koshares, tani më gjendej në duar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.  Xhemajl Fetahaj ishte ndalur para kundërajrorit 20 milimetërsh dhe përpiqej ta studionte me vëmendje. Në një moment të caktuar, të gjendur para zjarrit të armikut, jepet urdhri për tërheqje. “Le të asgjësohet armatimi i armikut, i cili nuk mund të merret dhe të ktheheni në bazë!” ishte urdhri.

Kthimi në bazë do të thoshte tërheqje, kthim brenda territorit të Shqipërisë. Xhemajl Fetahaj thotë: “Unë i gjallë, prej këtij vendi as nuk luaj e as s’e shkatërroj këtë fare arme që e kemi marrë, sepse, ndoshta dikujt tani i duket çështje e vogël, por për ta marrë një armë të tillë nga serbët nuk është pak! U ul në të duke thënë se “prej ti nuk zbres”!  Agim Ramadani ia pret: “A ka këso djemsh që rrinë këtu, se as unë nuk tërhiqem!”

“Unë isha në zyrën e Gjeneral Kudusi Lamës – Babushit, kur ra telefoni -thotë Frashër Oseku. Babushi e ngriti receptorin dhe dëgjoi. ‘Çfarë tërheqje?! Asnjë hap prapa s’do t’u lejoj të tërhiqeni! Unë do të jem prapa shpinës tuaj dhe s’do t’u lejoj’! – e dëgjova të thotë me zë shumë të lartë e të rreptë, deri sa e lëshonte receptorin e telefonit”, – kujton Frashër Oseku.  Urdhri së pari u thye nga Xhemajl Fetahaj dhe Agim Ramadani. Njësiti mbeti në pozita për ta vazhduar luftën më tutje.  Operacioni duhej të vazhdonte. Secilës skuadër i caktohen përgjegjësitë dhe detyrat e veçanta. Grupi i snajperistëve dhe mitralierve morën urdhër që nga pozicionet e maskuara të fillojnë goditjen e caqeve përreth dhe mbi kazermë. Filluan gjuajtjet mbi objektiva. Zjarri i të gjitha armëve ishte përqendruar mbi objektivin kryesor, kazermën. Shpërthimet e predhave dhe granatave shkaktonin dëme të mëdha duke hapur çarje të mëdha në muret e kazermës dhe pllakat e betonit. Hapësira e armikut për manovrime zvogëlohej gjithnjë e më shumë. Por, edhe ai pas këtyre sulmeve kishte filluar ta merrte vetveten. Ushtarët armiq në pozicionet e tyre te Maja e Kokës bënin rezistencë të fortë.  Anton Çuni dhe Xhemajli i vëzhgonin me dylbi pozicionet e armikut.  Ata vërejtën se një numër i konsiderueshëm ushtarësh armiq ishin strehuar në bunkerët e anës lindore, jashtë kazermës, dhe nga aty shtinin me armë të llojeve të ndryshme kundër trupave të UÇK-së.  Pasi i llogaritën të gjitha elementet, përfshirë largësinë, disnivelin, këndin vertikal, sasinë e mbushjes, i nivelizuan minahedhësit dhe e nisen granatën e parë, e cila pas pak sekondash plasi vetëm 30-40 metra tej cakut të dëshiruar. E bënë korrigjimin dhe e nisën edhe granatën e dytë. E dyta plasi mu në një çerdhe të armikut, prej së cilës si të tërbuar dolën dhe filluan të vraponin ata që i shpëtuan goditjes, por nuk mund iu shpëtuan goditjeve të snajperistëve të UÇK-së, të cilët menjëherë i futën në shënjestër.  Goditjet e caqeve vazhduan me korrigjime të vogla të elementeve. Caqet që goditeshin vëreheshin vetëm nga pozicionet në të cilat ishin komandosët e “Delta-“s. “Delta” po luante rol shumë të rëndësishëm në shtrëngimin e hekurt të rrethimit të karaullës serbe të Koshares.  Gjithë ditën nuk pushuan luftimet. Jehun e krismave e përcillnin tutje në të dy anët e kufirit grykat dhe honet e Bjeshkëve të Nemuna, mes të cilave maja e Gjervicës i shpërthente tejpërtej retë. Në orët e vona të pasdites heshtja filloi ta mbështillte ngadalë këtë majë që dukej sikur e kishte hedhur shikimin tutje Rrafshit të Dukagjinit deri në malet e Drenicës e fushat e paskajshme të Rrafshit të Kosovës, ku zhvilloheshin luftime tjera. Edhe muzgu i shtrinte ngadalë krahët e vet dhe i mbështillte këto bjeshkë që, ku të dihet përse, populli i quajti të nemuna.  Një nga legjendat e shumta shqiptare thotë se në këto bjeshkë Ajkuna e humbi të vetmin djalë, gati fëmijë, në një betejë me krajlitë dhe derisa ia kërkonte varrin lugjeve të këtyre bjeshkëve e nuk ia gjente, nga zemra i doli një nëmë për këto bjeshkë, prandaj edhe e morën emrin Bjeshkët e Nemuna. Ngado që sillesh nëpër këto bjeshkë, duket sikur edhe lisat qindravjeçarë, që janë të shumtë, të flasin për luftëra, për vrasje, për rezistencë… Edhe këtë ditë ishte bërë luftë e madhe. Ishin sulmuar njësitet e armikut që aq shumë vuajtje i kishin shkaktuar kësaj toke.  Ata, të gjendur para zjarrit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, filluan të lëviznin drejt thellësisë së territorit të Kosovës, të cilën duhej kaluar për t’i arritur edhe kufijtë e Serbisë ku mund të gjenin shpëtim.  Derisa errësira shtrihej ngadalë, po ashtu ngadalë edhe intensiteti i luftimeve binte. Eprorët urdhëruan që të përgatiteshin strehimoret për kalimin e natës dhe vendet e rojave, e pastaj t’i ndërronin edhe veshmbathjet, meqë ishin të lagur gjer në palcë si nga reshjet, ashtu edhe nga djersët dhe të qëndrojnë në grupe pranë njëri-tjetrit. Pasi i kryen detyrat, ushtarët u ulën rreth prushit që kishte mbetur nga ca zjarre të ndezura më herët. Temperatura në termometër e kishte prekur zeron, kurse prushi, edhe pse kishte filluar ngadalë ta humbte fuqinë, ende lëshonte nga pak ngrohtësi. Ushtarët, të ulur pranë e pranë, pushonin duke e këmbyer ndonjë fjalë me njëri-tjetrin.