Ndërroi jetë LLukman Halili, figurë e spikatur në gazetarinë shqiptare

SONY DSC

Mërgata shqiptare në Zvicër përjetoi sot një lajm tejet të hidhur: kalimin në amshim të gazetarit, publicistit dhe të doktorit të shkencave humane, Llukman Halili, i cili pos që la vulë në publicistikë, me afërsinë e tij krijoi rreth të gjerë miqsh, ndaj ne që e kemi njohur edhe si kolegë do ta ndiejmë gjatë mungesën e tij.

Teksti e fotot: Rexhep Rifati

I lindur në një ambient, ku me shekuj ndihej prania e okupimit, serb por i shkolluar në nivele më të larta universitare, gazetari Llukman Halili, shumë shpejtë, me të dalë me laps e mikrofon para publikut u bë i dashur për publikun e gjerë në pjesën më të madhe të trojeve shqiptare.

LLukmani u lind më 1956 në Tërrnoc të komunës së Bujanocit, ndërsa që shkollimin e lartë e kreu në Universitetin e Zagrebit, në shkencat politike. Ndërsa që shkollimin pasuniversitar do ta vazhdojë deri në vitin 2013, kur edhe fitoi titullin e Doktorit të Shkencave Humane në Universitetin e Zarës, po në Kroaci.

Krahas studimeve ai e vazhdoi punën edhe në gazetari e publicistikë, madje si në mediat e shkruara ashtu edhe në ato audio-vizuale, duke u bërë i njohur para publikut shqiptarë qoftë si gazetar i Radiotelevizionit të Prishtinës, sidomos nga vitet e 80-ta dhe 90-ta në Kosovë, për të vazhduar me të njëjtin vrull edhe në mediat e shkruara me të migruar në diasporë. Gjithashtu shquhet edhe si bashkëpunëtor në mediat e jashtme ashtu edhe në mërgatë:në agjencinë e lajmeve kroate HINA, Radio Zagrebi, apo edhe si asistent profesor në Universitetin e Varshavës në Poloni.

Ndërsa që për disa vite ishte edhe redaktorë i gazetës “Bota sot” në Zvicër si dhe në gazetën e portalin Dialog Plus, ku edhe kisha bashkëpunua me te nga pozita ime prej gazetari, duke pas me LLukin, siç e quanim zakonisht ne kolegët, një bashkëpunim shumë të mirë.

Ajo që ishte pjesa më e mirë për të gjithë ne shokëve e kolegëve me te ishte pjesa e lirë jashtë redaksive, kur çdo ndejë me te ishte kënaqësi dhe relaksim, sepse ai jo vetëm me humorin e tij të lehtë, por edhe horizontin dhe dijen që posedonte, hapte tema me peshë politike, kombëtare, duke pas një vizion të qartë për zgjidhjen e tyre.

Me rastin e vdekjes së kolegut, TV Syri Blue, sot dhe këto të dhëna, që do ta plotësojnë shkrimin tim prej kolegu: “ Dr.sc. Llukamn Halili, i cili jetoi në Zvicër ka botuar edhe një numër të madh të shkrimeve, si dhe është autor i disa librave dhe punimeve shkencore. Ndër librat e tij është edhe libri “Unë, Ramiz Alia dëshmoj për historinë” botuar nga Zëri në vitin 1993 me bashkautor Blerim Shalën, libri “10 vjet për Kombin” me bashkautor Dashnim Hebibi, me të cilin asnjëherë nuk u ndan dhe bashkërisht realizuan dhe udhëhoqën shumë media dhe projekte mediale. Do theksuar se Llukman Halili ishte i pari korrespondent i RTK-së (ish-RTP) jashtë vendit nga Palestina, por edhe gazetari i parë që raportoi për ndryshimet e para në Shqipëri në ditët e para të demokracisë. Ndër intervistat që do mbahen mend ishte edhe një intervistë e tij me Nënën Terezë”, përfundon teksti TV Syri Blue.

Krejt në fund ajo që nuk do ta horroj kurrë ishin periudhat kur kemi punua në redaksi të ndryshme dhe kur pronarët e atyre mediave kishin mospajtime, me Llukin e kolegët tjerë, pavarësisht se me kënd kemi bashkëpunuar si gazetarë, kafen e muhabetin e kemi pas të bashkë. Ndonëse këto momente nuk do të përsëriten, megjithatë kujtimet e mira e mira do të jenë pjesë e pandashme e jetës sonë.

Ndaj edhe me këtë rast edhe në emër të familjes sime, që na ka lidh jo vetëm profesioni, por edhe miqësi familjare, i shprehi ngushim ngushëllimet më të thella familjes Halili, për këtë humbje, përfshi këtu edhe ngushëllimin e redaksisë së portalit tonë “Prointegra.ch”.

( Me këtë rast nga arkivi im përzgjodha disa foto që kam shkrep, e ku LLukman Halili  shihet sesi gjithnjë krijonte atmosferë shoqërie e miqësie)