Nderim gjeniut Moisi, në 140 vjetorin e lindjes!  

Këtë javë, pikërisht me dy prill ishte 140 vjetori i lindjes së aktorit shqiptar të përmasave botërore Aleksandër Mosiut ( 2 Prill 1879- 23 Mars 1935), eshtrat e të cilit prehen në Marcote afër Luganës, ndërsa që emri i tij kujtohet me pietet në katër anët e botës .

Teksti e fotot : Rexhep Rifati

Pikërisht me 2 Prill 2019 u mbushën 140 vjet nga lindja aktorit shqiptar të përmasave botërore, Aleksandër Moisiut, jubile ky që kaloi pa u shënua me ndonjë manifestim rasti. Ndaj edhe kësaj radhe po jap ca foto që kam shkrep tek varri i aktorit në 80 vjetorin e kalimit të tij në pavdekësi. Sepse si duket ma shumë jemi mësua ti regjistrojmë vdekjet se sa lindjet e njerëzve tanë të shquar, që na bëjnë krenar jo vetëm para kombit por edhe botës mbarë ! Kështu ngjet edhe me jubiletë e kryetrimit tonë!

Shkrimtari gjerman, Zweig i jep lamtumirën Mosiut

Në 80 vjetorin e vdekjes hasa edhe në një grup nxënësish e arsimtarësh shqiptarë të shkollës “Scanderbeg të Parmës së Italisë që kishin ardhur me kurora lulesh për ti bërë nderime gjeniut Moisi. Derisa që varri është në një lartësi ku duhet të ngjitesh përmes e 400 e sa shkallësh mbi kaltërinën e liqenit të Luganos, poshtë shtëpia e Mosiut qëndron e mbyllur nën dry , për shkak të një kontesti të pazgjidhur trashëgimie. Dy herë gjatë vizitës që i kam bërë Luganos bashkë me veprimtarin dhe piktorin Sylë Mujaj e kemi gjete atë të mbyllur me një dry të madh!

Përndryshe, do rikujtuar se vdekja e aktorit Aleksandër Moisiu, më 22 Mars 1935 në një spital të Vjenës, siç merret vesh nga shtypi i kohës pat tronditë jo vetëm familjen e miqtë, por të gjithë opinionin dhe publikun artdashës botëror. Ndërkaq, në emër të miqve nga ai, me rastin e varrimit një fjalim mortor e pat mbajtur shkrimtari i shquar gjerman, Stefan  Zweig.

 Teatro e universitete përjetësojnë emrin e Moisiut

Ndaj edhe tash, pas 84 vitesh nga ndarja, Moisiu përherë do të kujtohet si gjeniu ynë i skenës teatrore, duke u nderuar edhe me ndonjë vizitë të rrallë në varrezat Marcotos. E rëndësishme është se ai nuk është harruar plotësisht, ndërkaq që incizimet e interpretimeve të tij edhe më tej ruhen nëpër arkiva e teatro si model i pashembullt interpretimi.

Do theksuar se Aleksandër Moisiu sot e përherë adhurohet dhe respektohet në Shqipëri dhe në trojet etnike e mërgatë si një ndër aktorët më të mëdhenj shqiptarë, edhe pse ai që nga rinia e tij më nuk e vizitoi Shqipërinë. Shkolla e aktrimit në Tiranë, Universiteti i Durrësit, Shkolla e mesme e përgjithshme në Kavajë dhe teatri i Durrësit e mbajnë emrin e tij, ndërsa që në Durrës është edhe një shtëpi- muze ku gjendet materiale të ndryshme dhe shtatore të punuara nga autorë botëror kushtuar këtij aktori që gjithsesi do të duhej të zinte më shumë vend ed he në programet shkollore.

“Dhoma muze Aleksandër Moisiu” në Durrës

Gjatë shtegtimeve të mija trojeve shqiptare në shoqërim me Osman Osmanin dhe Skënder Hajdarin kemi vizituar edhe Dhomën- Muze Aleksandër Moisiu në Durrës. Ndaj edhe në këtë përvjetor të lindjes së aktorit po jap ca foto të shkrepura në këtë objekt mjaft tërheqës për vizitor. Do theksuar se shtëpia me çardak e gjysmës së dytë të shekullit 19-të e cila në vitet e `30-ta të shekullit 20 ishte seli e Konsullatës angleze, pas restaurimit dy dhoma me emërtimin “Dhoma muze Aleksandër Moisiu” i janë kushtuar aktorit tonë me famë botërore, Aleksandër Moisiut , pasi ai në këtë qytet kreu shkollën fillore dhe për këtë në vitin 1928 shkroi kujtimet e tij në formë skice me titull “Ëndërr fëmijërie”. Këto pak të dhëna figurojnë edhe në një tabelë varur ne hyrje. Ndërsa që vizituam edhe Teatrin e Durrësit që mban emrin e këtij aktori të madh shqiptar.