Nderi i humbur i Edi Heinrich Blumit 

Ismail Kadare si një ndër romanet më mbresëlënës e dallon atë „Nderi i humbur i Katharina Blumit“ të Heinrich Böll. Ky, duket, ka dalë në prononcimet e tij të viteve të fundit përkrah Shekspirit, Servantesit, Gogolit dhe Dostojevskit. Skeptikët mund të hamendësojnë ndonjë arsye tjetër të Kadaresë pas kësaj konsiderate, por pavarësisht se Böll nuk është patjetër shkrimtar i shijes së këtyre të tjerëve, romani në fjalë lë gjithsesi mbresa.

* * *

Vepra ka një nëntitull: „Si mund të lindë dhuna dhe ku mund të shpiejë ajo“. Romani e rrëfen taksiratin e një gruaje të re me një vullnet të hekurt, shpërfillëse ndaj vardisjeve të burrave që e rrethojnë, e cila lidhet me një të kërkuar nga policia dhe e mbron atë. Nga viktima e një mediatizimi mizor, ajo bëhet vrasësja e një gazetari. Medja, të cilën autori e quan GAZETA, e gjurmon atë ku është e ku s’është, shkruan për të çka është thënë e çka s’është thënë. Ashtu si i vie për mbarë asaj për më shumë bujë… Ndonëse, i dashuri s’del të jetë autori i veprave për të cilat akuzohet.

Rrëfimit i prin para një shënim: „Personat dhe ngjarja e këtij tregimi janë gjetje të lira. Poqese në rrëfimin e disa praktikave gazetareske kanë dalë ngjashmëri me praktikat e gazetës ‚Bild’, atëherë këto ngjashmëri nuk janë as të qëllimshme as të rastësishme, por të pashmangshme“.

Romani është botuar më 1974 dhe deri më 2017 është shitur 2,4 milionë herë. Ai e trazoi opinionin publik gjerman. Nga disa qarqe konsiderohej si një vepër që e ligjëron dhunën. Proverbiale u bë lajthitja e presidentit të atëbotshëm gjerman Karl Carstens nga partia e Kancelares së sotme, i cili ishte shprehur se Böll ka shkruar një roman me pseudonimin Katharina Blum…! Në fakt protagonistja grua e romanit e përfaqëson disi autorin dhe GAZETA atë „Bild“.

Böll ishte një shkrimtar i angazhuar, intelektual i proveniencës së majtë. Ai kishte afirmuar mendimin se raportimi senzacional për terrorizmin e majtë në Gjermani e ashpërson më shumë konfliktin. Sidomos pas një prononcimi të Böllit për „Spiegel“ lidhur me një çështje të tillë, atij i del nami i simpatizantit të terrorizmit të majtë. Shumë e zellshme në këtë fushatë tregohet gazeta „Bild“. Dhe Heinrich Böll i përvishet medies dhe opinionit të saj me romanin „Nderi i humbur i Katharina Blumit apo: Si mund të lindë dhuna dhe ku mund të shpiejë ajo“.

* * *

Nga fillimi i krizës së fundit politike në Shqipëri, mediet botërore po raportojnë bujshëm për ngjarjet atje. Sidomos mediet gjermane i janë qepur Qeverisë shqiptare dhe Kryetarit të saj si asnjë tjetër. Ka spikatur veçmas kanali i dytë publik i televizionit gjerman ZDF. Këto ditë i ka dhënë karar gazeta gjermane „Bild“. „Bild“! Ajo në një reportazh të saj numëron ca hata për Qeverinë dhe në mënyrë eksplicite përfundon se vendi është në dorë të një grupi gangsterësh!

Raporti i gazetës gjermane i ka nxehur gjakrat në Shqipëri. Ithtarë të opozitës e tundin reportazhin si fjalën e fundit në këtë debat. Duke i dhënë akoma më shumë peshë me stilizimet se flitet për „magazinin“ më të madh gjerman, të cilin kancelarja Merkel e paska të parën në tavolinën e punës në mëngjes… Pushteti, që nuk e ka luksin për këtë, e ka humbur toruan. Ai i refuzon pohimet e gazetës dhe paralajmëroi padi kundër gazetës gjermane.

* * *

„Bild“ vërtet është gazeta më e madhe ditore në Gjermani. Ajo bën pjesë në spektrin e medieve bulevardeske dhe nuk e ka namin profesional të liberales „Die Zeit“, asaj „Frankfurter Allgemeine Zeitung“, apo të „Der Spiegel“, e cila është realisht një magazin, që del një herë në javë dhe njihet për peshën e fjalës që ka në opinionin publik gjerman dhe historinë që ka shkruar.

Shqiptarëve mund t’u kujtohet rasti i gazetares gjermane të „Spiegel“ Renate Flottau, të cilën bombardimiet e NATO-s e zunë në shtëpinë e Ibrahim Rugovës. Por magazini „Spiegel“ ka një rekord tjetër: Ajo e ka diskualifikuar nga politika e lartë njërin ndër politikanët më të shkëlqyer gjermanë: Franz Josef Strauss. (Ky njihet në opinionin shqiptar për vizitën „private“ në fillim të viteve ’80-të në Shqipëri, që përflitet si „shansi i humbur gjerman“.)

Një artikull kritik me të dhëna të ndjeshme mbi konceptin e „goditjes së parë atomare“ dhe politikën e armatimit të ministrit të Mbrojtjes F. J. Strauss e mobilizon Ministrinë dhe Prokurorinë gjermane më 1962 për një bastisje dhe mbyllje të magazinit. Akuza: Tradhëti kombëtare! Rebelimi i disa ministrave liberalë, që nuk ishin përfillur në kabinet, reagimet e opozitës dhe protestat e opinionit publik shpiejnë në fund në dorëheqjen e dy sekretarëve të shtetit dhe ministrit Strauss.

Mediet të bëjnë gjëmën, ato nuk të falin nëse të zënë në faj. Më 2011 opinioni gjerman e zbythi për dy javë një ministër tjetër të Mbrojtjes, Karl-Theodor zu Guttenberg, politikanin më popullor të vendit dhe yllin në ngjitje të kancelares Merkel. Atij i gjetën se tezën e doktoraturës e kishte shpifur në dy të tretat nga burime të padeklaruara. Pas një qëndrese fillestare, aristokrati me perspektivë të ndritur politike u detyrua të tërhiqet edhe nga titulli shkencor edhe nga posti i ministrit.

* * *

Në vorbullën e mbylljes së zyrave të „Spiegel“, arrestimit të disa shefave dhe gazetarëve, redaksia e magazinit u strehua nga gazeta të tjera, nga ku vazhdonte punën. Ndër këto medie ku u sistemuan ishte edhe botuesi i gazetës „Bild“.

Më 2011 „Spiegel“ ra në gjurmë të një deklarate të shpërputhur të presidentit gjerman Christian Wulff të një viti më parë përkitazi me lidhje të dyshimta me ca beiznese. Këto lidhje sugjeronin disa favore nga të cilat presidenti aktual kishte përfituar me rastin e blerjes së një shtëpie private. Menjëherë në këtë rast u përfshi edhe gazeta „Bild“, e cila hulumton dhe i kërkon presidentit të prononcohet lidhur me financimin e shtëpisë, nga ku kishin dalë ca kundërthënie.

Pak para publikimit nga „Bild“ të gjetjeve në rastin e presidentit, alamet presidenti e merr në telefon redaksinë e „Bild“ dhe e kërcënon me padi në rast të botimit të artikullit të saj. Nga këtu ndërron paradigma e skandalit. Nga këtu fillon një debat lidhur me gjestin e presidentit, i cili interpretohet si ndërhyrje në lirinë e shprehjes. Me sa di, kontesti juridik ka vazhduar dhe ish presidenti ka dalë i larë nga disa akuza që i ngarkoheshin. Po atij i hëngri kyen e shtetit – për tre muaj – telefonata në redaksinë e gazetës. Më pas edhe ai ka botuar një libër ku i lan hesapet me «Bild».

Çfarë mësimi e rimësimi!

Po cili do të jetë epilogu i sherrit të Kryetarit të ministrave shqiptarë dhe gazetës „Bild“? Dhe medieve të tjera të huaja. (Së fundmi ai pretendon se kanosja e „Bild“ me padi ka qenë e paautorizuar! Kurse kritikët e tij pohojnë se „Bild“ do të vazhdojë të raportojë në avazain e saj.) Si do ta kthejë ai çvirgjërimin ndërkombëtar? Nderin e humbur. A ka strehuar ai vërtet ndonjë të kërkuar…? A ka ndonjë skelet në dollap? Ky është një opinion që ai nuk e kontrollon, as nuk e diskualifikon si atë shqiptar. Pavarësisht ndonjë prove, si ndërhyrja e përfolur në statusin e Deutsche Welles shqip në Facebook lidhur me kohëzgjatjen e takimit me Kancelaren.