Ndërgjegje që (nuk) heshtin

239

Bota merret me njerëzit që i kanë dhënë asaj vërtet. Bota merret edhe me shqiptarët. Po shqiptarët? Dy nobelistë të letërsisë dhe një kandidat po aq i fortë.

I.

Kjo javë nisi me një lajm të keq, sidomos për botën letrare: Në moshën 88 vjeçare u shua shkrimtarja amerikane Toni Morrison. Ajo është afroamerikanja e parë e laureuar me Çmimin Nobel për Letërsi. Komiteti i tij më 1993 e ka çmuar atë „si një ndër forcat letrare më të fuqishme dhe më me ndikim të kohës sonë“. Morrison është konsideruar si „Ndërgjegja e Amerikës“. S’mund të ndodhte ndryshe: Ajo në të gjithë veprën e saj e ka denoncuar racizmin në Shtetet e Bashkuara.

Dhe prapë s’mund të ndodhte ndryshe: Ndër të parët pas vdekjes së saj u lajmërua nobelisti dhe ish presidenti me ngjyrë i SHBA-ve, Barack Obama: „Toni Morrison ka qenë një thesar kombëtar dhe si në faqet e librave, ashtu edhe në të vërtetë një rrëfimtare magjepsëse. Tekstet e saj ishin një sfidë e mrekullueshme dhe domethënëse për ndërgjegjen dhe përfytyrimet tona morale…“ Kurse një botues i saj ka shkruar: „Ajo ka qenë një grua e madhërishme dhe një autore e madhërishme, nuk e di se cila nga këto të dyja do të më mungojë më shumë“.

Morrison ka shkruar deri në fundtë jetës. Më 2018 ajo boton përmbledhjen me ese „Mbi racën, racizmin dhe letërsinë“. Suksesi i saj letrar fillon më 1970 me romanin „Syri blu“, një libër që ajo ka dashur ta lexojë gjithmonë, gjersa e shkroi vetë. „Parajsa“ quhet romani, të cilin shumë kritikë e vlerësojnë si veprën e saj më të arrirë. Në arsyetimin e Nobelit më tej thuhet se romanet e saj „i karakterizon forca vizionare dhe prurja poetike e saj e zgjon një aspekt të veçantë të realitetit amerikan“.

Toni Morrison ka lindur më 1931 në një familje të varfër në Lorain të Ohaios. Karrierën akademike e ka filluar si studente e letërsisë në „universitetin zezak“ Howard (Howard, Howard, jo Harvard!) dhe e ka mbaruar si ligjëruese e të shkruarit krijues në universitetin elitar Princeton. Fëmijërinë e saj e ka karakterizuar fryma e përjashtimit racor që mbretëronte në Amerikë. Ajo një kohë ka punuar si amvise në shtëpitë e të badhëve.

Lyra letrare Morrisonit i lindi gjatë punës në një librari. Idhujt e saj ishin James Joyce dhe Leon Tolstoi. Këto ditë homazhi e theksojnë se ajo nuk ishte thjesht një zezake, që ka shruar për zezakët dhe mbi zezakët. Morrison konsiderohet si një hulumtuese e shpirtit të njeriut dhe një humaniste e angazhuar që shkruan për vuatjet njerëzore. Motivet e letërsisë së saj janë universale.

II.

Një ditë pas ndarjes nga jeta të Toni Morrisonit, sidomos opinionin publik shqiptar e ka befasuar një nobeliste tjetër e letërsisë: Elfriede Jelinek nënshkruan një dokument kundër shembjes së godinës të Teatrit Kombëtar në Tiranë. Kjo i ka dhënë karar! Një nobeliste e huaj, me emër e mbiemër, thërret për ruajtjen e shtëpisë së Teatrit Kombëtar në Tiranë!

Jelinek ka lindur më 1946 në Mürzzuschlag të Austrisë. Nëna e saj bibliotekiste, që kujdesej për familjen, u investua fort në talentin e saj muzikor. Shkrimtarja e ardhshme që në shkollë fillore ka marrë mësim për kitarë, flautë, violinë. Në Konservatoriumin e Vjenës ka mësuar për piano e për kompozim. Studimet për histori arti dhe teatër! në Universitetin e Vjenës i ndërpret për shkak të një krize nervore. Krijimtarinë letrare e nis me poezi. Pastaj vijnë një sërë romanesh dhe dramash.

Edhe Jelinek bëhet e njohur më 1970, me romanin e saj „Dashnoret“. Më 1983 spikat me atë „Pianistaja“. Romani i saj më i shitur është „Qejfi“ nga viti 1989. Ajo ka bërë bujë në opinion me dramat e saj „Burgtheater“ (1985), „Sheshpushim“ (1994), „Babiloni“ (2005) etj. Në vitet 2007/08 Jelinek e boton romanin „Smira“ vetëm në faqen e saj të internetit, një material i cili i në letër do të kapte një vëllim prej rreth 900 faqesh.

Më 2004 Elfriede Jelinek është laureuar me Çmimin Nobel për Letërsi „për rrjedhën muzikale të zërave dhe kundërzërave në romane dhe drama, të cilat me një pasion të paparë gjuhësor e zbulojnë absurditetin dhe pushtetin e dhunshëm të klisheve shoqërore“.

Me veprën e saj ajo ka polarizuar në vend dhe jashtë. Më 2015 ministri polak i Kulturës ishte ngritur kundër shfaqjes së dramës së Jelinek „Vdekja dhe vajza“ në Breslau. Arsyeja: Skenat seksuale. Drejtori i teatrit kërkon dorëheqjen e ministrit. Epilogu: drama shfaqet megjithatë, kurse drejtori i teatrit shkarkohet. Largohet nga puna edhe një gazetare e televizionit publik polak për fajin e pyetjeve kritike që i shtron ministrit.

Jelinek ka një sfond politik të majtë dhe është angazhuar për kauza të ndryshme. Bashkë me disa shkrimtarë të tjerë ajo ka avokuar për një letrar të dënuar për vrasje, i cili pas lirimit vret edhe nëntë veta. Letërsia e saj tematizon viktimizimin e romëve, trajtimin e azilkërkuesve në Austri, përpunimin e cekët të së kaluarës naziste të vendit, mohimin e Holokaustit, torturat në burgun Abu Graib në Irak etj. Më 2013 Jelinek ishte ndër 560 shkrimtarët që e bartën fushatën „Stop Waching Us“ kundër përgjimit në internet nga shërbimet sekrete.

III.

Fondacioni Nobel i afirmon vlerat e shprehjes artistike si në gjuhët e popujve të mëdhenj, ashtu edhe në ato të atyre të vegjël. Për këto vlera prej dekadash po konsiderohet për Çmimin Nobel për Letërsi edhe shkrimtari shqiptar Ismail Kadare. Ai ka shkruar letërsi universale në shqip. Por, me poezinë, prozën, esetë dhe intervistat e tij, ai pothuajse nuk ka lënë shfaqje në kulturën dhe historinë shqiptare pa e interpretuar.

Ka ca kohë që sidomos ithtarë të mbrojtjes së godinës së Teatrit Kombëtar i kërkojnë atij të prononcohet për këtë çështje. Në fakt, i kërkojnë të shprehet për ruajtjen dhe restaurimin e godinës aktuale të teatrit, sepse për ta nuk ka asnjë dilemë: prishja e shtëpisë i shërben vetëm biznesit të kullave nga mbrapa. Një publicist madje i drejtohej gati me qortim: Fol Ismail Kadare, për çfarë të mbajmë si Ndërgjegja e Kombit?!

Ishte prekse fjala e artistit Edmond Budina ditën e teatërrrethimit nga policia dhe forcat speciale. Në të ngrysur të asaj dite mediet mund të kapnin vetëm zërin e tij në një megafon, sepse policia nuk linte t’i afroheshin teatrit. Në eterin e muzgut apeli i tij vinte akoma më dramatik: E thërras shkrimtarin e madh Ismail Kadare t’na shikojë njëherë, se na kanë rrethuar me policë në këtë tempull ku kemi luajtur veprat e tij. Si në romanin e tij „Kështjella“. Na e kanë prerë ujin, na i kanë prerë dritat dhe po na tërheqin zvarrë…

Por, Ismail Kadare nuk i dëgjon këta „zezakë“ të shpërfilluar, të përçarë dhe të nëpërkëmbur. Këta „indianë“ të dëshpëruar…

Pavarësisht të gjithave, ai nuk është i detyruar për këtë. Por, tani që për çështjen e shtëpisë së Teatrit në Tiranë ka ngritur zërin shkrimtarja nga Austria, të vjen t’i japësh: Thuaje një fjalë he burrë, se u korite! Thuaj qoftë ta shembin teatrin. Të marrë fund ky kalvar, se artistët e shkeretë po rrinë pa punë dhe pa gjumë, duke qëndruar rojë… Dhe po na ngrin gjaku orë e çast. Ta prishin edhe shtëpinë tënde muze të restauruar rishtaz, sepse tani ka arkitekturë më të bukur dhe materiale më të mira se ato të kohës së turkut. Ta ruajnë shtëpinë e Enver Hoxhës, se ajo e Gjergj Fishtës tani më është rrënuar.