Ndarjen e Dr. Shqiponja Isufit, komuniteti ynë në Zvicër e përjetoi me pikëllim të thellë

Komuniteti shqiptar në Zvicër rrallë ka përjetuar një pikëllim aq të thellë, sa sot për ndarjen nga jeta të Dr. Shqiponja Qamil Isufi, ligjëruese në Universitetin e St. Gallen-it, njërit ndër universitetet më të spikatura në botë në fushën ekonomisë.  

Lajmin e kumtoi familja Isufi, se : “Me pikëllim të thellë njoftojmë familjarët, miqtë dhe qytetarët se nga ne u nda papritmas, në moshë të re, më e dashura dhe më e shtrenjta jonë, Shqiponja Isufi, Dr. e Shkencave Ekonomike,

                                                              E pikëlluar mbarë familja Isufi”

Duke e i shpreh ngushëllimet më të thella familjes Isufi, me këtë rast shkëputa tekstin autentik nga libri im për shqiptarët në Zvicër, me të mbrojtur doktoratës nga  ana e Shqiponjës:

Shqiponja Isufi me prejardhje nga Gjilani e lindur më 29 Janar 1981. Ajo, në moshën 29-vjeçare, në afat rekord dhe me sukses të shkëlqyeshëm, mbrojti temën e doktoratës, në lëmin e ekonomisë, në Universitetin e Cyrihut. Shqiponja në këtë universitet regjistrohet në vitin 2002 dhe magjistron në vitin 2007, në ekonominë e ndërmarrjeve. Vetëm brenda një viti e gjysmë përgatit dhe mbron tezën e doktoratës: “Analiza e ndërtimit të ndërmarrjeve të vogla nga këndvështrimi i auditorëve”, në Universitetin e Cyrihut.

Shqiponja, në momentin kur e zhvilluam bisedën, pas mbrojtjes së doktoratës, punonte asistente shkencore në Universitetin e St. Gallenit, ndërsa një pjesë të orarit të punës e mban edhe si hulumtuese shkencore në Universitetin e Cyrihut. Ajo që e shquan këtë eksperte të re shqiptare është pasioni për dije e shkencë, por mbi të gjitha afërsia njerëzore, veti kjo e kultivuar kaherë në familjen Isufi.

Nga takimet e mëvonshme me studentët shqiptarë në Fakultetin Ekonomik në ST. Gallen ku ligjëronte Shqiponja, kam mësuar se ajo ka qenë një dorë e djathte për ta. Ndaj edhe sot, brezi i saj universitarë, por edhe studentët e saj këtë lajm e pranuan me shumë dhembje e pikëllim, si një humbje të pa kompensueshme jo vetëm për familjen,  por edhe komunitetin tonë në shtetin helvetik.

( Me këtë rast: dy foto me Shqiponjën në Universitetin e Cyrihut më 23 Dhjetor 2010 dhe dy nga akti i mbrojtjes së doktoraturës, me prezencë të prindërve të saj që bën shumë për te, por që edhe ajo i bëri ata përherë krenar, si dhe një foto me studentet e brezit të saj)