Ndahet nga jeta mikesha e madhe e shqiptarëve, Erica Bauhofer- Schader

Zonja Erica bashkë me burrin e saj albanologun e mirënjohur zviceran, Profesor Dr. Dr. Basil Schader i kontribuuan me të madhe mësimit plotësues shqip dhe arsimit tonë në trojet etnike, por edhe mbledhjes së donacioneve për ngritjen dhe meremetimin e objekteve shkollore në Shqipëri

Nga Rexhep Rifati

Derisa gjendemi për pushime në Kosovë nga Zvicra më erdhi një lajm i hidhur nga Zvicra. Përmes e-mailit nga Profesor Dr. Dr. Basil Schader, ne miqve të tij na dërgoi këtë njoftim në gjuhën shqipe, si njohës i shkëlqyeshëm i gjuhës sonë:

“Kam detyrimin tepër të hidhur t’ju lajmëroj që bashkëshortja, nusja, më e dashura ime ERICA BAUHOFER SCHADER ka ndërruar jetë pardje në orën gjashtë. Me durim, optimizëm  dhe forcë mbinjerëzore ajo ka luftuar shtatë vite kundër kancerit të mallkuar, por në fund të fundit sëmundja ka qenë më e fortë.

Ju bashkëngjis një fotografi të Ericës nga kohërat më të mira, një fotografi nga spitali ku ajo thotë lamtumirë të gjithëve, si dhe njoftimin vdekjeje gjermanisht.

Pushofsh në paqe, e dashura ime Erica, dritë bëftë shpirti yt. Lamtumirë, nusja ime aq e dashur, dhe faleminderit për të gjitha që m’i ke dhënë!

Ju përshëndes me përzemërsi dhe trishtim të madh, Basili”

Me rastin e kësaj ndarje nga zonja Erica, mësuesja veterane, Nexhmije Mehmetaj ka shkruar një nekrolog për punën dhe përkushtimin që ka pas çifti Schader për shkollën shqipe dhe shqiptarët në përgjithësi, ku ndër të tjera shkruan:

“Erica Bauhofer- Schader, e njohur për kontributin e madh ndaj arsimit shqiptar, lindi më 7 janar 1950 në Weinfelden / TG. Dje më 10 gusht 2022 u nda nga jeta në Hagenbuch / ZH. Ndarja e parakohshme është një humbje e madhe për botën zvicerane sepse ajo tregoi gjithmonë cilësitë më të mira të gruas zvicerane dhe për botën shqiptare kishte një përkushtim humanitar si rrallë ndokush tjetër ndaj arsimit shqiptar. Shquhet si mësimdhënëse e shquar e gjermanishtes dhe frëngjishtes.

Krahas veprimtarisë si pedagoge ajo do të jetë shumë aktive me projektet humanitare të herëpashershme për të dhënë standarde të reja shkollave në Shqipëri. Duke qenë bashkëshortja e Prof. Dr Basil Schader shumë shpejt u afirmua në hapësirat shqiptare si në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoninë V. dhe gjithçka që mësoi gjatë vizitave për problemet arsimit shqiptar, më pas këto njohuri i përdori për të ndihmuar në përmirësimin e kushteve të shkollave në kuadër të projekteve që drejtonte. Ajo i përkrahi pa kursim kulturën shqiptare sepse i donte shumë shqiptarët».

Me këtë rast në vija të shkurta po e jap një shkrim timin po në portalin tonë, botuar në shkurtin e vitit e vitit 2015, ku ndër të tjera figuron se:

Albanologu dhe miku i shqiptarëve, Profesor Dr.Dr. Basil Schader me bashkëshorten Erica Bauhofer Sachder, prej vitesh po kontribuojnë në rindërtimin, sanimin dhe pajisjen e objekteve shkollore në Shqipëri. Në fillim të këtij viti, çifti Schader u angazhua edhe në një projekt tjetër, për renovimin e një shkolle në rrethin e Lezhës. Ndej edhe me një shkresë, profesor Schader i qe drejtuar mjeteve të informimit, ku shpjegonte sesi: «Shkolla Nëntëvjeçare në komunën e Torovicës (ku ne tashmë e kemi ndërtuar shkollën 4 vjeçare) është në një gjendje të mjerueshme. Ndaj edhe ne dëshirojmë të japim kontributin tonë që kjo shkollë të rinovohet në mënyrë solide, ashtu që rreth 100 nxënës dhe fatosa të mund të ndjekin shkollimin në kushte të denja. Për fat të mirë, pas shtatë muajsh, me fillimin e vitit të ri shkollor, ky objektiv humanitar, i qiftit Schader u realizua me sukses. Më konkretisht, për këto projekte vetë miku ynë çmueshëm, profesor Basil Shader, përmes një e-maili përmes tjerash na shkruan, se si:

Në muajin shkurt 2015, së bashku me të shoqen, Erica, kishin nisur përmes nyjës në internet 100-days-net aksionin e ndihmave për rinovimin e ndërtesës së shkollës në Torovicë të rrethit të Lezhës, në Shqipërinë e veriut dhe se tash falë mjeteve të mbledhura nga njerëz vullnetmirë, zviceranë dhe shqiptarë, shkolla e cila ishte në një gjendje të mjerë ka marrë një pamje krejtësisht ndryshe.
Më tej mësojmë, se bartës i këtij aksioni ishte Profesor Schader, i cili në pika të shkurtra, tash bën një rekapitullim të rrjedhës së punës, duke falënderuar ata që kanë dhuruar dhe të tjerët që kanë kryer punimet në aftësimin e shkollës për të punuar në kushte normale…”

Krejt në fund dua që në emër tëm me familje por të Redaksisë sonë ti shprehim ngushëllimet tona më të thella profesor Basilit, aq më parë që ishte edhe një bashkëshort i shkëlqyeshëm i cili deri në minutat e fundit nuk iu nda Erices, duke treguar kujdes të jashtëzakonshëm, çka dëshmon edhe vet fakti se ajo për shtat vite e sfidoi sëmundjes së rëndë, falë kujdesit të mjekëve dhe burrit të saj.

(Shkrimit ia bashkëngjita edhe disa foto nga arkivi im, ku Erica bashkë me Basilin ndiejnë gëzimin si me rastin inaugurimit të shkollave në Shqipëri apo kur gjenden në mesin e studentëve shqiptarë në Cyrih. A sa do të na mungoi kjo buzëqeshje e mikes sonë ERICA! )