Ndahet nga jeta ikona e skenës tonë teatrore, Leze Qena

135

Mëngjesin e sotëm morëm një lajmë të hidhur nga Kosova, se u nda fizikisht nga kjo botë njëra ndër aktoret më të shquara të kombit tonë, që për rreth 7 dekada ishte pjesë e veçantë e skenës sonë teatrore, përmes roleve të shumta, e sidomos të atyre që përmes humorit mbillnin harmoni, hare e lumturi.

Teksti:R. Rifati & Fotot: Sh. Rexha

Ndaj edhe tash kur nuk do të jesh më në mesin tonë, e dashura Leze, ti do të jesh përherë në kujtesën tonë me rolet tua të mëdha e të vogla, sepse ti me trup ish e vogël, por me shpirt e zemër të madhe.

Një takim në Ditëne Gruas më në Gjakovë, me 8 Mars 2017, ku pos Leze Qenës ishin edhe dy aktoret e mëdha shqiptare, Tinka Kurti e Margatita Xhepa, do të mbetet përherë i freskët në kujtesën time. Edhe në këtë takim u dëshmua se një aktore me trup të vogël por me shpirt e zemër të madhe përherë gëzonte respektin, jo vetëm te publiku i zakonshëm, por edhe tek aktoret e famshme shqiptare. Ishte ky një takim shumë mbresëlënës falë organizimit të Degës në Gjakovë të Fondacionit “Nermin Vlora Falaschi”, nga drejtoresha e degës znj. Migena Arllati.

Ndaj edhe lajmi i sotëm për shuarjen e ikonës së aktrimit kosovar, Leze Qena, në moshën 85 vjeçare, mëngjesin e sotëm u prit me dhembje e pikëllim edhe në mesin e mërgimtarëve të shumtë.

Me këtë rast po jap edhe disa rreshta nga shkrimet e mediave që na mbërrin nga Kosova, ku përmendet se: Leze Qena, ikona e teatrit dhe televizionit, ka një jetë në skenë dhe historinë e suksesit të saj e njohin thuajse të gjithë. Aktorja që e cila të mërkurën ndërroi jetë, muajt e fundit nuk ka qenë mirë shëndetërisht, për çka edhe është distancuar nga angazhimet artistike. Leze Qena ka qenë e martuar me aktorin famshëm, tani të ndjerë Xhevat Qena. Mes dyshes ka pasur aq sa dashuri, aq edhe përkushtim ndaj aktrimit e humorit. Karriera e tyre artistike ka qenë gjithmonë e pandashme. Të dytë kanë qenë të pandashëm, derisa vdekja i mori.

Xhevat Qena dhe Leze Qena janë ndër ato personazhe që nuk harrohet dot, për aktrimin e tyre, humorin, rolet e tyre në art, jetën që i dhanë karaktereve dhe pavdekësinë e lavdishme që ia siguruan vetvetes duke hyrë në historinë e artit dhe kulturë shqiptare. Rolet e tyre, të shpeshta edhe bashkë, kanë sjellë freski tek shikuesi.

Ja disa rreshta për jetën e aktores Leze Qena: Aktorja Leze Qena ka lindur në Prizren, me 1 Mars 1935. Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në vendlindje, për të vazhduar më pas në Prishtinë. Aktorja e mirënjohur Leze Qena, deri para pak muajsh ka qenë aktive profesionalisht, si pjesë e disa projekteve.

(Në këtë shkrim janë fotot që ka shkrep fotografi i mirënjohur gjakovar, Shkëlzen Rexha, ndërsa foton e Lezes me Rifat Jasharin e Rexhep Çelikut e kam shkrep në Prishtinë, në 50 vjetorin e Ansamblit Kombëtar të “Shotes”)