Naim Frashëri në Librin dhe Shtypin Botëror

Përgatitur nga Mehmet Gëzhilli, Botoi Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Tiranë 2021

Ndër tre libra që zonjusha që shërben në Bibliotekën e Akademisë së Shkencave më propozoi për t’i lexuar më tërhoqi ky, një vëllim mbi 500 faqe që rrok një anë të panjohur të poetit tonë kombëtar, shkruan Bardhyl Selimi i cili edhe na e dërgoi këtë shkrim për portalin tonë: prointegra.ch 

Konspektoi Bardhyl Selim

Po e nis me përmbledhjen e disa shkrimeve në të.

Faqe 75

Norbert Jokl

Naim Frashëri dhe pasunimi i gjuhës shqipe

Histora e gjuhëvet të kulturueme na meson, prej shumë shembullash, që gjinden perioda, ku pasunimi i fjalorit asht i nevojshëm…

Leibniz-i ka trillue shumë sende për pasunimin e gjuhës gjermane në mbarim të shekullit 17 dhe fillim të shekullit 18. Asht e mundëshme që Naim bej Frashëri e ka ditur këtë sepse e përmend Leibniz-in në Istori e Shqipërisë (f.36) në atë vend ku bën fjalë për formimin e fjalëve shqipe. (sigurisht në përkthimin e veprës së Leibnizit në frëngjisht).

Parimet e Leibnizit ishin :

kërkimi dhe përhapja e fjalve të qenme, të mira, po pak të përdorshme e pak të pëlqyeshme,

ringjallja e fjalëve të vjetra por të mbetuna në harrim (përkujdesja e gojës së popullit),

tretja e fjalëve të huaja, deri sa e meritojnë,

formimi i fjalëve të reja sipas rregullave të analogjisë, nga një anë të përngjituna dhe nga ana tjetër të prejardhura.

.. Më konkretisht:

  • Fjalë të bame me sufiksa

Sufiksi f-

Veti- nga përemri refleksiv vet

Formimi i mnave prej shumorit

Bukuri, bukurë; njerëzi, njerëzit, njerëz, burrëri, kafshëri, qytetëri, kusarësi

Geg-ni, tosk-toskëri; zotni, zotëri, trimni, trimëri, burrni, burrëri,

Sufiksi ësi

Prapësi, papunësi, fatbardhësi, mbrothësi. Poshtësi, gjallësi

Tipi i formimit është krejt popullor. Psh parësi, malësi

Sufiksi-irë

Hapësirë, errësinë, errësirë, qelbësinë (te Frang Bardhi), lagësinë

Sufiksi-tar

Dëshmimëtar, dëshmim, mëmëdhetar nga mëmëdhe, besëtar, kordhëtar, këshillëtar, leshatar, fjalëtar, ndimëtar, ndjekëtar, banjëtar. udhëtar, shtekëtar

Sufiksi-ar

Dritare sipas fjalës dritësore; detar nga det; shtëpiar- ata të shtëpisë

Sufiksi-arak

Sisarak nga sisë, vezarak nga vezë, ecarak nga ec, flutarak

Sufiksi –tuar, tor

Vjershëtor, jetuar; kangëtuar..

Sufiksi -ore

Fletore nga fletë;  bregore nga breg, vendore nga vend, trimshor nga trim

Falëtore, këndonjëtore, mësonjëtore, hietore

Sufiksi-ës

Udhë-rrëfenjës, shkronjës, fuqi dëbonjëse, yll-mesës, rrotullohës për planet, rrëmbenjës, venëshitës, mësonjës, shëronjës, ndjenjës, mirë-bënjës, shitë-blerës

Sufiksi-je

Rrokje nga rrok; pavdekje, paditje

Sufiksi-im

Pëshim, dëgjim, paqësim, idhnim

Sufiksi-m

Të pasmit nga pas, pafajim- pa faj, pastajm

Sufiksi-nik

Zvarranik nga zvarrë, këmbanik nga këmbë, drithnik nga drithë, uthullnik nga uthull, besnik nga besë

Nga shkronjë dalin dheshkronjë, shkronjëzë

Sufiksi-oj

Qytëroj, poshtëroj, fatbardhësoj prej fatbardhësi, shumësoj, kundër-gjykoj, kundrë-gjykës

Emra të bashkëngjitun

Mëmëdhe, brisk rruës, krye-prift, profet-rrenës

Vetëdijë, gurëçmonjës, zëdhënës, bishtatundës

Paqenë,, pavdekë, mosqënie, papunësi, paditje, smundje, i pa durueshim

Mëkëmbës, i përditshëm

  • Ringjallja e fjalëve të vjetra

Mëshirëshumë, lakëmim-shumë, fuqi-shumë, ditë-bardhë, fat-zi, shtat-gjatë, tetë-kambës

Shërbesë, shërbëtuar, gjykatës, luftëtar

f.91

Naim Frashëri

(Vjershë)

Perëndi e madhe dhe e vërtetë!

Dhe të gjitha të mirat e tua!

Mos na lër keq dhe vetëm,

Në mallkim dhe në erërsirë,

 

Por dhuroji Shqipërisë

Lumturi dhe liri.

Gëzim në vend të pikëllimit

Dhe gjithë mirësinë

 

Jepi shqiptarit dritë,

Ti Perëndi e vërtetë!

Që ai të shohë,

Që ai të kuptojë mirësinë,

Që ai të njohë të vërtetën,

 

Dhuroji atij unitet dhe bashkim,

Trimëri dhe mënçuri,

Madhështi dhe shërim,

Besim dhe vëllazëri,

 

Që ai të çlirohet nga prangat,

Të jetojë me nder në botë,

Që ai të urdhërojë vetë

Si zot sundues.

 

f.142

Klaus Lange

Gjermani

Përshkrimi i të shkuarës së Shqipërisë bëhet nga Naimi për të krijuar atë vetëdije, mbi bazën e të cilës një utopi kombëtare mund të ketë vetëm qendrueshmëri.

Për këtë qëllim, në vargjet vijuese Naimi përpiqet të tregojë rëndësinë historike të Shqipërisë në të shkuarën:

Pirroja trim e të tjerë

Burra shumë të lëvduar

Që kanë qenë një herë

Edhe sot s’janë harruar

 

Qenë gjithë shqipetarë

Ishin djemt’ e Shqipëris

Nuk ishin greq e bullgarë

Po nga vend i Perëndisë

 

Pirroja mundi romanët

Armikët e njerëzisë

Aleksandër i Madh persianët

Egërsirat e Azisë

 

Kë të zësh ngoje më parë

Nga burratë e vërtetë

Që ishin të gjithë shqipetarë

E s’u erdh shokë në jetë

 

Gjithë botën e pushtuan

Afrik’ Europ’ Azi zunë

Lëftuan e mbretëruan

Nën urdhër gjithë i vunë

 

Edhe kur erdhë romanët

S’u shkel fare Shqipëriaj

As nga shqehi e venetianët

S’ e zu kurrë dobëtia

 

Shqiptari në kurt s’hyri

S’e shpërdoroi Shqipërinë

Kurrë nuk iu tremb syri

E nuk e humbi fuqinë

 

Rrinte me kordhë në dorë

Shkrefëtinte si dragua

Nëpër male me dëborë

E kurrë s’u qetësua

 

Armikët u dobësuan

Shqipëria ngriti krye

Errësirat u mërguan

Drit’ e Zotit u rrëfye.

  1. 371

Figura pedagogjike e Naim Frashërit

Naim Frashëri është poet lirik, ka thurrur vargje epike, por ai ka hartuar edhe vjersha e proza me karakter moral, didaktik, kulturor, shkencor. Naimi nuk ka kënduar vetëm si bilbil për të na e gëzuar zemrën. “Fyelli”, madje, na jep dijeni:

Pa dëgjoje Fyellin ç’thotë,

Tregon mërgimet e shkretë

Qahet nga e zeza botë

Me fjalëza të vërtetë!…

Prandaj s’ka poezi që të mos na japë dituri, edhe poemat, edhe prozat, na ndriçojnë trutë. Vjersha dhe proza letrare nuk kanë synime, por janë mjete për të realizuar idealet njerëzore.

Naim Frashëri që njihet si poet patriot përgjithjësisht është trajtuar vetëm në letërsi. Mirëpo ai nga pikëpamja mendore është një nga pedagogët e shquar të Rilindjes Shqiptare. Një pjesë e madhe e veprave të tij u takon problemeve shkollore, mësimeve arsimore dhe temave social- morale kombëtare. Edhe poemat e tij lirike synojnë edukimin atdhetar.

Naimi botonte vepra letrare dhe pedagogjike si:

Vjersha për mësonjëtorete e para (për shkollat fillore)

Dituritë për mësonjëtaret e para

Histori e përgjithshme për mësonjetoret e para

Histori e Shqipërisë në prozë

Katër stinët prozë

Bagëti e Bujqësia, vjershë lirike

Dëshirë e vërtetë e shqiptarëve

Vlen të theksohet që të gjitha veprat e Naimit kanë cilësi mësimore, didaktike, pedagogjike dhe kanë kryer një shërbim për nxënësit dhe për popullin që s’ka patur shkollim sistemor.

Naim Frashëri është një pedagog demokrat dhe intelektual përparimtar, laik, humanitar dhe atdhetar i shquar. Jo vetëm me botime, por edhe si nëpunës shteti, ai i ka shërbyer kauzës kombëtare shqiptare.

Kur Naimi punonte në Ministrinë e Arsimit bëri të mundur të lejoheshin librat, revistat dhe shkollat shqipe. Ai është ndër të parët që pajisi me libra mësimi dhe shkollën e parë shqipe, të përuruar me 7 mars 1887 në Korçë dhe për shkollën e parë shqipe për vajza, hapur në po atë qytet më 1892.

Gjysmën e jetës ai e kaloi në mërgim dhe u tret si qiriu i ndezur. Ja si këndon:

Në mes tuaj kam qendruar

E jam duke u përvëluar

Që t’u jap pakëz dritë

Natën t’ua bëj ditë!

 

Do të tretem, do kullohem,

do digjem, do përvëlohem

Që t’u ndrij mirë të shihni

Njëri-tjetrin të njihni!

(Marrë nga FLAKA, Shkup, 10 janar 2002, f. 10)

Kopertina prapa

Zonjë-madhja Shqipëri

Kushtuar Naim Frashërit

(Fragment)

……

Naim, vëllai im poet, miku im plot dert

Fjalët e tua, si një gaz plot mister dashurie,

Shpërthejnë dhe motet kujtojnë në histori,

Shijojnë shiun e ngrohtë të mirësisë pa dert,

Që pikëlojnë mbi buzët e mia dhe më grishin,

Në ëndrrën e lirisë dhe dashurisë shqipërore!

 

Të përjetshëm janë poetët që popujt e tjerë i duan!

Si popullin e vet…

 

Furtunat banojë të kreshpura në histori luftërash,

Krahëve të tu delikatë i shtojnë dhimbjen

Shkatërrojnë bashkë të gjithë gurët e urrejtjes,

Dhe puqen në dashuri mes nesh e mbjellim

Në buzët tona plot etje ka vargje dhe dhembje!

Të marrët zgurdullojnë sytë dhe ulërasin mes nesh.

E bardha Shqipëri me poetin Naim në gji,

Dy shkëlqime në një shpirt unik, pa ndarje

Dy rrahje në një zemër të vetme! Plot mirësi!

 

Paris, 19 shtator 2011

Athanase Vatnchev de Thracy

Poet akademik francez

 

F66

Giuseppe Polillo

Itali

Letërsia shqiptare – Poezia kombëtare

“Parajsa”

Ndërgjegjia kombëtare e një populli, ajo ndjenjë e fortë dhe e sigurt që duket se i lidh njerëzit, sikundër bën raca, zakonet apo idealet e përbashkëta- ka gjithësesi një anë të prekshme që bashkon fizikisht zemrën tonë dhe trupat tanë, si një ëndërr e përkundur gjatë apo një pasion që nuk shuhet, që në asnjë formë arti, të lindur e të mësuar nuk mund të pasqyrohet më qartë se sa në këngët e shenjta të poetëve. Dhe kur një poet ngërthen në shpirtin e tij frymën e të gjithë shpirtrave sivëllezër, ai është i denjë të ngrejë në piedestalin qiellor ku adhuron hyjnitë e tij më të epërme.

Padyshim, shpirtra të tillë nuk i kanë munguar Shqipërisë, letërsia e së cilës është e larmishme dhe e pasur. Kanë lulëzuar në të artistë të soditjes e të mendimit, të kujtesës dhetë aspiratës, ndonjëri prej të cilëve i kujton lexuesit modern njëkohësisht Homerin- për nga madhështia sintetike e gjetjeve dhe shtrirja e gjerë e tematikës-por edhe simbolistët francezë, për nga origjinaliteti gati i çuditshëm i linjave dhe formave të rralla.

Por të gjithë kanë si tipare dalluese kryesore të këngëve të tyre një krenari të shëndetshme dhe të egër, jo të qenies së tyre individuale, por kombëtare. Madje, për ndonjërin prej tyre, Shqipëria- mëma e përbashkët dhe e lashtë- nuk e ka humbur kurrë pavarësinë dhe lirinë, si për shembull, për Naim bej Frashërin, autorin e madh të këtij himni solemn me titullin “Parajsa, të cilin Lorecchio e ka analizuar me sytë e realitetit italian. Duke ruajtur thjeshtësinë e ngjizjes, ashtu siç ishte krijuar dhe urdhëruar që më parë Adami, ashtu është edhe tani dhe ashtu do të jetë përjetësisht.

Krenaria e pamatë dhe vlerat që ai dhe vëllezërit e tij mbartin, nuk e lejojnë këtë njeri të fortë t’u thotë të tjerëve a do t’i pranojë vetes se atdheu i tij është i copëtuar. Mua, duke mos qenë shqiptar, kjo valë dashurie më ka mallëngjyer së tepërmi, e ashtu si unë, do të prekte zemrat e atyre që, pasi kanë humbur dashurinë, u kërkohet të besojnë se kjo dashuri është ende gjallë.

 

Ai thotë:

“S’jemi as turq, as kaurë, mos e thoni këtë kurrë, s’jemi grekër, as bullgarë, jemi vetëm shqipetarë. Kemi gjuhën tënë, Zot i math na e ka dhënë, dhe komp e mëmëdhe kemi, të humbur në jetë s’jemi”

Pushtuesi nuk mund të shkelte në tokën e tij, sepse fati nuk e lejonte, pasi të gjithë ata kanë një shpresë, një gjuhë, një besë. Oh e shkuar e lume! Të gjithë popujt iu nënshtruan të huajve, përveç Shqipërisë; të gjithë heronjtë luftëtarë më të shquar lindën në Shqipëri: Skënderbeu, zot i së vërtetës, me kordhë të mprehtë e të lehtë si një pendë…Skënderbeu, nga armët e të cilit kullon sot trimëria, vlen më shumë se gjithë njerëzit bashkë. Por jo vetëm: na ishte një kohë kur Shqipëria lindi edhe Perënditë:

“I pat pjellë Shqipëria, pa u falej njerëzia”

Por në një himn që celebron virtutin e prejardhjen, përkrah rëndësisë dhe lëndimit të ndërgjegjes kombëtare të këtij populli, kemi një konceptim etik shumë të lartë të jetës, dhe një ndjenjë të shprehur me një finesë të adhurueshme. Herë-herë shëmbëllen me një koncept të lartë të filozofisë hegeliane dhe lajbniciane, që përmes një intuite të gjallë, kthehet materie artistike, herë-herë është si ajo gjysmëhieja e qetë dhe e paqtë ku shfaqet fragmenti i një jetë intime familiare, që është një imazh aq i ngrohtë, si ato hapat e dashur e të lehtë në një shtëpi që fle prajshëm.

Një koncept sublim i etikës: liria e vërtetë qendron te virtuti dhe e vërteta, dhe njerëzit tanë të shquar, që ishin jehonë e të vërtetës, nuk mund të ktheheshin në skllevër.

Shprehja e një ndjenje intime me shije të hollë:

“Edhe grat’ e Shqipërisë, gjithë me foshnje në sisë, secila ishte mbretërehë dh’e bukur si pëllumbeshë”

Në një varg tjetër:

Edhe vashëzë mes’hollë, i kuqte faqja si mollë; dorën q’e kish pej ergjendi, s’e hiqte nga avlëmendi;  gjithë ç’i duhej në fetë, i bënte të tëra vetë”

Dhe ç’shtysë mirënjohjeje dhe admirimi për mëmën natyrë, të përshkruan kohët e arta të shqiptarëve:

“Dhe në dimër vërritë, që mbanin bagëtitë, ishin plotë manushaqe, dheu kish bukuri mbi faqe. Tek shkonte lum’i uruar, q’ishte si ar i kulluar, kafshëtë dhe bagëtia lëçinin si mizëria”

Pothuajse gjithmonë, cilësimet janë aplikuar me aq mënçuri dhe përshtatshmëri, duke e ndriçuar shprehjen e të gjithë idesë; imazhi ka një bukuri aq poetike dhe një transparencë kaq të kthjellët, saqë duket sikur prej tij, dalin rreze drite:

Shqipetari trim me fletë, rron gjithnjë në jetë; shigjet’e tij vrëngëllinte, vdekjen me vet’e shpinte! Perëndi e bukurisë me shijët të gjithësisë, q’është e bardhë si dëborë, nuk e lij kurrë Tomorë; flinte në shtratthit e artë, shtat’ i bardhë porsi kartë. Leshërat i kish të arta edhe faqezat të zjarrta, ballë, gushë e kraharuar, llërë, pulpë, këmbë, duar; pej drite ishin bërë, sikundër edhe truo’i tërë. Si dëbor’e kishte gjinë, pas sill nër mënt bukurinë! Kur kthehej e të shikonte, zemrënë ta përvëllonte. Zën’e kishin si bilbili, faqetë si trëndafili”

Me sa duket, Frashëri e njeh sekretin dobiprurës të formulës “pak e saktë” edhe në art dhe duket se preferon në përzgjedhjen e epiteteve Homerin, për nga ëmbëlsia, ndërsa tek imazhet anon nga librat biblikë, ku pasuria është më e rrjedhëshme:

“ Drur’i dardhësë me dardhë, ish si zonja sisëbardhë. Nër fushat luleshumë, lumënj vrapmëdhenj pa gjumë; shkoninë duke kënduar, me kanisk të madh nër duar”

Poeti e mbyll himnin e tij me një përshëndetje:

” Shqipëri të qofsha falë! Të kam mëmë e më ke djalë; në gjit tënd ngrihem e bije, ti ke fuqi perëndie”

Por ndonëse koha rrjedh, vazhdon të dëgjohet ende zhurma e lumenjëve vrapmëdhenj pa gjumë dhe avlëmendat e vashave mes’holla.

(Botuar në Nazione Albanese , 15 mars 1904, f.8-9)

Konspektoi Bardhyl Selimi, 19 shkurt 2023