Në vizitë Shkodrës, kësaj perlë të kulturës shqiptare

Pasi që Shkodra njihet si kryeqendër tradicional i kulturës shqiptare, por edhe si vendlindje e shumë kolosëve të kulturës sonë, në ditën e dytë të vizitës në Shqipëri vizituam muzeun historik, fototekën e Marubit, urën e Mesit dhe kalanë Drishit

Teksti dhe fotot: Rexhep Rifat, Shkodër

Siç dihet Shkodra, është jo vetëm një qytet i lashtë mbi 2500-vjeçar, por është edhe një nga qendrat më të shquara qytetare të Shqipërisë e të Ballkanit. Shkodra po ashtu është e njohur edhe si kryeqen

dër tradicionale e kulturës shqiptare, por edhe si vendlindje e shumë kolosëve të kulturës shqiptare.

Ndaj edhe si fillim të udhëtimit të ekipit tonë, gjegjësisht të portalit prointegra.ch, (në përbërje me Osman Osmanin e Skënder Hajdarin dhe gazetarit të portalit albinfo.ch Blerim Shabani) e përzgjodhëm pikërisht , Veriun e Shqipërisë, gjegjësisht Shkodrën me rrethinë, këtë perle të mirëfilltë të kulturës sonë kombëtare.

Vizitën e filluam me muzeun Marubi të familjes më të njohur të fotografisë shqiptare, pastaj Galerinë e arteve të qytetit dhe muzeun historik. Me këtë rast përmes, pikturës, fotove e artefakteve nga lashtësia, patëm rastin qoftë edhe sipërfaqësisht të mësojmë se si Shkodra ndër shekuj ishte një vatër e vërtetë kulture arti dhe atdhetarie. Personalitetet kulturore e historike që jetuan dhe vepruan në Shkodër e rrethinë, pa pasur mundësi me këtë rast ti përmendim veç e veç kanë luajtur rol fondamental në jetën e shqiptare gjatë shekujve.

Ndërsa që vizituam edhe dy monumente monumentale siç janë Ura e Mesit dhe kalaja e Drishit. Ura e Mesit , 6 kilometra në lindje të Shkodrës, e ndërtuar në shekullin e 18-të, ka një arkitekturë mahnitëse, të papërsëritshme, përbëhet prej 18 harqeve dhe ka një gjatësi prej 108 metrash. Edhe kalaja Drishit është një paraqet një monument të rëndësishëm historik, por që të shkohet deri tek ajo nuk është aspak punë e lehte ngase rruga është ne gjendje të mjerueshme. Darkën e përfunduam në fshatin e At Gjergj Fishtës, ku po ashtu shtëpia ku ka jetuar Homeri shqiptare është në gjendje të rënde dhe deri tek ajo shkohet me një rrugë aspak të përshtatshme. Përndryshe restoranti atraktiv “Mrizi i Zanave”, sikur i ka ofruar turistët shqiptar dhe ata të huaj me vendlindjen e Fishtës, aq më parë që me ushqimet karakteristike të kësaj ane dhe shërbimin e mirë, josh çdo ditë mysafirë të shumtë. Kudo që ekipi ynë ishte në vizitë u mirëprit nga drejtuesit e institucioneve të kulturës, kryesisht galeri arti e muze, apo edhe ekspozita. Ndaj edhe me këtë rast në emër të ekipit i falënderojmë të gjithë, mikpritësit tanë.

Me këtë rast po japim edhe disa karakteristika të vendeve që vizituam nga guida shqiptare:

Shtëpi karakteristike

Në mesin e shekullit XIX në qytetin e Shkodrës fillojnë të ndërtohen banesa me çardak me disa variante (me çardak në të gjithë ballin e me çardak në një krah). Ato janë të thjeshta, dykatëshe, me katin përdhes të pabanuar. Planimetria e të dy kateve është e njëjtë, kati i sipërm ka tre ose katër mjedise banimi (kuzhina, dhoma e fjetjes dhe dhoma e miqve). Me interes të veçantë trajtohet oda e miqve. Në këtë shtëpi, si tek ajo e Luigj Gurakuqit, Oso Kukës, Pashko Vasës etj., janë të punuara me mjeshtëri tavanet, rozetat, oxhaku, trapazani, dollapet, dera e oborrit etj. Një begati të pasur motivesh paraqesin edhe aplikimet e drurit si element dekorativ. Këto shtëpi kanë oborre të rrethuara me mure të larta.

Banesa të tilla, në të gjitha variantet, që ende ruhen në qytetin tonë, janë dëshmi me vlerë, për të njohur natyrën e qytetit dhe shtresat shoqërore që u formuan gjatë shekujve XVIII e XIX.

Muzeu historik

Muzeu është vendosur në një banesë karakteristike, e ndërtuar rreth çerekut të fundit të shekullit XIX, që ruan edhe vlera arkitektonike e historike, pasi është shtëpia e Heroit Popullor, Oso Kuka .
Muzeu është ngritur me koleksionet e Muzeut të Jezuitëve dhe të Françeskanëve (të viteve 1850 dhe 1890), duke u pasuruar vazhdimisht me koleksionet e ndryshme, blerjet e herëpashershme dhe sidomos nga familjet shkodrane, që kanë ruajtur me xhelozi dhe me një vlerësim të posaçëm objekte, dokumente e vepra arti. Kjo pasuri e konsiderueshme numëron rreth 2700 objekte e relike origjinale, 5000 dokumente në më të shumtën origjinale, 40.000 dokumente me vlerë për zhvillimin e arsimit etj. Këtu ruhen dëshmi për të zbuluar e njohur qytetërimin e djeshëm e të sotëm.

Fototeka “Marubi”

Qyteti i Shkodrës është vendlindja e artit fotografik në Shqipëri. Në vitin 1858 këtu u stampua fotografia e parë, e cila lidhet me emrin Marubi. Ajo u zhvillua pothuajse në të njëjtën kohë me fotografinë botërore, duke i dhënë artit shqiptar një koherencë me fytyrën e një qytetërimi modern.
Në vitin 1971, me fondet e pasura të dhuruara nga familjet e fotografëve të traditës Marubi, Pici, Jakova, Rraboshta e Nenshati u krijua arkivi monumental e befasues i fototekës “Marubi”. Në fokusin e tyre është Shkodra, me vlerat historike që mbart. Aty gjënden mijëra portrete, kompozime, peizazhe, reportazhe etj., ku fokusohen njerëz të thjeshtë, politikanë, kryengritës popullorë, piktorë, pjesë të urbanistikës, arkitekturës, monumenteve të kulturës etj.

Galeria e arteve

Një vizitë në Galerinë e Arteve të afron me kulturën e këtij qyteti. Ajo, në fondet e saj, përfshin vepra të autorëve shkodranë dhe të atyre të mirënjohur shqiptarë, që nga periudha e Rilindjes Kombëtare e deri në ditët tona. Që nga viti 1970 galeria ruan, mbron e ekspozon 700 piktura të autorëve të traditës dhe të ditëve tona.

Përmes disa fotove po e japim vizitën tonë në ditën e dytë në veri të Shqipërisë duke ua përcjell miqve tanë një përshëndetje të përzemërt nga ura e Mesit.