Kjo shoqatë humanitare që udhëhiqet nga Milaim Jashari, në saje të kontributeve bamirëse për dhjetë vjet ndërtoi 218 shtëpi nga të cilat gjysma me kontributet e mërgimtarëve, ndërsa që në Kosovë prinë Eli-Abin i Ferizajt me pronar Basri Sopën me gjithsejtë 24 shtëpi, firmë kjo për nga madhësia mbrapa shumë firmave tregtare në Kosovë, por që ua kalon me bamirësie që asnjëherë nuk donë ta bëj publike
Teksti e fotot: Rexhep Rifati
Në dhjetëvjetorin e saj përmes një bilanci të shkëlqyeshëm Shoqata Humanitare “FENIKS”, nga Ferizaj më 23 Dhjetor 2017, shënoi dhjetëvjetorin e themelimit. Me këtë rast përkundër gjendjes shëndetësore në këtë ngjarje që shënonte dhjetë vite veprimtari, mori pjesë edhe Bacë Adem Demaçi, duke dashur të ndaj gëzimin me gjithë ata familjarë që ishin bërë me strehë mbi kokë, apo edhe me ata që kishin ndarë mjete për ndërtimin e këtyre shtëpive.
Gjithsesi ylli i tërë kësaj veprimtarie humanitare- filantropike është njeriu me fjalë pak e punë shumë Milaim Jashari i cili që nga koha kur ka themeluar “FENIKSIN” thuaja se të vetmin refren që e përsërit është : Se populli po na ndihmon e ne atë ndihmë po e kthejmë në shtëpi për skamnorë, kryesisht familje luftëtarësh e të pastrehë. Në fillim në Ferizaj e së voni edhe në gjitha trojet shqiptare, përfshi këtu edhe familje dëshmorësh nga Shqipëria që ranë në luftën e Kosovës. Bashkë me Bacën Milaim, që do ta quaja nga simpatia që kam për te, ndonëse ai është shumë më i ri se unë, që nga ditët e para ishin edhe nismëtarët e palodhshmit Sadik Sadiku e Ali Lipovica, ndërsa më vonë Feniksi Ferizajas shtriu degët e tija edhe në Kaçanik, në krye me luftëtaren dhe atdhetaren Sevdije Frangu, si dhe një degë në Zvicër, nga i cili shtet mërgimtarët tanë ndihmuan ngritjen e më tepër se 30 shtëpive të reja
Do theksuar se në solemnitetin e djeshëm ishin të pranishëm dhe përshëndetën edhe Bajrush Xhemajli, ish kryetari i komunës së Ferizajt dhe Besim Ilazi, kryetari aktual i komunës së Kaçanikut, si dhe familje dëshmorësh dhe përfaqësues institucionesh dhe mërgimtarë që bashkë me donatorët në Kosovë kanë ndihmuar në ngritjen e këtyre shtëpive.
Si lindi FENIKSI?
Se si lindi Feniksi ferizajas këtë mësë miri me pak fjalë e përmblodhi prezantuesja e programit Zyhrije Vata:
Njëri prej themeluesve të FENIKSIT, Xha Lumi rrëfen se si një ditë të bukur me diell, para dhjetë vjetësh, thotë ai, kisha një takim vizite te stomatologu, dr. Ekrem Selmani, me të cilin shpesh herë diskutonim dhe qanim halle të përditshme. Gjatë bisedës e shpalosa para doktor Ekremit një shqetësim timin se si do të ishte mundësia që ta ndihmonim një veteran të luftës për ndërtimin e shtëpisë, sepse ai po jetonte në një kosh. Dr. Ekremi, burrë pa fjalë, nuk deshi ta zgjasë diskutimin më shumë, insistoi që të shkonim e ta vizitonim këtë familje. Kur shkuam atje, doktori mbeti pa frymë. Ai tha vetëm një fjalë: “Të fillojmë që nesër”. Unë mbeta i habitur nga gatishmëria e doktorit dhe më kaploi një ndjenjë e mirë nga veprimi i tij fisnik.
Kjo ishte shtëpia e Shaban Qelit- veteranit të luftës së UÇK-së, nga fshati Greme e Ferizajt. Vazhduam me shtëpinë e dytë, që e kishte filluar kuvendi komunal i Ferizajt, për veteranin Njazi Bytyçit në bashkëpunim me shoqatat e dala nga lufta UÇK-së. Gjatë ndërtimit të shtëpisë së dytë u takuam rastësisht me artistin Shkelzen Qerimi- Xeni, i cili e dhuroi një ari e gjysmë truall, e neve na u krijua mundësia për ndërtimin e shtëpisë së tretë e cila u ndërtua për Faik Krrabën, veteran i luftës së UÇK-së, i cili po jetonte në mullirin e braktisur afër tregut të gjelbër.
Pas përfundimit të këtyre tri shtëpive, të motivuar e të nxitur nga populli ynë shumë solidar, vendosëm edhe zyrtarisht në vitin 2007-të ta regjistronim shoqatën humanitare FENIKS.
Dalëngadalë, shtëpi pas shtëpie FENIKSI po zhvillohej pa u ndalur. Ndaj sot po e shënon dhjetë vjetorin e suksesshëm me 218-të shtëpi të ndërtuara nga shoqata FENIKS. Kështu e rrëfen z. Milaim Jashari, i njohur si Xha Lumi, i cili me plot krenari vazhdon ta thotë fjalën: Nga populli marrim e në popull e dorëzojmë, populli ynë i dashur është popull human.
Në kohën kur u mor kjo iniciativë, ishte një motivim kryesisht nga tri shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së.
Kryesi vullnetare, të prirë nga puna vullnetare
Themeluesit e kësaj e Shoqate Humanitare FENIKS janë Milaim Jashari, Sadik Sadiku dhe Ali Lipovica. Kjo shoqatë pastaj e themeloi degën në Kaçanik dhe Han të Elezit e cila funksionon ende, nën udhëhqjen e denjë të zonjës Sevdije Frangu.
Zonja Frangu është bijë e bashkëshorte martiri, është nena e dëshmores Emsale Frangu, njëherazi z. Frangu është veterane e luftës së UÇK-së si dhe dëshmitare e gjalle e Betejës së Rakocit .Zonja Sevdije Frangu sikur nuk u mjaftua me gjithë këto sfida të jetës ajo ende vazhdon te japë kontributin e saj të çmueshëm për njerëzit hallexhinj e te pastrehë. Anëtarë të kryesisë së shoqatës janë edhe Ramadan Berisha dhe Arsim Jakupaj.
Ferizaj identifikohet me Feniks Ferizaj!
Pjesë nga përshëndetja ime në këtë ngjarje të rëndësishme jo vetëm për Ferizajn, Kosovën por edhe më gjerë:
Ju themelues të Feniksit, në krye me Milaim Jasharin, donatorë të nderuar, të gjithë ju së bashku keni bërë në vazhdimësi krenarë, që sot emri i Ferizajt, të identifikohet me vetë shoqatën Feniks Ferizaj, ngase Feniksi ishte ai që rrezaton bamirësi e humanizëm të pashoq në shumë shtete të botës ku jetojnë mërgimtarët, por edhe në vatrat e luftës ku në misione paqësore prej vitesh veprojnë edhe shumë qytetarë të kësaj komune, e që ndajnë kontribute për këto çati të reja.
Ndaj edhe me këtë rast nuk mund të mos u shprehim një mirënjohje të gjithë mërgimtarëve tanë për kontributet materiale, nga mjetet e ndara nga djersa e kurbetit që të bëhen dhjetëra e dhjetëra familje anë e këndë Kosovës. Së fundmi një falënderim për nënat e motra shqiptare në Suedi , të cilat përmes një organizimi të shkëlqyeshëm përmes Feniksit ngritën disa shtëpi. Njëri ndër donatorët më të rregullt dhe më të fuqishëm për Feniksin është Eli-Abi, me pronarin Basri Sopa dhe vëllezërit e tij të cilët ndërtuan 24 shtëpi për të cilën meritojnë admirim dhe simpati të veçantë.
Kontributi i mërgatës
Me këtë rast dua tua përcjelli përshëndetjet e mërgimtarëve tanë nga Zvicra bashkë me atë të degës së shoqatës Feniks në Zvicër, nga i cili shtet mërgimtarët me donacione ndihmuan ngritjen e dhjetra shtëpive. Një falënderim për bashkëpunim e keni edhe nga shoqata humanitare Nëna Terezë në Zvicër, e cila prej vitesh ka një bashkëpunim të ngushtë me Feniksin ferizajas, meqë rast kanë ngrit edhe disa shtëpi së bashku, ndërkaq sivjet Nëna Terezë nga Zvicra ngiti edhe 7 shtëpi të reja në Kosovë,
Ku qëndron enigma e tërë këtij suksesi rekord të 200 e sa shtëpive të ngritura për skamnor. Unë këtë e shoh në dy komponentë kryesore, në atë të angazhimit me shpirt e vullnet të paparë të kësaj shoqate e sidomos të kryetarit Milaim Jashari, duke fituar besimin sa parat e bamirësisë janë në duar të sigurta dhe se do të shfrytëzohen qind për qind për qëllimin për çka janë destinuar.
Krejt në fund nga dhjetëra raste emocionesh që më ka krijuar “Feniksi” nuk mund e të mos kujtoi një rast kur në fshatin Baicë të Kaçanikut, një ish- luftëtari të UÇK-së i pjesëmarrës të tria luftërave i ishte djeg shtëpia dhe 3 fëmijët kishin fjet për disa javë nën një shator. Posa u bë inaugurimi te tre fëmijët shkuan në tre krevatet e ri, sa nuk luajtën nga shtretërit e ri për tanë kohen sa qëndrim aty.
Tani shoqata ka miq dhe dashamirë anë e kënd Kosovës, në Shqipëri e diasporë. Besimi dhe motivi për të vazhduar këtë mision të shenjtë gjithnjë po bëhet edhe më i forte, thonë kryesuesit e Feniksit.
Ndaj edhe krejt në fund : Urime Feniks për gjithë këtë unë madhore. Gëzuar Xha Lumi, për vullnetin e punës që nuk ndalet si një lum i vërtetë. Faleminderit gjithë ju donatorë zemërgjerë, që të mirën materiale nuk e ndani vetëm me familjarët e juaj, por edhe ma ata që nuk kanë kulm mbi kokë.