Në Cyrih promovohen edhe dy vepra të shkrimtarit Brahim Avdyli

Krijimtaria poetike  e Brahim Avdylit zë një vend të merituar jo vetëm në kuadër të poezisë së mërgimit, që u krijua e krijohet në Zvicër, por edhe të letërsisë shqipe në përgjithësi, theksoi referuesi, magjistri i letërsisë, Nexhat Maloku, me rastin e promovimit të veprave «Qielli i paprekur» dhe «Vetëvrasja e një poeti”

Rexhep Rifati

Në vazhdën e organizimeve të Shoqatës së Krijuesve Shqiptarë të Zvicrës, më 7 dhjetor, në lokalet e bibliotekës «Pestalozi» të Cyrihut  u bë promovimi dy veprave të krijuesit tejet të frytshëm e cilësor në Zvicër, Brahim Avdylit: «Qielli i paprekur» dhe «Vetëvrasja e një poeti”. Në ambientin biblioteke, ku nuk mungon as libri shqip, drejtuese e këtij institucioni, Suele Jorgaqi (së cilës i përket merita për organizimin e sa e sa takimeve me shkrimtarë shqiptarë) u bëri apel të pranishmëve që bashkë me fëmijët e tyre të shfrytëzojnë lokalet e kësaj biblioteke për leximin e librave ekzistuese.

Në takimin e radhës me temë:  “Krijimtaria letrare e Brahim Avdylit në Zvicër dhe disa vlera të saj”, ku merrnin pjesë pos miq e familjarë të autorit si dhe dashamirë të fjalës së shkruar, një fjalë rasti e mbajti magjistri shkencës nga fusha e letërsisë, Nexhat Maloku, njëherësh edhe kryetar i LAPSH “Naim Frashëri” në Zvicër.

Maloku, përkujtoi se: “ Një prej poetëve më të spikatur dhe më karakteristik të mërgatës shqiptare në Zvicër është padyshim Brahim Avdyli” duke theksuar se ai:  pjesën më të gjatë dhe më të frytshme të jetës së tij e ka kaluar dhe po e kalon ende në mërgim; i spikatur, sepse vepra e tij poetike tridhjetëvjeçare, me vlerat e saj ideoartistike, ia jep këtë epitet pa pikë dyshimi. Më pastaj referuesi shtoi se: Brahim Avdyli u lind në fshatin Morinë të Malësisë së Gjakovës në vitin 1960.  Malësia e Gjakovës, e njohur për qëndresën kundër pushtuesve në shekuj, do t’a mbrujë djaloshin e kësaj ane që në moshë të re me dashurinë e pakufishme për vendlindjen, për Atdheun. Duke e jetuar moshën e rinisë në këtë pjesë neuralgjike të Atdheut, ai do të edukohet që në fëmijëri me legjendat për qëndresën e popullit tonë në hullitë e shekujve. .. Brahim Avdyli detyrohet që në moshë të re të marrë udhët e mërgimit, për të siguruar mbijetesën. Detyrohet të ndërroj drejtimin e studimeve nga Dega e Arkitekturës, për të kaluar me  korrespondencë në Fakultetin Filologjik, në Degën e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe.  Edhe me këto ndryshime, ai nuk do të mund të qëndrojë në Prishtinën e tij të rinisë, por do të detyrohet të emigrojë përfundimisht në vendin helvetik- në Zvicër,  ku jeton edhe sot.

Sa i përket rrugëtimit letrar, Maloku nënvizoi se: Brahim Avdyli që në moshë shumë të re do të fillojë të merret me zejen poetike- e cila do të jetë gjithnjë bashkudhëtari më besnik i tij. Ai ka pasur fatin të jetë pjesë e një gjenerate të studentëve të rinj të Universitetit të Kosovës të fundit të viteve ’70, për të cilët poezia nuk ishte vetëm art për të ushqyer shpirtin estetikisht, por për sishokët e Brahimit, ishte në rend të parë klithmë e kushtrim për lirinë e munguar, thirrje për çlirim nga zgjedha pushtuese jugosllave. Dhe kjo poezi e tillë, nuk mbetej vetëm kushtrim i çastit, por ishte udhërrëfyese për të ndjekur  rrugën e lirisë. Dhe pikërisht pse ishte e tillë, kjo poezi ishte edhe e ndjekur e luftuar nga armiqtë e lirisë.

Është me rëndësi të theksohet se Brahim Avdyli në vitin 1990, në Cyrih të Zvicrës, boton poemën me titull simbolik “Buka e kuqe”, në kuadër të Bibliotekës “Dielli i Lirisë” të Shoqatës “Atdheu”. Përmbledhja tjetër që do të shohë së shpejti dritën e botimit, është “Pasqyrë e përgjakur”, nga Shtëpia Botuese Marin Barleti, Tiranë, 1994. Poashtu në Tiranë, në vitin 1997, në kohën kur populli shqiptar, po rrezikohej më së shumti siç thotë poeti nga vetvetja, del përmbledhja e poezive me titull “Klithje nga fundi i ferrit”, botuar nga Onufri, për të vazhduar me daljen e përmbledhjes  “Gjuha e dheut tim”, nga shtëpia botuese Albin, Tiranë, 1999. Përmbledhja e fundit poetike e Brahim Avdylit është “Baraspesha e humbur”, botuar nga Shtëpia Botuese Qëndresa, në Gjakovë, në vitin 2003.

Përpos në fushën e poezisë, Brahim Avdyli në vitet e fundit doli para lexuesve edhe me dy përmbledhje me tregime. Libri me tregime “Vragat e një kohe”, u botua nga Shtëpia Botuese Faik Konica në Prishtinë, në vitin 2005, kurse libri tjetër me titull “Lëvozhga e vdekjes”, nga po e njëjta shtëpi botuese, doli në vitin 2007.

Pasi i bëri një vështrim krijimtarisë poetike nga aspekti ideo-artistike, shtoi se Brahim Avdyli , më parë se një poet, është një luftëtar i çështjes kombëtare , pasi poezia e tij është njëkohësisht rruga nëpër të cilën kalon populli i tij. Brahim Avdyli për pesë vjet udhëhoqi edhe revistën “Qëndresa”,që u botua në Cyrih.  Krejt në fund Nexhat Maloku përmbledhtas konstatoi se : Brahim Avdylit tashmë zë një vend të merituar jo vetëm në kuadër të poezisë së mërgimit, që u krijua e krijohet në Zvicër, por edhe të letërsisë shqipe në përgjithësi dhe se për krijimtarinë e tij tashmë e ka dhënë fjalën edhe kritika letrare.

Meqë munguan recensentët e librit, në një masë, ata i plotësuan autori dhe disa nga krijuesit e pranishëm.  Autori përmendi se disa nga veprat i kanë mbet në dorëshkrim apo edhe i janë vjedhur dhe se është i pakënaqur edhe me disa kritik letrar për shkek të vlerësimeve subjektive ndaj veprave letrare. Përndryshe, vlerësime përkatëse tejet meritore, dhanë dy krijuesit e letrave tona: Shefqet Dibrani e Ibish Neziri, si dhe disa nga miqtë e poetit. Ambientin letrar më të ngrohtë e bën familjarët e shkrimtarit, përfshi edhe nipat e mbesat e tij, që ishin përkujdes edhe për një apero me specialitete të kuzhinës sonë kombëtare.