Muzeu në kullën e Rexhepagajve në Plavë me peshë etno-historike

 Koleksionet e shumta e të rralla që ruhen në këtë muze, paraqesin një thesar të vërtetë të popullatës shqiptare e boshnjake të kësaj ane.

Teksti e fotot: Rexhep Rifati

Gjatë një qëndrimi dy ditor në Plavë e  Guci, në shoqërim me inxhinierin nga Shkupi Jakup Rekën dhe profesor Rexhep Abazin nga Medvegja, vizituam njërin nga objektet më të veçanta arkitektonike me vlerë të posaçme kulturore e historike.

Ishte kjo Kulla e familjes së Rexhepagajve e veçantë edhe për nga pamja e struktura e saj, por edhe për nga pesha kulturore e historike.
Kjo kullë, siç mësuam nga pronari aktual i saj, Shuqa Rexhepagiq, i cili njëherësh është edhe koleksionist i njohur i objekteve muzeale, objekti është ndërtuar qysh në shekullin e XV, ndërsa që familja e gjerë kishte edhe pesë kulla të tjera si dhe xhaminë në pronësi të saj.

Ndërsa objekti është nën mbrojtjen shtetit dhe hynë në radhën e monumenteve të mbrojtura me ligj dhe trajtohet edhe si muze me rëndësi historike e etnografike, me vet koleksionet e shumta e të rralla që ruhen në te e që janë një thesar i vërtetë i popullatës së kësaj ane shqiptare e boshnjake.
Krejt në fund ua të theksoj se nga dhjetëra kulla që kam vizitua në viset e ndryshme shqiptare, kulla e Rexhepagiqve pa dyshim hynë në radhën e kullave më të veçanta, duke mos harruar këtu edhe pritjen shumë miqësore që na bënë edhe pronarët e saj, ndaj edhe me këtë rast iu falënderohem përzemërsish.

Me 3 kate prej guri dhe një prej druri, kulla e Rexhepagajve, ka mbi 5 shekuj e ngritur si përmendore qëndrese mbi një kodër ne qytetin e Plaves. Disa shkrime historike për ketë zone, vene ne dukje se fisi i Rexhepagajve është me origjine nga Gruemira e Malësisë se Madhe, dhe pinjollët e tij u dërguan ne Plave si te besuarit te e Pashallëkut te Shkodrës.

Ata luajtën një rol te rëndësishëm sidomos ne vitet e Lidhjes Shqiptare te Prizrenit e me vone, për mbrojtjen e tokave shqiptare nga pushtimi serbo – malazez. Por ashtu si dhe shqiptaret e tjerë autokton, edhe kjo familje pati fatin e keq te konvertimit me dhunë në boshnjake. Trashëgimtari i këtij fisi, Shuqo Rexheapagiç, i moshës 63 vjeç, ka lindur ne ketë kulle dhe ka banuar deri ne moshën 24 vjeçare. Me pas ajo është marre ne mbrojtje nga shteti si nder objektet me te vjetra arkitekturore ne territorin qe administron Mali i Zi.
Pronari i kullës krahas që kujdeset për mirëmbajtjen e objektit, pasi dhe pasion dhe dashuri të veçantë ka grumbullimin e objekteve me vlerë etno- kulturor të regjionit të Plavës e Gucisë. Ndaj edhe siç mësojmë nga ai, pjesa me e madhe e objekteve janë origjinale, trashëguara brez pas brezi, ndërsa që të tjerat janë shtuar nder vite. Nga artefaktet që ruhen në muze vend të veçantë zanë objektet e amvisnisë, bujqësisë, zejtarisë e të tjera.
Prej dekadash kjo kullë dhe vet muzeu brenda saj kanë tërhequr vëmendjen e turisteve dhe studiuesve te huaj nga Perëndimi, ndërkohë universitetet e rajonit kane mbajtur disa kumtesa shkencore, referuar kësaj kulle. Trashëgimtarin i saj, Shuqo Rexhepagiç, e ka gëzuar fakti qe vitet e fundit kullën e kane vizituar edhe studiues nga Tirana.

Që prej disa vitesh, kulla në fjalë ka tërhequr vëmendjen e turistëve të shumtë. Gjithashtu, studiuesit e huaj nga vendet e ndryshme dhe ata shqiptarë e kanë vizituar kullën dhe brendinë e saj, sidomos atë muzeale për qëllime studimi. Me pak fjalë mund të themi se Kulla Rexhepagajve është simbol i rëndësishëm i trashëgimisë sonë kulturore. Brenda kësaj kulle ka lind edhe pedagogu i shquar i Universitetit të Prishtinës Jashar Rexhepagaj, i cili në mënyrë të veçantë është marr me shkollat e para shqipe në Kosovë.