Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Krujë

271

Kaptinën e muzeve historike po hapim me Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti -Skënderbeu në Krujë, që për shkak të peshës historike jo vetëm kombëtare por edhe ndërkombëtare është një nga më të vizituarit në Shqipëri dhe trojet shqiptare në përgjithësi.

Fotot e teksti : Rexhep Rifati

Pa hy në historikun e tij dhe karakterin e një memoriali që trajtohet edhe si kullë shqiptare e Veriut, po jap fotot që kam regjistruar në këtë muze ku janë të ekspozuara mjaft objekte, dokumente dhe bibliografi origjinale, riprodhime autentike që flasin qartë për historinë e popullit shqiptar në shekullit të XV e më gjerë. Aty janë ekspozuar objekte prej qeramike, bronzi, hekuri, bakri, faksimile të ndryshme, ikona origjinale, shkrime, kambanë e vitit 1462 (që më 17 Janar 1468 dha kumtin e zi  për vdekjen e Skënderbeut)) ,  shpata origjinale të shekullit XV etj. Një kaptinë në vete përbëjnë figurat në bronz të bashkëluftëtarëve të kryetrimit tonë si dhe hartat të periudhave të ndryshme që flasin për periudhën e lavdishme të luftës së paepur të popullit shqiptar për liri e shtetndërtim.

Rrugëtim përmes epokave të lavdishme të historisë sonë

Gjatë vizitës me 6 Maj 2016, bashkë me shoqëruesin Jakup Reka, pamë se në muze kishte edhe grupe studentore, me që rast edhe shkrepëm një foto të përbashkët me studentët e Korçës. Në përshkrimin e detajuar që ofronte ciceroni të këtij muzeu, jepeshin shpjegime të hollësishme për epokat më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare. Ciceroni, i cili njëherë nguroi të na e lejonte fotografimin, por pastaj lëshoi pe kur e pa qëllimin e vizitës sonë për ti popullarizuar gjitha muzetë shqiptare , në mënyrë që të nxisim për vizita një numër sa më të madh turistësh shqiptar e të huaj.

Kambana e Kalasë që dha kumtin e zi për vdekjen e kryetrimit

Ndaj edhe gjatë kësaj vizite e edhe ato të më vonshmet që kam realizua në këtë muze nga elementet kryesore që gjenden në këtë muze, kam shkrep disa foto , siç është ajo e kambanës së Kalasë, që daton që nga koha e heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu e me të cilën është dhënë edhe kumti i lajmi për vdekjen e heroit, më 17 janar 1468. Mësohet se kjo kambanë shekuj më vonë ishte gjendur nga Atë Shtjefën Gjeçovi.

Sa i përket këtij muzeu shfrytëzuam edhe të dhënat që ofron edhe faqja e “Turizmit kulturor”, të cilat po ia bashkëngjisë këtij shkrimi që të kemi një pasqyrë më të gjerë për këtë muze:

Skënderbeu, figura qendrore rreth së cilës u brymos identiteti i shqiptarëve

 

Nën këmbët e malit të Krujës gjenden rrënojat e kështjellës brenda të cilës ngrihet Muzeu Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” i njohur ndryshe dhe si Muzeu i Skënderbeut. Gjergj Kastriot Skënderbeu ishte udhëheqësi i një prej periudhave më të ndritura kombëtare, duke përbërë figurën rreth së cilës u brymos identiteti i shqiptarëve. Rikthimi i Skënderbeut në Krujë, pas fëmijërisë së tij në Turqi, do ta ngjizte përjetë emrin e qytetit me Heroin.

Muzeu është vepër e një grupi arkitektësh, me në krye Pirro Vason dhe Pranvera Hoxhën, ky muze ka tërhequr vizitorë qëkur u hap në nëntor të vitit 1982. Një element i rëndësishëm frymëzues për arkitektët ishte platforma ideore hartuar nga Aleks Buda, kryetari i atëhershëm i Akademisë të Shkencave të Shqipërisë.

kur arkitektura sinkronizohet me historinë dhe artet mesjetare

Muzeu është konceptuar si memorial, ku arkitektura sinkronizohet me historinë dhe artet mesjetare. Për përmbajtjen e tij, bashkë me arkitektët punuan një grup historianësh të udhëhequr nga Kristo Frashëri dhe një grup piktorësh të udhëhequr nga Bashkim Ahmeti.

Në qendër të muzeut është figura e Gjergj Kastriotit. Sapo hyn, përballesh me grupin skulpturor (altoreliev) të Skënderbeut dhe trimave të tij, moment simbolik artistik i luftërave që udhëhoqi Heroi Kombëtar. Aty shfaqen në mënyrë artistike elementet e veshjeve dhe pajisjeve luftarake të kohës. Skënderbeu portretizohet në artin pamor të muzeut si luftëtari dhe burri i shtetit që udhëhoqi betejat. Ndërsa në pavianët e tjera ruhen dokumente, bibliografi origjinale, riprodhime që tregojnë historinë në shekullin e XV-të.

Një kronologji dinamikën e jetës së principatave shqiptare

Muzeu tregon në mënyrë kronologjike dinamikën e jetës së principatave shqiptare, nëpërmjet objekteve prej qeramike, bronzi, hekuri e bakri, ikonave origjinale, shpatave të kohës, deri edhe një kambanë të vitit 1462. Afresket e lakuara në muret e muzeut frymëzohen nga arti bizantin. Aty shfaqen portretizime romantike që nga rikthimi i Skënderbeut në Krujë deri tek glorifikimi i bashkimit të principatave.

Muzeu i Skënderbeut është i pajisur me guidë në gjuhët shqip dhe anglisht duke i dhënë një impuls domethënës njohjes së heroit të shqiptarëve, figura e të cilit është bërë pjesë e bibliografive të njohura në botë dhe ka frymëzuar artistët shqiptarë.