Muzeu i Qytetit të Ferizajt, me mbi 1300 eksponate, por me lokal të mangët

Udhëheqësi i këtij muzeu, Ilir Bytyçi, potencon se lokaliteti i komunës së Ferizajt ishte i banuar në çdo periudhë kohore nga popullsia dardane që në shekullin e IV para epokës së re ndërtoi një mbretëri të fuqishme në territorin e Kosovës. -Në këto anë hasim gjurmë edhe nga periudha e neolitit të hershëm, ndër to edhe figura e Hyjneshës së Varoshit me një vjetërsi prej 8 mijë vjetësh

Teksti e fotot Rexhep Rifati

Në kuadër të prezantimit të muzeve, çdo të hënë, këtë fillimjavë përmes 35 fotove që kam shkrep po e prezantoj Muzeun e Qytetit të Ferizajt, i cili ndonëse nuk ka një jetë të gjatë, megjithatë brenda tij ruhet një numër i mirë artefaktesh të zbuluara në terren. Ndonëse muzeu vepron në një hapësirë relativisht të vogël e tërë ajo që gjendet brenda objektit është rregullua e sistemua mjaft mirë, falë angazhimit të udhëheqësit të këtij muzeu, Ilir Bytyqit, i cili punën e tij nuk e realizon vetëm brenda objektit por edhe në terren, në gjurmim të objekteve të ndryshme apo grumbullimin e gjësendeve nga fusha e etnografisë.

Nga shkrimet dhe deklaratat e Ilirit, por edhe vetë faqja  e fb, të këtij muzeu veçuam disa theksime të tij, lidhur me atë se çfarë posedon kjo trevë, por edhe vet muzeu nga ajo që është sjellë nga terreni:

Mozaik nga trashëgimia arkeologjike-etnografike

Trashëgimia kulturore materiale dhe jomateriale (shpirtërore) përbën bazën e hulumtimeve dhe studimeve që kanë të bëjnë me identitetin e një populli dhe më gjerë. Trashëgimia kulturore e Kosovës, përmban një mozaik të pasur nga trashëgimia arkeologjike, arkitektonike, religjioze, shpirtërore dhe peizazheve natyrore, të gjitha këto të mbledhura së bashku përbëjnë një thesar rëndësishëm trashëgimor, që e karakterizon një vend që përfaqëson kulturën dhe lashtësinë e tij.

Në këtë rast kemi të bëjmë më trashëgiminë kulturore regjionit të Ferizajt, e cila është njëra ndër trevat më të pasura në Kosovë. Ajo fillet e saja i datojnë që nga koha e neolitit të hershëm, duke na ofruar të dhëna së gjurmët e civilizimit na shpijnë në mijëvjeçarin e VI-të, p.e.s, ku informacionin e nevojshëm na ofron kultura materiale duke na informuar për një trevë të pasur me një numër të madh lokalitetesh dhe vendbanimesh të hershme.

Një thesar i pasur trashëgimor

Këtu vlen të përmenden gërmimet e fundit arkeologjike, ku na sjellin në pah një thesar të pasur trashëgimor. Në një regjion i cili kërkon një vëmendje më të madhe për të sjellë në sipërfaqe shumë artefakte arkeologjike të cilat i përkasin periudhave të hershme parahistorike dhe historike.

Këto lokalitete na ofrojnë të dhëna, për një kontinentet që tregon se kjo rrethinë e Ferizajt, banuar thuajse në çdo periudhë kohore nga popullsia dardane e cila në shekullin e IV p.e.s e ndërtoi një mbretëri të fuqishme në territorin e sotëm të Kosovës dhe viseve rreth saj. Andaj në këto anë hasim edhe gjurmë të Dardanisë, më pas të krishterimit të hershëm, po ashtu të periudhës mesjetare dhe asaj bizantine e deri në periudhën e kohës së re.

Lokaliteti neolitik i Varoshit

Duke folur për lokalitetin neolitik të Varoshit, Iliri shkruan se: Lokaliteti neolitik i identifikuar i Varoshit ndodhet në komunën e Ferizajt, gjegjësisht vetëm 2 km në jug, juglindje të këtij qyteti, në fshatin me po të njëjtin emër. Megjithëse këtu ende nuk janë zhvilluar sondazhe dhe gërmime të mëdha arkeologjike, në disa raste kanë dalë gjurmë e fragmente të ndryshme të qeramikës neolitike, kryesisht zbuluar rastësisht gjatë punimit të bujqësore; material ky në pjesën më të madhe i lëvizshëm arkeologjik që dëshmon gjurmët e një vendbanimi të hapur tipik për periudhën neolitike, që korrespondon me dy kulturat, si të Starçevës ashtu dhe të Vinçës.

Gjurmë të “banesave” neolitike

Gjatë vitit 2011 në disa parcela të këtij lokaliteti arkeologjik u zhvilluan disa incizime gjeofizike, të cilat reflektuan struktura të nëndheshme që mbase mund të ndikojnë gjurmë të “banesave” neolitike. Pjesë e rëndësishme e kulturës materiale të këtij fshati ishte padyshim Figurina (Idhulli) antropomorfe e cila i takon neolitit të hershëm përkatësisht mijëvjeçarit të VI p.e.s për të dëshmuar se kjo trevë e Ferizajt, është njëra ndër trevat më të pasura dhe më të lashta në tërë Kosovën, ishte e banuar në vazhdimësi. Për lashtësinë e kësaj treve flet edhe vetë figura e mbi 8 mijë vjet Hyjnesha së Varoshit

Në kuadër të gërmimeve në disa lokalitete, siç ishte rasti me gërmimet në lagjen musajve, hasen dëshmi për ekzistencën e gjurmëve që shpijnë drejt “banesave” neolitike. Po ashtu në këtë vendbanim neolitik do të kemi edhe gjetjen e sëpatave prej guri dhe enëve të ndryshme të punuara nga argjila të cilat i përkasin periudhës së neolitit të vonë, duke na ofruar një informacion të rëndësishëm për trevën e Ferizajt.

Enë të ndryshme të gjetura në lokalitetet e Varoshit (Lagjja Krosa, Arat e hetajve, Lagjia e musajve) tregojnë për një lashtësi dhe njëkohësisht për një thesar të pasur trashëgimor i cili prezantohet në muzeun e qytetit të Ferizajt. Duke ju ofruar vizitorëve një informacion të rëndësishëm lidhur vlerat e trevës së Ferizajt.

Institucion i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore

Meqenëse treva e Ferizajt, është mjaftë e pasur me artefakte, që pasqyrojnë trashëgiminë arkeologjike, etnologjike dhe historike, shumë nga to janë sjellë dhe vendos në këtë muze i cili si institucion i rëndësishëm i trashëgimisë kulturore ruan, promovon dhe ekspozon trashëgiminë e luajtshme të rrethinës së Ferizajt.

Kjo trashëgimi është e sistemuar edhe brenda vet muzeut, ndonëse në një hapësirë të ngushtë, ku është dashtë të vendosen artefaktet nga  trashëgimia e gjetur arkeologjike, etnologjike dhe historike. Duke i shkoqit gjitha këto të dhëna lidhur me eksponatet që posedon muzeu, Bytyçi, veçon: “Sa i përket aspektit arkeologjik ne kemi eksponate që na shpien në epokën e neolitit, epokën e re të gurit ku kemi figurime afro 6000 vjeçare, më pas kemi edhe përfaqësim edhe të gjitha periudhave të bronzit e hekurit e kështu me radhë, deri në periudhën historike. Përveç kësaj kemi edhe eksponate etnologjike ku janë të paraqitura tradita, veshjet popullore-tradicionale të trevës më pas mjetet e punës dhe shumëçka tjetër që e karakterizon jetën e përditshme të banorëve të trevës së Ferizaj në të shkuarën.

Fotografi me pamje të hershme nga e kaluara Ferizajt

Në aspektin historik janë paraqitur pamje vizuale-qyteti dhe ndryshimet e tij në aspektin historik brenda një periudhe 140 vjeçare që janë të paraqitura në këtë ekspozitë, e cila në vete ngërthen një numër të madh të fotografive që e kanë karakterizuar qytetin e Ferizajt në periudha të ndryshme. Lidhur me këtë të fundit në Ferizaj muzeu organizoi edhe një ekspozitë me 2 Gusht 2018, ku përmes fotove prezantoi momente të ndryshme historike të qytetit të Ferizajt si dhe pamjen e qytetit ndër periudha historike.

Sipas udhëheqësit të këtij muzeu, Ilir Bytyçi, i cili çdo vizitor edhe vet e pret e përcjell me përzemërsi: “Kjo ekspozitë është pritur me interes të madh nga bashkatdhetarët tanë, pasi ata patën mundësi të njihen me vlerat e trashëgimisë kulturore të cilat e përfaqësojnë kulturën materiale e historike që e posedon qyteti i Ferizajt.

Eksponatet nga periudha e luftës së fundit

Bytyqi gjithashtu përmend se viteve të fundit dukshëm është shtua interesimi i qytetarëve dhe i vetë pjesëmarrësve në luftën e UÇK-së, të zhvilluar në këtë trevë, ndaj edhe në këtë muzeut i janë dhuruar edhe armë, uniforma dhe materiale tjera ushtarake. Në këtë kuadër i janë dhuruar 150 eksponate jo vetëm nga fusha ushtarake, por edhe një koleksion i shpatave, poçarive apo edhe vegla pune nga lëmi i zdrukthëtarisë apo veglave bujqësore e artizanale. Me periudhën e luftës ndërlidhet edhe prezantimi i librave të goditura nga plumbat e forcave serbe në Bibliotekës shkollore të fshatit Loshkobare, në fakt të 7 librave të goditur me armë, kur edhe plumb u ndal te vepra e Bogdanit e Ibrahim Rugovës. Edhe një fakt ky për barbarinë e forcave ushtarako- policore serbe që nuk u përmbajtën edhe nga goditja e librave me plumba!

Ekspozite për Lëvizja e Pajtimit të Gjaqeve

Edhe në kuadrin e aktiviteteve për shënimin e 30 vjetorit të Pajtimit të Gjaqeve, Njësia për Trashëgimi dhe Muze, ka organizuar një ekspozitë me fotografi që kanë të bëjnë me “Lëvizjen e Pajtimit të Gjaqeve” ekspozitë kjo e hapur më 26 Shkurt 2020 në hollin e Universitetit të Ferizajt.  Me këtë rast u mbajt edhe një Tribunë Shkencore me temën “Rëndësia historike e Pajtimit të Gjaqeve në trevën e Ferizajt”.

Në mesin e shumë vizitorëve edhe bashkatdhetarët tanë

Thuaja se gjatë tërë kohës muzeu ka vizitorë, filluar nga vizitat shkollore, kur nxënësit përcjellin me kërshëri gjithë atë që ruhet brenda këtij objekti. Nuk mungojnë edhe vizita nga turistë nga Kosova e vendet e ndryshme apo edhe vet pjesëtarët KFOR-it, përfaqësuesit e Korpusit amerikan të Paqes e sidomos nga radhët e mërgimtarëve, sidomos me rastin e organizimit Ditëve e Diasporës, kur edhe muzeu organizon edhe ekspozita tematike apo edhe tema nga fusha e trashëgimisë kulturore e kësaj treve.

Shtëpia e atdhetarit Gjon Serreqi, të shndërrohet në muze

Dhe krejt në fund preokupim i drejtuesve të Muzeut të Qytetit të Ferizajt mbetet një lokacion më përshtatshëm, sepse në të tanishmin nuk ka më vend për vendosjen e objekteve të tjera që kanë rëndësi të veçantë muzeale, ndërsa që qyteti ka dosa objekte që mund të kthehen në muze.  Sidomos për këtë qëllim do të mund të shërbente shtëpia e qindvjeçare e atdhetarit të shquar Gjon Serreqi, me çka do ti bëhej nder edhe vetë kësaj figura madhore të kësaj treve. Por edhe muzeu në dy katet e kësaj shtëpi do të kishte kushte shumë më të përshtatshme për vendosjen e artefakteve aktuale dhe atyre që do të zbuloheshin.