Muzeu i Peshkopisë me eksponate që nga neoliti  i hershëm  

Nëse keni në plan të vizitoni Peshkopinë, duhet të vendosni në agjendën tuaj dhe një ndalesë në Muzeun e Dibrës, i cili ndodhet në bulevardin kryesor të qytetit. Falë 2000 objekteve dhe 3 pavijoneve të ndryshme, muzeu kërkon rreth një orë e gjysmë për t’u parë i plotë.

Pavijoni i Arkeologjisë

Këtu do të njiheni me plot zbulime arkeologjike të bëra në qarkun e Dibrës, që prej neolitit të hershëm. Ndër objektet më interesante mund të përmenden Pitosi nga zona e Grazhdanit, që daton rreth shekullit të III dhe të II para erës sonë, vegla pune prej stralli, punime të vjetra qeramike, sëpata apo helmeta të vjetra, qyngj uji etj.

Pavijoni i Historisë

Ndërkohë që Dibra njihet dhe për figurat e shumta me peshë historike, kulturore e shoqërore që ka nxjerrë përgjatë shekujve, ndaj një pjesë e muzeut i dedikohet përcjelljes së jetës dhe veprës së këtyre emrave. Mjafton të përmendim se Heroi Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu lindi pikërisht në Sinë të Dibrës, ndaj nuk mund të mungonte një hapësirë dedikuar tij në këtë muze. Gjithashtu në fokus janë dhe emra të tjerë si kryetari i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Iliaz Pashë Dibra, nënkryetari i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës Dom Nikollë Kaçorri, Elez Isuf Ndreu, e plot figura të tjera jeta dhe vepra e të cilëve mund të njihet më në detaje.

Pavijoni Etnografik

Muzeu ka dhe një pavijon etnografik ku vizitorët mund të njihen me traditat e shoqërisë dibrane në shekuj, objektet blegtorale apo ato të kuzhinës, mund të shohin të rikrijuar odën e mirënjohur dibrane të miqve etj. Vëmendje e veçantë i është kushtuar veshjeve tradicionale të burrave dhe grave, ku çdokush mund të njihet me kostumet e Dibrës, jelekë burrash apo grash, tirqe të ndryshme, e plot elemente veshjesh me interes. Oxhaku karakteristik me jataganët është gjithashtu një nga hapësirat më të kuruara të muzeut.

(Marr nga faqja elektronike intoalbania: https://www.intoalbania.com/sq/atraksion/muzeu-i-dibres/

(Gjatë një udhëtim në qytetin e Peshkopisë kam qenë me Nosh Vuksanin nga Shkodra, me qëndrim në Itali dhe Faruk Nika e Jakup Reka nga Kaçaniku me banim në Shkup )