Në vazhdën e prezantimit të muzeve në trojet shqiptare, sot po ua prezantoj një nga muzetë private: atë të Gjon Gjergjaj, në Krushevë të Vogël të Klinës, të këtij personaliteti të veçantë, që shquhet krahas së një etnografi dhe shkrimtari edhe si skulptor, aktor e çka jo tjetër edhe atë pa pas kurrfarë përkrahje institucionale, ndonëse muzeu i tij ka kaluar caqet rajonale.
Teksti e fotot: Rexhep Rifati
Në rrugëtimet e mija nëpër trojet shqiptare një vizitë të i kushtova edhe vet Gjergjit e muzeut të tij, ndonëse për këtë personalitetet kisha dëgjuar para se ta vizitoja në shtëpinë e tij- muze. Më parë në qytetin piktoresk të Zvicrës, në Lucern kisha marr pjesë dhe kisha bërë një shkrim për një ekspozitë pikturash të Gjon Gjergjajt, ndonëse autorit nuk iu krijuan mundësi që të vijë edhe vet në hapjen e saj. Ndërsa që organizimin e kishte bërë një mik i tij dhe i im, shkrimtari, Bardhok Berisha.
Dhe tash kur më më 31 Mars 2014, i bëra një vizitë këtij personaliteti shumëdimensional bashkë me miqtë tanë artistë: Idriz Berisha Xhixhi dhe Ismet Krasniqi Lala dhe me djalin tim Avniun, jo vetëm që u befasuam me gjithë atë koleksion artefaktesh që ka grumbulluar në muzeun e tij por edhe me mikpritjen dhe gostitjen tradicionale me raki shpie shumëvjeçare, por edhe me librat e tija autoriale!
Me dhjetëra skulptura autoriale, begatojnë atelietë muzeale
Krahas vizitës në muze me objekte e vegla nga fushat e ndryshme të jetës së njerëzve të këtyre anëve, siç janë enët, veglat bujqësore, armët, instrumentet muzikore e armët e ndershme, madje edhe nga lufta e fundit, aty gjen me dhjetëra e dhjetëra figura druri të punuara nga dore e tij e vyeshme, që tërë këtë punë e bën me dashuri e pasion, pa fituar asnjë lek nga askush. Madje edhe gjatë vizitës sonë bëri një skulpturë me vegla kryesisht prej druri, pa pasur mundësi materiale të pajiset me makina përkatëse që mund të ia lehtësojnë punën duarve të tij të shkathëta, të “dirigjuara” nga një kokë përplot ide kreative.
Një koleksion i rrallë në një hapësirë minimale
Ky koleksion dhe kjo begati e rrallë që ruhet brenda dhe jashtë një shtëpie të vjetër, që nuk afron jo vetëm kushte, por as hapësirë minimale, e që vizitohet jo vetëm nga nxënës e studentë, por edhe vizitorë të huaj, në mesin e tyre edhe personalitete shtetesh që janë me misione në Kosovë, nuk kanë ndihmuar që i vetmi muze në këtë komunë, të ketë një mbështetje sado të vogël financiare dhe që ky artist i gjithanshëm të përkrahet qoftë edhe me një rrogë minimale.
Sepse, mesa duket Gjon Gjergjaj është një personalitet me dinjitet e integritet, që nuk donë të futet në ingranazhin e grupimeve të interesit apo allishverisheve politike, ndaj edhe duke qenë i tillë ka ngelë pa mbështetjen sado të merituar.
Një muze unik me shumë vlera të shumta materiale
Megjithatë ai ka një pasuri, si rrallëkush: një muze unik me shumë vlera materiale e shpirtërore, të shprehura në mijëra figura, ndër to mjaftë nga to të punuara nga dora e tij, si ato për Nënën Terezë, At Shtjefan Gjegjovin, Pjetër Bogdanit e të tjera, porse ai njëherësh është i dashur edhe për fëmijët, të cilët krahas asaj që admirohen nga gjithë ato që shohin në muze, mbesin më se të impresionuar edhe me vargjet e shumta që Gjoni, të shprehura përmes disa përmbledhjeve që ua ka kushtuar atyre.
Cak i vizitave të shumta për vendas e ndërkombëtar
Ndaj edhe koleksioni i tij etnografik si dhe atelieja në Krushevë të Vogël, është cak i vizitave të shumta, ashtu siç është i pranishëm edhe themeluesi i këtij muzeu, por edhe krijuesi i veprave të ndryshme artistike në shumë manifestime, i cili zakonisht nderohet e vlerësohet përmes mirënjohjeve e diplomave të ndryshme, por që ato vetëm se ia rrisin namin që e ka hise të tij, por jo edhe që ia përmirësojnë kushtet e jetës e të punës së tij artistike, që nuk është vetëm hise e tij, derisa shikohet e shijohet nga të tjerët, duke që pjesë e kulturës së përbotshme shqiptare që i kalon kufijtë rajonal.
Një biografi e shkurtër, përplot përkushtim artistik
Ja edhe një biografi e shkurtër, për jetën e Gjon Gjergjajt, në përgatitje të shkrimtarit Prend Buzhala: Gjon Gjergjaj u lind më 15. II. 1951 në Krushevë të Vogël të Klinës. Filloren dhe gjimnazin i kreu në Klinë. Shkruan për fëmijë e për të rritur në të shumë zhanre letrare, kryesisht në poezi e dramaturgji. Ka botuar krijime letrare që nga fundi i viteve ’60 e këndej. Deri më 1990 punoi në Klinë, pra që prej atëherë dhe gjatë viteve të mbas luftës është i papunë. U prezantua në antologji të letërsisë shqipe për fëmijë në Prishtinë e në Tiranë. Poezitë e tij janë botuar në Prishtinë, Tiranë, Shkup, diasporë etj. Merret me aktrim, skulpturë, etnografi, me ruajtjen e trashëgimisë, aktrim në teatro e filma artistikë etj. Kështu, kureshtjen e vizitorëve e mban gjallë muzeu i tij me eksponate etnografike e arkeologjike etj, si dhe salloni i pasur i skulpturave të tij origjinale.
Është kryetar i Klubit të Shkrimtarëve “Vorea Ujko” të Klinës dhe është përfaqësuar në shumë antologji të letërsisë për fëmijë.