Muzeu i Familjes Jashari, përshkohet me dëshmi të shumta të gjenocidit serb

316

Në Muzeun e Familjes Jashari në Prekaz, vizitori nga afër sheh se me ç ‘forcë të madhe policore- ushtarake serbe u përballë kjo familje. Por edhe se me ç ‘trimëri rezistoi e luftoi kjo familje, deri në sakrificë. Kjo vërtetohet përmes këtij muzeu, që gjendet përball kompleksit memorial në Prekaz.

Teksti e fotot: Rexhep Rifati

Mjafton të japim pamjet e arsenalit të armëve: predhat e kalibrave e artilerisë serbe në raport me plumbat e armëve të jasharve: automatikun e Ademit dhe pushkën e Hamzës, kjo e fundit punim artizanal. Se ku kishte arritur barbaria serbe, kjo shihet edhe në vet orenditë shtëpiake, të bëra shosh nga plumbat e armëve të lehta e të rënda, që nuk kanë kursye as gra e fëmijë e që kanë mbetur dëshmi edhe në çdo orendi shtëpiake deri te tepsitë apo gjygymat e çajit të bëra shoshë.

Në familje në përballje me ushtrinë dhe policinë serbe

Shumë nga këto eksponate, kryesisht të familjes Jashari dhe të komandantit legjendar të UÇK, Adem Jashari, si dhe predha të mortajave e të topave me të cilët ishte sulmuar familja Jashari, paraqesin fakte konkrete mbi rrjedhën e luftës së lavdishme të Jasharëve bashkë me qëndresën dhe rezistencën e kësaj familje në përballje me ushtrinë dhe policinë serbe.

Nga të dhënat për këtë muze, mësojmë se ai u hap në 18-vjetorin e luftës së lavdishme të Jasharëve edhe atë nga Agjencia për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale, në bashkëpunim me Muzeun e Kosovës me emërtimin: “Qëndresa heroike e Jasharëve për liri.
Ideja dhe realizimi profesional janë të Sadik Krasniqit, i cili me rastin hapjes së muzeut e ka cilësuar qëndresën heroike të Jasharëve për liri, rast unik në historinë botërore. Ai ka përkujtuar se familja Jashari për shkak të aktiviteteve atdhetare ishte bërë cak i regjimit okupues serb.

Eksponatet e ndara në ti grupe

Përndryshe, eksponatet e vendosura në Muzeun e Jasharëve në Kompleksin Memorial në Prekaz ndahen në tri grupe: eksponate tredimensionale, fotografi dhe dokumente, harta dhe shtypin e kohës.
Sipas historianit dhe ideatorit Prof. Dr. Sadik Krasniqit aty: “Janë ekspozuar mbi 50 eksponate të ndryshme të familjes Jashari me motive nga bujqësia, etnologjia, amvisëria, rezistenca dhe nga krimet serbe. Gjithashtu janë ekspozuar mbi 100 fotografi që pasqyrojnë rrjedhën e aktiviteteve para luftës dhe gjatë luftës të lagjes ‘Jashari’, duke përfshirë edhe 59 fotografitë e dëshmorëve të Jasharëve që ranë në luftën e lavdishme të 5, 6 dhe 7 marsit të vitit 1998, në Prekaz të Drenicës. Gjithashtu, aty janë të ekspozuar edhe një mori dokumentesh, harta dhe gazeta të kohës që në një masë të caktuar pasqyrojnë Epopenë e lavdishme të UÇK-së dhe luftën e Jasharëve dhe të ikonës së luftës së UÇK-së, Adem Jashari”, precizoi ideatori i këtij muzeu, Sadik Krasniqi.

Motori i Ademit e pushka e Hamzës, nxisin kërshërinë e vizitorëve

Ndërkaq, vizitorët me interesim më të madh përqendrohen tek automatiku e motori (motoçikleta) me të cilën lëvizte komandanti legjendar, Adem Jashari, i vendosur në një kënd të këtij muzeu., si dhe tek pushka e Hamzës, punim artizanal, dëshmi kjo se në në ç ‘mënyrë i përballoi populli një armate të armatosur deri në dhëmbë.
Muzeu “Qëndresa heroike e Jasharëve për liri”, i cili është hapur në Kompleksin Memorial në Prekaz, të enjten, siç u tha në hapje, “ka rëndësi jo vetëm kulturore, historike e shkencore, por ngërthen në vete porosinë dhe mesazhin për opinionin e brendshëm dhe ndërkombëtar, si dhe mundëson që flijimi i popullit shqiptar për liri të vlerësohet dhe të trajtohet pozitivisht nga qarqet e vendosjes”.

Artistët arbëresh që mbetën të tmerruar nga ajo që panë në Prekaz

Në këtë muze, pos disa vizitave me miq e familje, një vizitë e kam bërë edhe me artistët arbëresh nga Kalabria, të cilët u njohën më për së afërmi me sakrificën dhe veprën sublime për liri e pavarësie të familjes Jashari. Me këtë rast, artistët arbëresh mbetën të tmerruar nga ato që panë gjatë vizitave në kompleksin memorial, kullat e Jasharve si dhe në vet këtë muze, si pasojë e gjenocidit serb, mbi popullatën e pambrojtur shqiptare në Kosovë.

Anëtarët e Grupit arbëresh “Kreshnikët e lirisë” nga Kalabria, gjatë vizitës së tyre në Kosovë, shprehi dëshirën që të vizitojë Kompleksin memorial në Prekaz, për të vu lule të freskëta në varrin komandantit Adem Jashari. Ishte ky një moment mjaft prekës, për vëllezërit tonë të një trungu e të një gjaku, kur panë nga afër se ç` tragjedi kishte pësuar familja Jashari në mbrojtje të lirisë dhe të truallit të shtëpisë.

Përndryshe i tërë Kompleksi Memorial i Jasharve paraqet një muze më veti.

( Në këtë shkrim krahas fotove në muze dhe kompleksin memorial po jap edhe takimet që kam pas me Lulzim Jasharin të birin dhe Rifat Jasharin vëllain e Adem Jasharit)