Muzeu Arkeologjik i Butrintit, me mbi 1300 objekte të ekspozuara ndodhet brenda kalasë së Akropolit të qytetit antik të Butrintit, të ndara sipas rendit kronologjik, që e bëjnë këtë mjedis piktoresk një qendër të rëndësishme arkeologjike, ndër më të vizituarat në Shqipëri
Teksti dhe fotot: Rexhep Rifati
Qyteti i Butrinti, me një histori të lashtë e të bujshme, paraqet një nga qendrat më të rëndësishme antike në Shqipëri edhe atë që nga koha e anticitetit deri në ditët e sotme, ndaj edhe është ndër më të vizituarit në vend edhe nga shumë vizitorë të huaj. Atë e bënë të veçantë edhe vetë Muzeu Arkeologjik që gjendet brenda këtij kompleksi. Butrintin qoftë me familje apo edhe me miq e shokë, por edhe me vet ekipin e portalit tonë “prointegra” e vizituam në veçanti. Ndaj edhe kësaj radhe më shumë do të përqendrohem në fotot e realizuara brenda vet objektit të muzeut ku edhe pata edhe promovimin e librit tim, “Shqiptarët në Zvicër- 1001 pamje” me organizimin e Lnpsh “Pegasi” Albania, kryesuar nga Kristaq F. Shabani.
Por ti kthem më konkretisht muzeut i cili u hap në vitin 1960, me objektet arkeologjike të zbuluara nga Misioni Arkeologjik Italian. Përndryshe, gërmimet e bëra gjatë viteve 1960-1980, nga arkeologët shqiptarë, zgjeruan koleksionin e objekteve të ekspozuara si dhe njohuritë mbi vet Butrintin. Ndërkaq, në verën e vitit 2005, muzeu u rinovua dhe u pasurua me gjetjet arkeologjike të zbuluara nga gërmimet e projektit të përbashkët të Institutit të Arkeologjisë dhe Fondacionit Butrinti që nga viti 1994, transmeton, mësojmë nga një regjistrim i atsh-ës.
Derisa jashtë dhomave të muzeut janë të ekspozuara statujat më të mëdha, brenda gjenden objekte periudhash të ndryshme. Ndërsa që të janë të ekspozuara 1323 objekte, të cilat janë të ndara sipas rendit kronologjik, duke nisur që nga prehistoria deri në periudhën veneciane.
Në faqen e këtij muzeu figuron se : “ Fillimi i gërmimeve sistematike në këtë qytet nga arkeologët shqiptarë shtoi ndjeshëm objektet dhe monumentet arkeologjike, të cilat u pasqyruan përmes disa rikonstruksioneve të muzeut dhe në mënyrë të veçantë të atij të v. 1988, kur muzeu mori formën e plotë. Historia e qytetit me lindjen, zhvillimin e rënien e tij shtjellohet me anën e materialit arkeologjik dhe me burimet e shkruara të autorëve antikë.
Prezantimi edhe i qendrave të tjera më të vogla të banimit në zonën përreth Butrintit sqaron më mirë kushtet e lindjes e të lulëzimit të qytetit të Butrintit gjatë periudhës helenistike dhe periudhës romake…”
Muzeu pati një periudhë mjaft të vështirë përmes së cilave kaloi. Vitet 90-91 dhe trazirat civile të 1997 ishin periudha të vështira për Shqipërinë, dhe kjo gjë u manifestua dhe në Butrint nga grabitja e muzeut të vjetër. Midis viteve 2000-2005 dhe 2008 Ministria e Kulturës, Parku Kombëtar i Butrintit në bashkëpunim me Institutin e Arkeologjisë, Fondacionin Butrinti dhe institucione të tjera shqiptare dhe të huaja punuan për gjetjen e objekteve të vjedhura dhe për t’i risjellë në Butrint. Ky bashkëpunim i frytshëm dha rezultatet e tij në verën e vitit 2005 kur ambienti i muzeut u rikonstruktua dhe u pasurua me materialet e zbuluara nga gërmimet e përbashkëta të Institutit Arkeologjik dhe Fondacionit Butrinti, që nga viti 1994.
Nga të dhënat që arritëm të sigurojmë përmes faqes Monuments of albania, mësojmë se: “Rihapja e muzeut, në Tetor të 2005, u mundësua nga mbështetja dhe ndihma financiare e Parkut Kombëtar të Butrintit, Institutit të Arkeologjisë, Fondacionit Butrinti, dhe Fondacionit Leventis. Historia e qytetit me lindjen, zhvillimin e rënien e tij, shtjellohet nëpërmjet materialit arkeologjik dhe burimeve të shkruara të autorëve antikë. Paraqitja edhe e qendrave të tjera, më të vogla, të banimit në zonën përreth Butrintit sqaron më mirë kushtet e lindjes e lulëzimit të qytetit të Butrintit gjatë antikitetit dhe periudhës romake.
Brenda periudhës antike vend të veçantë zënë pasqyrimi i qarkullimit monetar si dhe mbishkrimet e shumta të Butrintit, të cilat flasin edhe për organizimin shoqëror e politik të qytetit. Antikitetit të Vonë dhe periudhës bizantine i është kushtuar një mjedis ku nëpërmjet vitrinave e paneleve vihet në pah tkurrja e qytetit dhe kthimi i tij në një qendër fetare. Materiali i ekspozuar në muze, numri i madh i monumenteve të zbuluara e të ruajtura mirë, si dhe mjedisi piktoresk, me tabelat shpjeguese përkatëse, e rritin shumë informacionin që merr vizitori.
Gjithë përmbajtja e muzeut shtjellohet mbi bazën e tre kritereve; ai kronologjik, që synon të japë zhvillimin e qytetit në periudha të ndryshme kohore duke filluar nga parahistoria e thellë (epokat e gurit ) deri në rënien e tij gjatë mesjetës; ai tematik, për të dhënë aspekte nga jeta e përditshme ekonomike e shoqërore si zejtaria, tregtia, marrëdhëniet me rajonin dhe Mesdheun, arti, kulti, arsimi, etj.; dhe ai didaktik që realizohet nëpërmjet përdorimit të paneleve, hartave, skicave, maketeve, rikonstruksioneve tripërmasore të monumenteve kryesore etj. Si i tillë, Muzeu Arkeologjik i Butrintit, është muze me standarde bashkëkohore dhe shumë i veçantë në fushën e tij. “.