Ashtu, siç e himnizuan pashain përmes punimeve personalitete mendore të shekullit të 19-të, ndër ta Bajron, Dyma, Hygo, Gete e të tjerë, ngjashëm vepruan edhe piktorë të kohës, duke e përjetësuar “Luanin e Janinës” në tablo impozante arti, që stolisin muret e dhomave, ku nuk mungojnë as dhomat me kostume shqiptare të asaj epoke.
Teksti e fotot: Rexhep Rifati
Nga muzetë që vizitova, më interesanti mu duk Muzeu i Ali Pashë Tepelenës në Ishullin e Liqenit të Janinës, rrethuar nga të gjitha anët me ujë, ku edhe realizova edhe një vizitë familjare. Muzeu është shtëpia ku jetoi derisa u vra nga turqit, Aliu më 24 janar të vitit 1822, në moshën 82 – vjeçare. Karakteristike se tek muzeu, që gjendet në një ishull të banuar, liqeni mund të arrihet vetëm me anije apo barka që nisen nga brigjet e Janinës. Vendi ku gjendet muzeu është tejet atraktiv dhe tërheq shumë vizitorë, kryesisht të huaj, por edhe shqiptarë.
Rrapi 700 vjeçar, me emrin e Ali Pashës
Në oborrin e Muzeut ndodhet një rrap me mbishkrimin: “Rrapi 700 vjeçar i Ali Pashës”. Po aty para hyrjes në ndërtesën dykatëshe të muzeut është edhe një top me gjyle të shkrepura nga koha e Ali Pashë Tepelenës. Sa i përket brendisë së muzeut, në dy katet, krahas gjërave personale të pashait dhe armëve të praruara me argjend e arë, ka edhe dy dhoma me kostume kombëtare nga shekulli i XIX.
Fustani origjinal i Vasiliqesë
Në mesin e veshjeve tradicionale të epokës, bie në sy veçmas një fustan origjinal i Vasiliqesë , gruas së dashur në kohët e pleqërisë së pashait, ( që e hasim edhe në disa foto e vizatime), dhuruar nga të afërm të familjes Kondakçi nga fshati i Plisivitsa-s në Thesproti. Krahas kamishit karakteristik të qelibarit bien në sy edhe shumë bizhuteri prej bronzi e argjendi, fustanella burrash, si dhe armë të adhuruar nga aleatët e kohës. Mes shumë kamave e shpatave dallon edhe një dyfek i artë rreth 200 –vjeçar i pozicionuar në qendër të muzeut, i cili daton i stampuar në qytën e armës që në vitin 1804.
Pushka “karafile”, një dyfek i gjatë, praruar në ar
Ja edhe disa detaje lidhur me kthimin e kësaj pushke: Në tetor 2015, Muzeu i Ali Pashës në ishullin e Janinës, u pasurua me një pushkë origjinale të Ali Pashë Tepelenës, e cila është e larë në ar dhe ka të gdhendur, emrin e Ali Pashës dhe vitin 1804. Arma kishte qenë në zotërimin e një familje të vjetër fisnike nga Janina që në vitin 1930 ishte shpërngulur në Athinë. Në fund të jetës, zotëria posedues që dëshiroi të mbetet anonim vendosi që t’ia dhuronte Muzeut të Ali Pashës, edhe pse për këtë objekt origjinal mund të kishte marrë oferta nga shumë muze të botës. Arma e ekspozuar tashmë në muzeun e Ali Pashës në Janinë është e tipit karajfile. Pushka karajfil/e, është një dyfek i gjatë, që mbushej nga gryka dhe shkrehej me strall. Ajo, siç do ta shihni edhe në foton që shkrepa, kishte një tytë të gjatë dhe të hollë, shkrehej vetëm një herë dhe pjesën e pasme e kishte në formën e një koni.
Aliu i hyjnizuar në vargjet e Bajronit, Dymas, Hygos e Getes
Ashtu, siç e himnizuan përmes punimeve personalitete mendore të shekullit të 19-të, ndër ta Bajron, Dyma, Hygo, Gete e të tjerë, ngjashëm vepruan edhe piktorë të kohës, duke e përjetësuar “Luanin e Janinës” në tablo impozante artistike, që stolisin muret e dhomave.
Përmes eksponateve të shumta në muze, shihet edhe jeta luksoze që ka bërë pashai , por edhe fuqia e pushteti ngase aty është edhe një lloj mini-shtypshkronje ku janë prodhua monedha ari me figurën e Ali Pashë Tepelenës.
Vet objekti i muzeut të Ali Pashë Tepelenës, që në të vërtetë është shtëpia e tij me gurë dhe dru, ku Pashai i Janinës apo siç thërritej asokohe Luani i Janinës kaloi ditët e fundit të jetës, ndërsa priste faljen prej sulltanit. Por pikërisht në shkallët e drunjta të asaj shtëpia dykatëshe buzë liqenit , në ishullin e vogël , turqit ia prenë kokën sundimtarit të Janinës, që përndryshe ishte themelues i pashallëkut autonom dhe kryengritësi kundër Portës Osmane.
Një trup, në dy kontinente!
Ndërsa që varri, gjegjësisht trupi i pashait, pushon brenda mureve të kalasë, buz konakut të tij në Janinë. Ndërsa siç dihet koka e tij u dërgua në Stamboll, ndaj për Ali Pashainë, flitet si për njeriun që trupi i tij është shpërnda në dy kontinente!
Përndryshe muzeu menaxhohet shumë mirë, por edhe ka mjaft përfitime financiare nga ai, sepse pos barkave të vazhdueshme që lundrojnë nga Janina deri aty, edhe hyrja paguhet prej katër eurosh , ndërsa që dhe mund të blihen libra kushtuar pashait në gjuhën greke apo angleze.
Brenda një oborri edhe muzeu i Marko Boçarit
Në fund të oborrit të muzeut të Ali Pashës është edhe një objekt muzeal kushtuar Marko Boçarit, që ishte një kapiten suliot i luftës guerile dhe Hero i Revolucionit Grek që kishte pjesëmarrje të madhe të shqiptarëve jugorë, që janë të njohur edhe si «arvanitë». Marko Boçari është një ndër figurat kombëtare më të nderuara për grekët, dhe portretet e tij mbushin shpesh klasat, zyrat e administratës e të qeverisë dhe baraka ushtarake; pa llogaritur fare se ai vinte nga fiset me gjak të pastër shqiptar të Sulit.
Përndryshe autoritetet e muzeut vetë muzeun e Ali Pashës është edhe muzeu i Marko Boçarit, që karakterizon një tabelë përmbledhëse si “Periudha e Revolucionit”.
Do theksuar se ky muze në zemër të liqenit të Janinës, mbahet mirë, por edhe ka përfitime të shumta nga ana e tij, vetë figurës së Ali Pashë Tepelenës, nga e cila përfitojnë me sa duket më shumë të tjerët se ne vet, së paku nga ana financiare, përmes vizitave të shumta që bëhen aty sidomos nga turistë të huaj, që nuk janë të paktë. Pasi pos që paguhet barka që të sjellë deri aty gjithashtu paguhet edhe hyrja në muze.
Do theksuar se emri i Ali Pashës në muze askund nuk përmendet Tepelena, gjegjësisht Ali Pashë Tepelena, sepse sikur i iket vendlindjes dhe prejardhjes shqiptare të pashait me famë që ishte ndër pashait e rrallë që iu kundërvu portës Osmane, që edhe e kishte emëruar, ndaj nuk e kurse as nga ekzekutimi i pashembullt duke e ndarë trupin e tij në dy kontinente!