Muzeu Etnografik i Gjirokastrës ndodhet në lagjen Palorto, që është më e mirëmbajtura në qytetin historik dhe pikërisht në vendin ku ishte shtëpia e lindjes së Enver Hoxhës. Ndërtesa e muzeut është ngritur më 1966 pasi shtëpia origjinale ishte shkatërruar nga zjarri. Ajo u rindërtua si një model tradicional i shtëpive gjirokastrite me shumë përbërës kulturorë tradicionalë klasikë, që u kopjuan nga shtëpi të ndryshme në qytet. Nga 1966 deri më 1991 ndërtesa shërbeu si Muze Antifashist. Më 1991, këtu u sollën eksponatet e muzeut të atëhershëm etnografik. Ndërtesa ka 4 kate, të cilat janë që të gjitha të hapura për publikun.
Dhomat janë rregulluar sikur të ishin në përdorim dhe janë zbukuruar me sende shtëpiake, kostume popullore, objekte artistike e kulturore tipike për familjet e pasura të tregtarëve gjirokastritë ose administratorëve otomanë të shekullit të XIX-të.
Zyra për Informimin Turistik ju jep falas një broshurë që ju tregon më shumë hollësira për Muzeun Etnografik, thuhet në njoftimin e këtij muzeu të cilin pata rastin ta vizitoj qysh në gusht të vitit 1979 në kuadër të Ansamblin muzikor “Kastriotët” nga Ferizaj, ku isha edhe kryetar i parë.
Edhe vet qyteti i Gjirokastrës është muze në veti, ndaj edhe një pamje e tij.
(Nga R.Rifati)