Muzeu Etnografik i Gjakovës, me mbi 1700 objekte të kulturës materiale

Kësaj radhe, në vazhdën e prezantimit të muzeve tona, ju njoftojmë me Muzeun Etnografik të Gjakovës, që gjendet në një shtëpi me karakteristikat më interesante në qytet, përfaqësuese tipike e banimit urban e ndërtuar qysh më 1810 nga mjeshtërit dibran. Në ambientet e këtij muzeu ruhet një eksponat i rrallë i rrobave karakteristike të punuara me dorë nga esnafet e terzive të Gjakovës.

Fotot: Shkëlzen Rexha

Ndërtesa ka dy etazhe dhe dy çardak. Përdhese shfrytëzohet për ekspozita tematike, ndërsa në këtë pjesë janë të ekspozuara edhe eksponate të zejeve të kultivuara në qytet e rrethinë.
Regjioni ynë, në të kaluarën ka qenë përgjithësisht vend bujqësor e blegtoral, me përjashtim të qytetit i cili me tepër është marrë me zejtari. Dhe në këtë mënyrë Muzeu mbledh objekte dhe vegla pune të këtyre kulturave dhe njëherësh bëhet edhe studimi i themelt i tyre. Në kulturën materiale ka rëndësi të madhe mbledhja dhe studimi i veshjeve popullore, tapet e tyre, variantet e banesës popullore me orenditë e aksesoret e tyre.

Seksioni i etnografisë pranë Muzeut studion dhe përcjell lindjen, rritjen, përparimin dhe ndryshimet e popullit gjatë formacioneve të ndryshme ekonomiko-shoqërore e kulturore në të gjitha fazat e zhvillimit të tij.
Muzeu është i pasur me koleksione të ndryshme, si atë të bujqësisë dhe blegtorisë dhe referantin e disa zejeve që nuk janë zhdukur tërësisht. Po ashtu në këtë muze është edhe koleksioni i veshjeve me motive nga treva të ndryshme të Gjakovës.
Koleksioni i Etnografisë disponon me një fond prej 1730 objekteve të kulturës materialeve te gjetura në vendbanime qytetare dhe fshatrave të regjionit të Gjakovës, gjatë periudhave të ndryshme historike.
Kjo ndërtesë u shndërrua në muze në vitin 1981.
Ndërtesa fillimisht i takonte familjes gjakovare Sina, me pas familjes Boshnjaku, ndërsa më vonë e kishte blerë familja Haxhismaili. Nga kjo familje në vitin 1981 e kishte marrë në pronësi Kuvendi Komunal për ta shndërruar në Muze Etnografik.
Në muze ka kryesisht eksponate etnografike.
Për momentin muzeu i shfrytëzon tri dhoma për eksponate së bashku me korridorin në katin e epërm dhe në përdhesë, ku janë të vendosura disa eksponate dhe shfrytëzohet si hapësirë për ekspozita.
Duke u bazuar në këtë, stafi profesional ka bërë përpjekje që në muze të sjellin shumë vegla pune të kultivuar në qytetin e Gjakovës në të kaluarën.
Në katin e epërm të muzeut në korridor janë të vendosura disa eksponate etnografike të veshjes së popullsisë ndër mote, si dallamen solemne qytetare e qëndisur me fije ari, veshje kombëtare të konfesionit të krishterë të trevës së Hasit, tirqe për veshje kombëtare të fëmijëve, pastaj shumë enë të bakrit, të amvisërisë, të cilat janë përdorur nga popullata në të kaluarën, kutia e nuseve në të cilën është vendosur paja me rastin e martesës.
Në anën e majtë të këtij korridori bien në sy shumë eksponate të amvisërisë të përdorura nga qytetarët në të kaluarën si sofra, tepihë etj.
Në ambientet e muzeut ruhet një eksponat i rrallë i rrobave karakteristike të punuara me dorë nga esnafet e terzive të Gjakovës për një familje beglere të derës së Kryezive, të cilat për shkak të vlerës së madhe ruhen në kasafortën e muzeut për shkaqe sigurie dhe te cilat herë pas here dalin në ekspozita që organizon muzeu. Në pjesën e poshtme të muzeut po ashtu ka eksponate të tjera të vlefshme si pitosi i kohës ilire, një eksponat me vlera të veçanta.

Vizitorët këtë muze me vlera të çmueshme të kulturës sonë maeteriale mund ta gjejnë në Rr. Nëna Terezë në “Shtëpinë Tradicionale Qytetare”. Përndryshe ky muze tërheq edhe mjaft turistë të jashtëm , si dhe nxënës shkollash të ndryshme nga kjo rrethinë.

( Për këtë publikim tekstin e huazuam nga faqja e Fb të Muzeut etnografik, ndërsa fotot na i dërgoi bashkëpunëtori ynë, fotografi i mirënjohur, Shkëlzen Rexha, ndaj edhe në emër të portalit e falënderojmë me këtë rast.)