Në vazhdën e prezantimeve përmes portalit tonë, kësaj të hëne, si në fillim të çdo jave, prezantojmë Muzeun Kombëtar Etnografik Berat, i hapur që prej vitit 1979, i cili përfshinë kulturën popullore etnografike të trevës së Beratit, si edhe atë të Shqipërisë së Jugut e që përfshin një fond prej mbi 1000 objektesh
Nga Rexhep Rifati
Muzeu Etnografik i Beratit është i vendosur në një banesë me arkitekturë popullore beratase, dykatëshe dhe me çardak në një krah. Koha e ndërtimit sipas rrjetit “Muzeumet Berat”, i përket shekullit XVIII. Është pjesë e krijimtarisë popullore, e ideuar dhe ndërtuar nga mjeshtrit popullorë. Fondi i pasur i objekteve shkon në mbi 1000 të tillë, si një dëshmi e kulturës dhe traditës mjaft të pasur të trevës së Beratit.
Panoramë e kushteve të jetesës
Muzeun Etnografik i Beratit është i vendosur brenda mureve të një banese tipike beratase që i përket shekullit të 18-të. I përshtatur në dy katet e shtëpisë, që ndodhet në ansamblin muzeal të qytetit të konsideruar Trashëgimi Botërore e UNESCO-s, ky muze shfaq për publikun pavijone të lidhura organikisht me njëri-tjetrin, të cilët sjellin një panoramë të plotë të kushteve të jetesës, zakoneve të përditshme të banorëve të qytetit dhe nivelin pasuror të tyre.
Arkitektura
Arkitektura e jashtme e ndërtesës tregon për nivelin zhvillimor ekonomik të familjeve të mëdha të Beratit të më shumë se 200 viteve më parë. Imitimi i pazarit të vjetër të Beratit me dyqanet e qëndistarëve, punuesve të drurit, punuesve të metalit, sjellin në ditët tona ngjyrimet e kohërave të shkuara, ku puna e dorës kishte një rol parësor në burimet e jetesës dhe tregtisë. Një pus i vjetër në oborr të shtëpisë është një objekt që karakterizon jo vetëm shtëpitë e Beratit, por e gjen gjerësisht të përhapur në Shqipëri.
Jeta Beratase
Mënyra sesi jetonin vendasit tregohet në katin e dytë të Muzeut ku objekte të vjetra janë shpërndarë në ndarjet e shtëpisë për të rrëfyer në heshtje sqimën e dhomës së miqve, dhomën e gatimit dhe përgatitjes së të gjitha vakteve të ditës, dhomën e punës së dorës që kryhej nëpërmjet tezgjahut.
Çardaku
Konsiderohet si hapësira më e rëndësishme në banesë, me qoshkun ku gjenden mindere, qilima e velenxa. Tek sa pjesa tjetër e banesës është e gjitha e ndërtuar me gur, këtu është druri elementi kryesor i ndërtimit. Shpesh në këtë ambient punohej dhe tezgjahu. Në shtëpitë karakteristike të qytetit kjo hapësirë zihej kur shtohej familja, e ndihmonte për të krijuar mjedise të tjera banimi të nevojshme. Kjo hapësirë në muze është pasuruar edhe me orendi të vogla shtëpiake që shërbenin për të gostitur miqtë apo të zotët e shtëpisë kur kishte ngjarje të mëdha në familje.
Një ndër dhomat më interesante që mund të vizitoni në muze është Dhoma e fshatit, krijuar apostafat për miqtë burra. Dhoma dominohet nga sofra e ushqimit dhe oxhaku. Ajo që ngjall kuriozitet është fakti se po në këtë dhomë ndodhet dhe dollapi i rrobave, ndërkohë që enët janë vendosur mbi tartabenë.
Muze që josh nga brenda e jashtë
Dhomat e tjera që mund të vizitoni përfshijnë Dhomën e tezgjahut, Kuzhinën, Dhomën e miqve në Berat etj. Në muze autoritetet ruajnë rreth 1200 objekte të trashëgimisë kulturore, të shpërndara estetikisht bukur në sergjene, dollapë, kanate dritaresh apo pranë oxhakut të bardhë të dekoruar me modesti nga etnografët.
Të gjitha orenditë janë të përmasave të përshtatshme për një muze impresionues që të tërheq duke nisur nga oborri dhe muret rrethuese. Muzeu është ndalesa e padiskutueshme e grupeve të turistëve të huaj dhe shqiptarë që njohin në këtë njësi domethënëse kulturore sjelljen bazike të kësaj pjese të Shqipërisë. Muzeu Etnografik i Beratit është pjesë e rrjetit të muzeumeve më identifikuese të pellgut të Adriatikut, përcjell përmes këtij shkrimi Intoalbania, që zakonisht jep informacione me vlerë për kulturën e traditën me interes për vizitorët shqiptarë e të huaj.
( Fotot i kam shkrep gjatë vizitës me 31 Korrik 2014, gjatë një seminari dyditorë të mësuesve nga mërgata në qytetin e Beratit)