Muzeu etnik arbëresh në qytezën Çifti të Kalabrisë

Në qytezën tejet atraktive si për nga pozita ashtu edhe pamja: Çifti, (it. Qivita) në Kalabri,  gjendet muzeu etnografik arbëresh, që ruan edhe sot e kësaj dite eksponate dhe momente të familjes se hershme arbëreshe. – Përndryshe edhe vet qyteza Çifti, paraqet një muze në vete, me shtëpitë karakteristike, shumë nga to shekullore

Teksti dhe fotot: Rexhep Rifati

Këtë muze pata rastin ta vizitoj tri-katër herë radhazi, sepse çdo shoqërues i imi donte të njihej me thesarin që ruajnë deri në ditët tona, vëllezërit arbëresh, që përmes asaj që ruhet në muze të njihen edhe me mënyrën e jetesës ndër shekuj, që nga ngulimet e tyre nga trojet e të parëve. Përndryshe edhe vet qyteza Çifti, paraqet një muze në vete, me shtëpitë karakteristike, shumë nga to shekullore.

Sa i përket Muzeut etnografik në Çifti, ai është themelua gati 53 vjet më parë, gjegjësisht më 25 maj 1967. Ndërkaq disa nga veshjet që janë ekspozuar në te kanë lashtësi 100 vjeçare. Në këtë muze pos veshjeve tradicionale arbëreshe, që barten prej shekujsh në këtë anë, hasim edhe në shumë vegla bujqësore e orendi shtëpiakë, por edhe foto familjare dhe të personaliteteve arbëreshe, ndër të cilat spikat një foto e Jeronim De Radës, hip në gomar, pasi kështu e bënte udhëtimin rilindësi ynë i madh sa herë që shkonte nga vendlindja e tij, Maqi për në Shën Mitër ku ligjëronte në Kolegjin e Shën Adrianit.

Si zakonisht edhe këtu, në këtë muze,  ka mjaft nga punimet e Ibrahim Kodrës, pasi ai nga ky katund edhe u frymëzua për stilin e tij kubist, meqë disa nga shtëpitë e vjetra të këtushme edhe janë në formë të kubit dhe paraqesin interesim edhe për shumë vizitorë të huaj.

Gjatë vizitës në këtë muze që pata me mbi 50 studentë shqiptarë nga Zvicra, na priti muzeologu, Demetrio Emanuele drejtor i këtij muzeu dhe njëherësh themeluesi i revistës gjithëpërfshirëse të arbëreshëve “Katundi ynë”. Pasi shfletojmë disa nga numrat e kësaj reviste ai na thotë se thotë se kjo revistë është një prej kështjellave më të mëdha të identitetit arbëror. Ai shton , se kjo revistë është më jetëgjata medie e shkruar arbëreshe në të gjithë historinë pesë shekullore të bashkëkombësve tanë të vjetër.

“Katundi Ynë” botohet njëherë në tre muaj në qytezën arbëreshe të Çiftit (Civita) të Kalabrisë. Tirazhi i saj është 3500 kopje dhe nuk shpërndahen vetëm në Itali, por edhe në Evropë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada. Jo pak prej saj shkojnë deri edhe në Amerikën e Jugut, ku edhe jeton një komunitet i madh arbëresh, i shpërngulur nga kjo pjesë e Italisë së Jugut.

Revista me jetë katër dekadëshe nuk e ka ndërprerë publikimin asnjëherë, as nuk e ka shtyrë atë. Botohet me rregullin e një ore zvicerane edhe pse financat e saj jo vetëm nuk janë të pasura, por e rrezikojnë çdo çast. Ndaj edhe çdo vizitor i muzeut ka rastin të pajiset edhe me ndonjërin nga numrat e kësaj reviste ku zakonisht ka shkrime në dy gjuhët. Ndërsa që në katin përdhes gjendet edhe një bibliotekë me një fond të konsiderueshëm librash, në mesin e tyre edhe të autorëve arbëresh.