Musa Jupolli : Saga e poetit, Prend Buzhala, miku im filozof parajsor mes librit dhe lexuesit

Më tha Bardhec Berisha: “Sot e takon Prendin, nesër e nxjerr një libër, hiç nuk i dihet”! 
I thash Mentorit: ” Sot i flet Rexhës për arbëreshët, nesër niset, hiç nuk i dihet!

Të shkruash është mjeshtri.

Çdo libër na mëson diç të re, në mënyrën e dialogut, paraqitjes së personazheve, ndaj mënyra e vetme të dimë sa vlen një shkrimtar, një poet, është ta lexojmë atë më vëmendje!

Prend Buzhala e përdor shkrimin si mjet komunikimi, gjuha është e gjallë, duket e bukur, e këndshme, nota në pentagram në prozë-poezi-poemë, një filozofi e tërë në letrat e bukura shqipe!

Arti i të shkruarit është i përjetshëm,

Letërsia në kërkim të mësimeve, në artin e jetës, çka shkrimtari shpesh kalon në filozof, si në kohë Platoni, ah kjo prozë e poezi filozofike të Prend Buzhala mu si Henri Jems apo Thomas Man, shkrimtar filozofie si “shkencë e ndjenjave” nëse ajo do të ekzistonte!?

Prend Buzhala shkruan për të konkretizuar gjuhën e shpirtit, gjuhën e qenies së thellë, për të zgjuar dridhjet e ndjeshmërisë dhe fuqisë së imagjinatës në mënyrë që të akordohet harmonia mes krijuesit dhe lexuesit, pra që të kuptohet shpirti dhe mesazhi që ai e përcjell.

Kjo formë e shkrimit Prend Buazhalën e afron shpirtërisht n’ harmoni të pajtimit, në rastin tonë kultura arbërore si shtyllë e qëndresës, një thirrje për kthjelltësi n’ artin e jetës sonë, mision që na bënë të ëndërrojmë, të udhëtojmë qetë e këndshëm, për të na zgjuar drejt pafundësisë, dje e sot për të nesërmen në knimet ilirishte!

 

«Stili» i suksesshëm i një krijuesi, paradigmë që të jetë “unik” ose i dallueshëm, që ofron melodinë e letrave, stil që e konfirmojnë zhanret që ai ju qaset.

Leximi i veprave zbulon lidhjet që bashkojnë autorin dhe kritikun letrar, në më shumë vështirësi, në këtë rast Prend Buzhala, krijuesi që është edhe kritik letrar, besoj se Shefqet Dibranin nuk e frikëson qasja  e tij prej kritiku që të njëjtën kohë edhe ky është shkrimtar e poet!

Shkrimtari nuk jep thjesht ilustrimet që i duken më të rëndësishme, ai bënë rekomandime për rregullimin mes lexuesit dhe krijuesit, një formë shpirtërore që e mbanë në përgjegjësi Prend Buzhala, duke e njohur jo veç filozofinë e tij po edhe mesazhin që e dha dhe e jep edhe sot për t’ ardhmen!

Pra, një krijues i mirë është ai që din ta përçoj fjalën, mesazhin e tij përmes veprave, ide e filozofi, koherencë e qartësi, i pasionuar dhe që e ka  stilin e tij, ne temat që i trajton.
Në kulturën e letrave poeti-shkrimtari, kritiku, eseisti  Prend Buzhala është  burimi i ideve, vërtetësisë, dhunti ku filozofia ia pranon qoftë edhe fushën e  mitit, kur miti zbërthehet në gjysmë imagjinatën që e përmban . Kjo fushë e mitit zbërthehet me aq përkushtim të Prend Buzhala me ndihmën e metaforës ku  kushtëzohet veprimi mbi shpirtrat, bëhet i përjetshëm ashtu siç ilirishtet apo shqipëritë e sotme ku poeti flet me hyjnitë duke e përçuar mesazhin  te lexuesi.

Ja si e thotë Prend Buzhala
NGA FORMULA E PAGËZIMIT TË SHPIRTIT I SHENJTË I LIRISË

NJERI KRAH I SHQIPONJËS PËRKULET NGA ARBËNI TEK ARBËRI

NGA ILIRI TEK DARDANI

NGA SHQYPJA TE SHQYPJA E TEK TË GJITHA SHQIPËRITË

Kultura letrare e Prend Buzhalës bazohet në kritere të normave të shoqërisë po edhe estetikës që e quajmë Mjeshtër prestigjioz, norma gjuhësore, ku letërsia është zbërthim i ideve dhe zbatim i kulturës së gjuhës.

Dekarti thotë “ shkrimtari dhe filozofi» e gjejnë veten të bashkuar sërish në figurën ideale të «njeriut të letrave»!

Në  ANI I ILIRISHTEVE e gjejmë edhe këtë :

“O ZOT, SA GJATË

NUK PASKAM SHËNUAR ASGJË ILIRISHTE

E TASH MË DUHET TË ZBRES

NË NËNTOKËN E THELLË TË DITËS SË KUJTIMEVE”…

apo

«Ora e Maleve, Banorë të Diellit, të Një Atdhe i Tjetërsueshëm»…

BALTËN QË MA HODHËN NË FYTYRË QË 500 VJET

 

Ani do t’i sjell Diellin, retë dhe si ngadhënjim

ME VETE SOLLA PËRGAMENËN E DARDANIA SACREA-S

E po , thotë Prend Buzhala: Atdheun e përbëjnë njerëzit.
Shqiptari kudo që shkon e ngado që shkon, shqipërisht një copë atdhe e merr me vete!


Me Prend Buzhalën  udhëtuam, dhe folëm …për Krujën, për Vlorën e për Gjirokastrën, me një kafe përqafuam Diellin e Sarandës …po sa u rikthyem në Prishtinën e Pjetër Bogdanit shpërtheu xhelozia e Prendit për Parisin tim!

Shkruan Prend Buzhala:
Musaja e pagëzoi SHTATORI I PRISHTINËS. Unë ia shtova vetëm fjalën parajsë (Shtatori parajsor i Prishtinës). E, si të largohet Musaja nga Parajsa e të shkojë në Paris?»

Eh, edhe parajsa ta humb rrugën e kthimit!

Prishtinë, viti 2023

Eh! I thash vetës ç’më ngatërroi perëndia në “Rrethin e poetëve të humbur” dhe ha mendjen në refleksione filozofike, në guxim, në dashuri për artin dhe jetën, për vlerat dhe qytetërimin, për dialogun që të promovohet liria e deri të një shkrim i Prend Buzhalës me 06 maj 2025 ku mu ringjall një fije shprese për  Prishtinën parajsore. 

Shkruan  Prendi:

Nga mëngjesi e deri në orët e vona të mbrëmjes, Prishtina mori fytyrën e një mozaiku të gjallë….

Dhe ndërsa nata ra mbi qytetin e gjallë, mbi Prishtinën ra edhe hija fisnike e një kujtese që mbetet DRITË: kujtesa e një njeriu që nuk luftoi vetëm për tokën, por për dinjitetin e një populli të tërë.

Nga kjo datë historike,  na erdh Prend Buzhala që të takohet me ata që bartën një copë atdhe me vete, një copë atdhe dhe një hambar me kulturë iliro-arbërore na e solli këtu në Lucern, ku ia bashkangjesim fjalën për veprat e tij me dashuri letrare!

Prend Buzhala Homeri ynë

Po një, që ju nuk e dini, Prendi është edhe partiak
Partia e Prendit është KOMBI!