Musa Jupolli: “Më thanë…”

Në krijimtarinë e tij, Poeti vihet në shtjellën e një  filozofi i cili ka idenë, por kërkon fjalën.Krijon një  qark mendimesh e në dialogun e tij heton histori e hulumton mbi të. Nuk është në kërkim të  Helenës… por kush e solli Doruntinën.

Mbi këtë atlante, nuk ka fitimtar e të humbur. Ka  emra, heronj, e nuk dëgjohet troku kalorës i Kostandini që kapërcen nëntë malet, por mbretëri të tëra: Ilir e Romakë, Paganë, Profanë e Besimtarë. Janë të heshtur, nuk janë në aksione, lexohen vetëm emra, sikur të jenë pitogramë e atyre hartave gjigante të europës,  ku çdo emër mban një epope, mban një histori.

Nën muzikën e Orfeut iu këndon Perëndive të Homerit, emrat e të cilëve i tingëllojnë shqip.Në arkipelagun e vargut arbëror, Poeti merr Udhën, e m(Odhise-t)në ato troje ku frymon Arbëri. Nëpër Europë dikush ra në  këmbët “mashtruses Circe”, Odese ia thoshin ,e  Uliks i thirrën.

Afërditën  e  vodhën…

E Roma e Eneas e fshehu, por nuk fshihet agimi.Nuk fshihet dielli që del afër ditës, mëngjeseve, në gjuhën e bukur të arbërorëve, e  Afërditën e Malësisë gjen mes maleve të Rugovës, në Pargën e tumankuqeve e belhollave…

Zhytet në estetikë, dhe  lotin Apostrofon: A të kujtohet Berlini, Londra Parisi?/ Po alfabeti i Samiut? Sa milion shqiptarë kam në Turqi? / Asnjëherë qytetar nuk mi pranove, Gjuhë-libëra atyre ua ndalove.

Nalon në Paris

Si gjerdan  polifonie radhit tridhjetë e pesë vjet të tij./ Në ato nota nuk rrëfen  as për “ të mjerët e Hygos e as “fleurs du mal” të Charles Baudelaire.

Nuk elozhon buzëqeshjen enigmatike të  Monalizës dhe as fatin  e Maria Antonietës. Por, aty takon Prishtinën, Arbërinë, Kadarenë gjen/ E me Rugovën mijëra xixëllonja nga shpirti për atë Mars 1999 ndan në kaltërsi.

Në rrugët e qytetit të revolucionit  e të iluminizmit  si një eretikë ecën me refrenin

“ Më Thanë,…

Më thanë shumë gjëra”/ Por, unë iu thashë…/ Mjafton ta  lexoni  Ronsardin e Voltair …!

Penën e mbush me gjakun e shpirtit të tij ku nëntorët mbajnë simbolin kuq e zi / Ato ngjyra si flatra, të çojnë në brigjet e Drinit, mbi flokët e thinjura të mëmës Vjosë që gërsheta thur brenda grykave të malit në Bunën e Rozafë, “Lakuriqja e Parisit” shfaqet Shkumbinit Bardhok e shtrat gjerë, të përjetshmit të dashuruar, mbetën  Toskë e Gegë .

Me vargjet e tij  si një heretik kërkon.

Në netët e vona pariziane, kur dritat e qytetit  romantik zbehen, si qiri  shpirti poetit shkrihet me  Naimin, e penën ngjyen e Çajupin përshëndet, / Tretet në gjumë me Luhatën e Malscisë të Fishtës. Mëngjeseve, një letër me shkronjat e lashta  Pjetër Bogdanit ia nis. E  nënë Terezës në të gjitha gjuhët e botës i lutet .

Një obelisk  me vargje  rradhit ;/ Matrënga, Buzuku, Azem Shkreli, e Anton Çeta, Martin Camaj e Faik Konica, nis e i gdhende në letër / Në mal e në det, matan Jonit e kudo që është Arbëri, si një ylber qëndrojnë dy epigrafe në gjuhën çame skalitur nga një vashë dardane./ Atdhe e Dashuri/ Gjuhë e Flamur !

Rinia e poetit nuk janë “ethe” të Kierkegaard,as erotizmi i Apollinaire e bohem në Notre-Dame de Paris/ Ajo  është  “ Magjypja e tij” me fytyrën  mesdhetare, e sy të kaltër, nuk ka se çfarë ti lakmojë bukurisë së Esmeraldës, as skenave të moulin rouge, kjo bukuroshe

Ilire,  është atje në odat më të bukura pellazgjike.

Vendlindja, e autorit si “LLjapit tim”, “Qyteti im Mesianë”, Ulqini, Bjeshkët e ujit. janë një  “hemisferë“ e përcjellë në Paris ku i pagëzohen si pianeta të shpirtit të tij. Një betim, i dehur nga dashuria për këto troje, ku Aleksandri, Justiniani, Pirro e Gjergji, ishin nga i njëjti truall,e flisnin te njëjtën gjuhë.

Kozmo i Poetit  nuk është i ngjyer me kobaltin blu,por një Diell i madh, ku në një cep vazhdon të jetë  Luli i Vocërr në kërkim të një rreze drite.

Si për çdo poet, letrat e dashurisë janë ato që mbajnë thesarin e shpirtit, gjurmët e lotit, peshën e rrahjeve të zemrës. Muza e tij bukuroshe, është Gjeja, zana e maleve, Dardania e familjes. Pavdekësia e tij është në pulset e emrave Albavalon, Mesian, dhe Elion, ku rrjedh gjaku i tij, emri i tij dhe është skalitur ajo gjuhë e përjetësisë.

Libri nga ana e strukturës  është ndarë në kapituj: Më thane, Gjuha shqipe, Shkupi im, Eu poet të vraftë e reja, Bardhokja, Dy ngjyra zëri. Stili që ka përdorur është lakonik, herë hermetikë, dhe ndihen gjurmët e një kulture letrare në poezinë e tij.

I urojmë poetit Musa Jupolli. suksese në krijimtarinë e tij dhe rrugëtime të mbarë librave të tij të në shërbim të misionit të tyre.

Ornela Radovicka, Qendra albanologjike mbi gjuhën dhe kulturën arbëreshe, themeluar nga At Bellusci 1980.