Musa Emini, një emër i veçantë në historinë më të re të Ferizajt

 

Sot në 65- vjetorin e lindjes, duke i uruar shëndet të mirë e mbarësi në familje do thënë, se të flasësh apo të shkruash për figurën dhe personalitetin e këtij humanisti dhe atdhetari të shquar ferizajas të ditëve tona, nuk është aspak punë e lehtë, veçmas kur ke parasysh gjithë opusin e veprimtarisë së tij shumëdimensionale, të një epoke më tepër se dyzetvjeçare.

Teksti e fotot. Rexhep Rifati

Pa hy në biografinë, mjafton të preket sado pak gjithë ai kontribut dhe angazhim  shumëvjeçar i tij, sidomos në periudhën më të bujshme të historisë sonë më të re, kur vendi u përballë me të gjitha format e dhunës nga okupuesi serbo-sllav. Dhe Musa, qoftë edhe i vetëm, qysh herët u bë një digë e fortë në mbrojtje të çështjes madhore shqiptare. Aq më parë, që një atdhetarizëm të flaktë e kishte trashëguar në gjene nga prindërit e tij atdhetar: Babë Nebihi dhe Nëna Isme, që qysh herët kishin provuar në trupin e tyre kërbaçin dhe dhunën serbe, por që asnjëherë nuk ishin zmbrapsur e dorëzuar. Përkundrazi, vetëm sa ishin forcua në bindjet e tyre, se armiku shekullor duhet luftuar me gjitha mjetet e mundshme.

I përkushtuar me zemër e me shpirt

Derisa isha në Ferizaj, nuk kam has njeri më të përkushtuar me zemër e me shpirt si Musa Eminin, jo vetëm pse ai e ofroi i pari në qytet shtëpinë për ta kthyer në një lloj institucioni, ku zu fill dhe u zhvillua veprimtaria e Degës së LDK-së në këtë komunë, e ku do të zhvillojnë fushëveprim të gjerë edhe Këshilli për të Drejtat e Njeriut në këtë komunë, si dhe resorët tjerë nga fusha e arsimit, shëndetësisë kulturës, informimit e të tjera, por që si i tillë angazhimin e tij intelektual, humanitar e atdhetarë do ta shtrijë edhe më gjerë në Kosovë dhe jashtë saj. Ndaj edhe atëherë e sot do të mbetet një njeri shembullor, i besuar dhe i respektuar.

Me grua arrtestohet nga policia serbe 

Ishte koha që përshkohej për çdo ditë me zhvillime të rënda, sfida e rreziqe, por si duket Musa Emini, bashkë me familje ishin edhe vet sfidues e të përgatitura për ti përballuar të gjitha, edhe më të këqijat. Ndaj edhe atëherë, kur u arrestuan apo edhe u keqtrajtuan edhe fizikisht, si Musa po ashtu edhe gruaja e tij, nuk u zmbrapsën asnjëherë. Pranonin çdo rrezik, vetëm që keqja më e vogël, të  mos u ndodhte të tjerëve, atyre dhjetëra e dhjetëra veprimtarëve që ditë e natë hynin dhe zhvillonin aktivitetet të pandërprerë politik e informativ në shtëpinë e tyre.

Por në këtë shtëpi, nga ajo që kam pa sa e sa herë, derisa isha në Kosovë, në vitin 1995, kur u detyrova të migroj, kam pa gjëra të mrekullueshme. Por, madhështia më e madhe ka qenë se Musa, por edhe e gjithë familja ishin vënë me shpirt e zemër deri në sakrificë për çështjen e Kosovës dhe përgjithësisht atë shqiptare.

Shtëpia e Musës- alternativës shqiptare

Shtëpia dhe familja e Musës, nuk ishte vetëm një seli e zakonshme e gjithë alternativës shqiptare, që pat marrë hov në ato vite, por edhe një vatër e ngrohtë mikpritjeje e dashurie njerëzore, ku gjenin strehim dhe zemërgjerësi njerëzit pa dallim bindjeve politike që kishin me njëri tjetrin. Ndonëse nuk kishin fëmijë Musa me të shoqen, patën jo vetëm rolin e mikpritësit, por edhe të prindërit sepse ata iu gjenden afër të gjithë atyre të rinjve që shërbenin në këshill apo që vijonin mësimin në shkollë e më vonë edhe atyre që patën nevojë për barna e artikuj ushqimor.

Shtëpia mirëpriti edhe atdhetarët e kohës

Shtëpia e Musës, në një mënyrë i ngjasonte kullave, ku u kalit dija, mençuria e trimëria, ngjashëm me kullat e Tropojës apo të Dukagjinit e Drenicës, sepse përmes dyerve të shtëpisë së tij kaluan apo edhe gjetën një strehim të ngrohtë edhe emra të mëdhenj të kombit siç ishin: Adem Demaçi, Sadik Tafarshiku, Mark Krasniqi, Zekirja Cana e shumë të tjerë.

Dhe jo vetëm kaq por brenda asaj shtëpie, duke zhvilluar aktivitet të pandërprerë, do të rriten e kaliten edhe heronjtë e ri të Kosovës, si Enver Topalli, Hyrë Emini, Rexhep Bislimi e shumë të tjerë. Po në këtë shtëpi do të defilojnë dhe zhvillojnë aktivitet edhe shumë veprimtarë të tjerë të çështjes shqiptare, që do të vihen në ballë të luftës në fronte të ndryshme ku veproi Ushtria Nacional Çlirimtare e Kosovës. Por, mesa kam mësua edhe vet Musa nuk do të mungojë në këto fronte, në mos me armë gjithsesi me ushqime, barna dhe ndihma humanitare. Sepse për te krahas frontit, rëndësi kishte edhe prapavija.

Një karakteri i fort unifikues e bashkues

Ndaj edhe madhështinë e Musa Eminit duhet shikuar edhe në karakterin e tij të fort unifikues, e bashkues, sepse në zemrën e shpirtin e tij ka vend për të gjithë, pa dallim bindjesh partiake, ideologjike apo fetare, mjafton për te që të jesh i përkushtuar në kauzën e lirisë, kombit dhe atdhetarisë.

Ndaj edhe Musën duhet shikuar e vlerësua, jo vetëm si të mirën e Ferizajt, sepse ai me kohë i ka kaluar suazat komunale e apo regjionale, duke kryer punë të jashtëzakonshme në disa fronte: jo vetëm brenda shtëpisë së tij, apo komunës së vetë, sepse sa herë që popullsie shqiptare ka qenë në rrezik, pavarësisht në Kosovë apo Maqedoni e gjetiu, Musa është gjet në vijën e parë, qoftë për ndihma humanitare në ushqime, barna apo edhe ndihma të tjera emergjente. Puna e ndershme e tij, ka bërë që ai të gëzojë besimin si brenda ashtu edhe jashtë Kosove, ndaj edhe përmes tij janë realizua projekte madhore, si ato përmes Shoqatës Humanitare “Nëna Terezë”, apo aksioni “Familja ndihmon familjen”, ndaj edhe adresa dhe emri i tij ndër vite u kthyen në një sinonim humanizmi e bamirësie dhe dashurie për qindra e qindra skamnorë e nevojtarë, por edhe refugjatët e luftës nga Maqedonia që gjetën strehim në këtë komunë.

Por edhe gjatë qëndrimit tim në Zvicër, përmendet me nderime këtu në mërgatë emri i Musa Eminit, sidomos për kontributin e tij në hapjen e ambulancave shëndetësore edhe në rrethanat e luftës dhe për të ndihmuar UÇK-në me gjitha mjetet që ka pas në dispozicion. Ky humanizëm, atdhetarizëm dhe kontribut i tij, ka qenë dhe ka mbet një mburrje edhe për ne kurbetçinjtë, ndaj edhe me rastin e ardhjeve të mija në Kosovë, çdo takim me Musën, ka qenë një kënaqësi e veçantë.

Sepse Musa nuk spikat vetëm si humanist e atdhetar, por ka edhe si një shpirt i ndjeshëm, përplot frymëzime, që e bënë edhe krijues, ndaj edhe kur dëgjon disa nga vargjet e tij nuk ke sesi të mos emocionohesh.

Si mi konfiskoi çerapat policia, thurr nga nëne e Musës 

Por, ajo që për mua, është diçka personale, por që ka një domethënie të madhe në jetën time, është një kujtim shumë mbresëlënës: rasti kur me dhjetar bashkëvendës në fshatin Komogllavë, si dhe mysafirë të tjerë, pjesëmarrës në festimin e Ditës së Flamurit,  28 Nëntorit 1991, kur policia serbe në mënyrë të shfrenuar përdori dhunë edhe unë e pësova keqe nga kërbaçi serb. Por me të marr vesh për këtë ndodhi, nëna Isme, nëna bujare e fisnike e Musa Eminit mi kishte thur një palë çorapë të leshta për të mi mbrojtur këmbët e mavijosura. I pata mbathë vetëm dy-tri herë dhe i ruaja si një lloj relikti të shenjtë, por ndodhi ajo që vështirë mund ta besoja që po ato çorapë më 22 Shtator 1995, gjatë një bastisje tjetër të policisë në shtëpinë time, të përfundojnë po ato çorapë në Stacionin e policisë në Ferizaj. Sepse shoqja ime kur e pa që do të arrestonin mi dha edhe këto çorapë me veti.

Më vjen keq që nuk i kam sot ato çorap që ti vendosi në Muzeun e Musa Eminit, ku ruhen gjëra me shumë vlerë etnografike e të cilat Musa me një përkushtim, pasion e dashuri i ka grumbulluar në anë të ndryshme, sa sot shtëpia e tij, me muzeun mund të shërbejë për vizita e referenca edhe nga nxënës, studentë, por edhe studiues.

Shtëpia pikë referimi bujarie e atdhedashurie

Sepse, siç mund të shërbejë vet Musa si humanist, atdhetar e unifikues i rrallë, edhe vet shtëpia e tij mund të shërbejë si pikë referimi bamirësie, bujarie e atdhedashurie, ndaj edhe kjo shtëpi nuk mund të llogaritet muze vetëm nga ajo ditë kur Musa solli shumë artefakte me vlerë, por gjithsesi nga dita kur në këtë shtëpi-muze, tri-katër dekada më parë zu fill veprimtaria politike, humanitare e informative e subjekteve shqiptare, të kësaj ane, që bashkë me anë të ndryshme të vendit, fatmirësisht falë një angazhimi gjithëkombëtar rezultoi me lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Për kontributin e Muses vështirë të shkruhen të gjtha

Në mbyllje të këtij shkrimi, mund të them se i kam hy shumë në hak Musës, sepse ai meriton edhe shumë më tepër se ky shkrim simbolik për te. Por shpresoj që secili nga ata që ka shkruar e do të shkruajë në të ardhmen për këtë figurë, as sot e as nesër nuk do të mund ti thonë të gjitha për kontributin e tij.

Ndaj edhe mburrem që kam një mik si Musa Emini, që ka qenë dhe ka mbet idol dhe frymëzim mirësie për mua, edhe në moshën që kam, e që përherë të parë jemi njohur këtu e 55 vjet më parë, unë si nxënës në normale e ai në ekonomike. Por që jeta na ka larguar, por jo edhe respekti për njëri tjetrin. Ndaj edhe krejt në fund urata ime shkon me një bekim për familjen e Musa Eminit, e sidomos për vajzën e tij Teutën, që ka pas fatin të ketë gjysh e gjyshe dhe prindër të mrekullueshëm.

(Fotot i kam realizua gjatë një vizite në shtëpinë- muze të Musa Eminit, në mesin e tyre edhe një foto të një vizite të Adem Demaçit në familjen e Musas.)