Mërgata jonë në Perëndim rekrutoi shumë ushtarë që u flijuan në altarin e lirisë  

Me rastin e 20- vjetorit të rënies së një numri të dëshmorëve në luftë për liri, në qytetin Reinach (BL) të Zvicrës u mbajt një tubim përkujtimor i organizuar nga Shoqëria Lëvizja, ku merrnin pjesë përfaqësuesit e degëve nga Austria, Franca Gjermania e Zvicra.

Teksti e fotot : Rexhep Rifati

Në këtë tubim që filloi me një minutë heshtje në nderim të dëshmorëve e të cili e moderoi Mimoza Cika, fjalën e rastit e mbajti koordinatori i degëve e kryetar i Lëvizjes për Zvicër Adnan Asllani.

Në prani edhe një numri familjarësh dhe shokë të aktivitetit të përbashkët në periudhën e para dhe gjatë luftës, mori pjesë edhe Ramadan Avdiu udhëheqësi i Konsullatës së Kosovës në Gjenevë, i cili gjithashtu evokoi kujtime për shokët e rënë në luftë, duke veçuar njohjen dhe takimin e tij me herënjët Fehmi e Xhevë Lladrovcin.

Me këtë rast shkëputa ca fragmente nga fjala e koordinatorit, Adnan Asllani, i cili që në fillim përmendi se ky përvjetor përkon me njëzetvjetorin e rënies së shumë shokëve tanë, shumë familjarëve, vëllezërve e motrave tona. Ndaj edhe ne sot këtu jemi mbledhur për të përkujtuar ata, si dhe për të shprehur dhembjen, por edhe krenarinë, për ata që ne i kemi dashur më së shumti, për ata që për lirinë tonë e sakrifikuan atë më shtrenjtën, jetën e tyre.
Më tej Asllani nënvizoi se: “20-vjet më parë, lufta në Kosovë kishte marrë përmasa dramatike. Atje po luftohej për jetë a vdekje. Fati i popullit shqiptar në Kosovë e në viset tjera shqiptare, po shkruhej me gjak. Në kohën kur shumëkush po mendonte se rezistenca shqiptare, në krye me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës do të dështonte, po ndodhte në fakt pikërisht e kundërta e saj.
Rënia e Adem, Hamzë e Shaban Jasharit, bashkë me familjet e tyre, në epopenë e pranverës së vitit 1998, kishte prodhuar një efekt të jashtëzakonshëm: UÇK-së po i bashkoheshin me mijëra vullnetarë. Shumë nga ata ishin nga Drenica, Dukagjini e Gollaku; nga Pashtriku, Shala, Nerodimja e Karadaku; nga Presheva, Tetova, Gostivari e Kërçova; nga Malësia e nga e gjithë Shqipëria.
Vargut të madh të djemve e vashave nga i gjithë vendi, po i bashkoheshin edhe luftëtarë të denjë e të përgatitur edhe nga Zvicra, Gjermania e Austria; nga Holanda, Suedia e Danimarka; nga vende të ndryshme të Evropës e nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra, mërgata jonë në ishte tejet aktive në Perëndim, sa arriti të rekrutoi shumë ushtarë që gjatë luftës u flijuan në altarin e lirisë

Më tej Adnan Asllani përmendi edhe figurat e shquara që ranë në altarin e lirisë që një numër i madh ishin pjesë e mërgatës, por që në momentin më kritiku iu bashkuan UÇK-së , cila siç potencoi në fillim ishte e vetme “përballë furtunës që po shkrumbonte gjithçka shqiptare”. Tubimi i sotëm, përkon me njëzetvjetorin e rënies së shumë shokëve tanë, shumë familjarëve, vëllezërve e motrave tona.

UÇK-ja pra, forca që po ngrihej si feniksi i ringjallur nga hiri

Më pastaj, Adnan Asllani u përqendrua tek themelimi i UÇK-së ata që u flijuan në altarin e lirisë: “Në çdo ushtar të saj mund të shihje vuajtjet, mund të shihje dëshpërimin e mund të shihje dhimbjen e thellë për humbjen e më të dashurve të tyre, por tek ata, në sytë e tyre, e shihje edhe shpresën për të nesërmen e ndritur, për lirinë e merituar që po fitohej me gjakun e djemve e vajzave më të mira.
Kosova pra, në vitin 1998 ishte në flakë. Gjithkah shkrumb e hi po bënte pushtuesi serb i cili po realizonte fazën e fundit të planit të gjenocidit që quhej me emrin e koduar „Patkoi“.
Ata po masakronin popullsinë cilivile, kudo që u jepej rasti, në mënyrë që zbrazja e Kosovës nga shqiptarët të ndodhte më shpejtë.

Burra e gra nga më të dëshmuarit e kombit

Përballë kësaj furtune që po shkrumbonte gjithçka shqiptare, ishte UÇK-ja e vetme!
Rreth saj ishin mbledhur burra e gra nga më të dëshmuarit e kombit. Ata kishin marrë fatin e vendit në duart e tyre dhe ishin betuar: vetëm vdekja na ndalon nga rruga jonë, nga lufta jonë. Sepse Liria është më e ëmbël se jeta.
Ademi, Hamza e baca Shaban, si dhe e gjithë familja e madhe e tyre, me sakrificën e tyre të pashembullt, kishin dëshmuar në radhë të parë para popullit të tyre, por edhe para botës, se Shqiptarët, nuk mund të nënshtroheshin aq lehtë. Ata më parë do të vdisnin të gjithë, se të bënin jetën e robit.
Ata më së miri e kishin kuptuar misionin e çlirimit, ngase me luftën dhe flijimin e tyre, kishin zgjua të gjithë shqiptarët nga gjumi.

Fehmi Lladrovci : “Më e shtrenjtë është liria se jeta”

Ata me rënien e tyre kishin hequr përfundimisht dilemën e mbjell, jo paqëllim, se gjoja Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte vegël e serbëve, se kinse ishin njerëz të dyshimtë e të maskuar. Pra ata, me luftën e sakrificën tyre, në fakt, përfundimisht ua hoqën maskën pikërisht atyre që e luftonin rritjen e UÇK-së brenda popullit tonë, duke mbjell dyshime e disfatizëm.
Se liria është më e ëmbël se jeta, e ka thënë me gojën e vetë edhe Fehmi Lladrovci, kur po pyetej nga gazetari BBC-së. Ai i tha atij se do të vdiste për Kosovën me dëshirën më të madhe, se më e shtrenjtë është liria se jeta.
Dhe këtë e bëri edhe në vepër. Ai krah për krah Xhevës, duke luftuar si dy titanë, u përjetësuan atë ditë shtatori, njëzet vjet më parë.
Fehmiu e Xheva ishin vazhdim i traditës drenicake, që grua e burrë të ishin bashkë në frontet e luftës. Derisa Azem Bejta kishte Shotën në krahun e djathtë, Fehmiu e kishte Xhevën me të cilën e kishte lidhur fatin e jetës qysh në rininë e hershme. Ata kishin lidhur jo vetëm fatin e jetës siç mund ta lidhin dy të rinj të zakonshëm. Fati i tyre ishte fati i luftës së përbashkët, fat i ëndrrës së përbashkët e fat i përjetësimit të përbashkët.

Vargu i dëshmorëve që përjetësuan lirinë 

Njëri nga ata, që e bëri të lavdishme UÇK-në, ishte pikërisht Ismet Jashari – Komandant Kumanova, para veprës të së cilit, ne përkulemi me respektin maksimal.
Por nuk mund të paramendohet lavdia e UÇK-së as pa veprën heroike të ushtarit mendjendritur e zemërluan, Mujë Krasniqi. Pa veprën heroike të kaçanikasit Agim Bajrami. Pa veprën heroike të ushtarit të regjur në luftërat ballkanike Bekim Berishës e shokut të tij të pandashëm Bedri Shalës. Të mendjendriturit të Lëvizjes Behajdin Allaçit e filozofit e shkencëtarit Ukshin Hoti. Luftëtarit të paepur Skënder Çekut. Të Ilir Konushevcit e Abedin Rexhës. Të Bahri Fazliut e Agron Rrahmanit. Të Sejdi Sejdiut e Agim Çelajt. Të Remzi Ademajt e Rexhep Bislimit. Të vëllezërve artistë Gursel e Bajram Sylejmanit. Të trimit nga Kërçova Beqir Limanit. Por edhe të drejtuesit të Lëvizjes, Xhavit Hazirit si njëri nga më meritorët për themelimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe shumë e shumë dëshmorëve të rënë në luftë për liri.
Dhe jo vetëm ata që ranë më 1998 i dhanë lavdi asaj ushtrie.
Ne do të kujtojmë gjithmonë, me respektin maksimal, të gjithë ata dëshmorë që kanë rënë për lirinë e atdheut, pavarësisht kohës së rënies së tyre.
Ndonëse ky tubim i kushtohet 20-të vjetorit të rënies së dëshmorëve të UÇK-së, ne asnjëherë nuk i heqim nga mendja heronjtë Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka. Ne asnjëherë nuk i heqim nga mendja Rexhep Malën e Nuhi Berishën. Bajram Bahtirin e Zija Shemsiun. Afrim Zhitinë e Fahri Fazliun. Zahir Pajazitin, Hakif Zejnullahun e Edmond Hoxhën. Luan e Shkëlzen Haradinajn. Xhemajl Fetahajn e Agim Ramadanin. Tahir Sinanin e Hyrë Eminin.
Në këtë vit jubilar, që ne po kujtojmë dëshmorët, nuk mund të harrojmë as kontributin e Jashar Salihut e Xhavit Hoxhës. Të Sabit Veselit, Avdi Mujës e Dinë Ahmetit. Të Emërlla Ukshinit e Jemir Asllanit. Agron Bajramit e Sali Biqkut.

Nderim edhe Bacës Adem që  bashkuar me të përndriturit e kombit

Në përmbyllje të fjalës së tij. Adnan Asllani përkujtoi se: “Në këtë vit jubilar, ne nuk mund të harrojmë emblemën e rezistencës shqiptare për liri, bacën Adem Demaçi i cili pikërisht këtë vit, u nda fizikisht nga ne, për tu bashkuar me të përndriturit e kombit, që ne sot po i kujtojmë.
Dhe shtoi se: Shoqëria Lëvizja, do të vazhdojë të nderojë dëshmorët e lirisë. Ky është përcaktim yni programor, por edhe obligim yni moral e njerëzor. Lavdi të gjithë të rënëve për liri!” Me këtë rast Agush Buja njoftoi se më 27 Tetor se në yrih do të mbahet një akademi përkujtimore kushtar Adem Demaçit.

Në këtë tubim pati edhe evokime për shokët e rënë nga të pranishmit, apo anëtarët e familjeve të dëshmorëve: Metush Zeninuni e Zarije Bajrami, Sejdi Gega, Murat Bytyqi, Agush Buja e Mal Myrtaj. Tubimi u përmbyllë me disa poezi kushtuar dëshmorëve, lexuar nga Isuf Sherifi e Ramadan  Morina, si dhe disa pika këngë kushtuar dëshmorëve, kënduar nga Kadri Ismajli e Mentor Mushkolaj.