Mitrovicasja, shembull i dijes dhe integrimit në Bazel të Zvicrës

Mybera Berisha rrjedh nga një familje intelektuale e Mitrovicës. Babai i saj edhepse ishte i verbër kishte parë dritën në shkollimin e fëmijëve të tij. Sikur të gjithë fëmijët e tjerë edhe Myberaja i kishte përfunduar studimet, gjuhë dhe letërsi angleze në universitetin e Prishtinës, por fati e solli në shtetin helvetik, në Kantonin e Bazelit, ku jeton dhe vepron aktivisht edhe sot.

Nga Hava Kurti Krasniqi

“Këtu iu përvesha shpejt mësimit të gjuhës, sepse pa gjuhë je më e verbër se pa sy“, shprehet zonja Myberaja dhe shton:„Unë me gjuhët e huaja nuk kisha vështirësi, meqë babai im ka qenë kryetar i shoqatës së të verbërve në ish- Jugosllavi, unë qysh si fëmijë kam pasur rastin të lexoja shkrime në dy gjuhë nga aktivitetet e tij, sa me ato lexime unë që në fëmijëri e kisha të njohur rëndësinë e gjuhëve”

Myberaja në Zvicër e gjeti shpejt rrugën e integrimit në aspektin e punësimit. Ajo fillon punën në Caritas Aargau ku përkthen për gjuhë angleze dhe ato jugosllave.

 Krahas rritës së tre fëmijëve edhe puna e studimet

Krahas rritjes dhe edukimet të tre fëmijëve të saj, Myberaja studion edhe tre vjet në Zvicër. Kështu ajo bëhet shembulli më i mirë i fëmijëve të saj por edhe i shumë femrave në Zvicër. Në pyetjen tonë se si ia dilnit si nënë e tre fëmijëve, të punoni dhe njëherësh të studioni, Mybera Berisha përgjigjet: “Për të rritur tre fëmijë dhe për t`i përgatitur në rrugë të mbarë vërtetë është pjesë përkushtuese për një nënë, por fëmijët me dashurinë e tyre më jepnin energji të vazhdoja edhe të gjeja kohë të ju rrija pranë ”

Me rastin e jubileut të projektit „Femmes Tisch“ që u mbajt  në Biel Biene para një publiku shumë të madh ishit e vetmja që përfaqësuat Kantonin e Bazelit dhe tubimin e përshëndete në gjuhën shqipe. Si u prit kjo nga të pranishmit?!

“Po vërtetë e bëra përshëndetjen në gjuhën shqipe, sepse jetojmë në një vend të lirisë absolute dhe për këtë jam shumë falënderuese, por edhe jemi shumë shqiptarë në Zvicër dhe pata dëshirë në një publike interkulturore edhe përshëndetja shqipe bukur të tingëllojë. E kanë pritur mirë si publiku, si organizatorët e po ashtu edhe të pranishmit nga politika. Këtë e kuptova nga duartrokitjet e tyre” thotë Myberaja me një buzëqeshje në fytyrë

Dorë e djathtë për shumë gra shqiptare në kanton

Myberaja është nënë, vjehërr, gjyshe, dhe njëherit shumë aktive, është dora e djathtë e shumë grave në rrugën e tyre integruese. “Unë jam rritur në një familje ku aktiviteti e dija çmohen si vlerat më të shenjta. Me këshillat e prindërve ne të gjithë që në atë kohë kemi përfunduar studimet, këtë dëshirë e kisha dhe e realizova edhe tek fëmijët e mi. Jetoj e rrethuar me dashuri familjare për këtë edhe jam krenare dhe pikërisht kjo dashuri më jep fuqi të mos ndalem” shprehet për prointegra.ch  zonja Berisha

Si moderatore e grave ajo reflekton plot entuziazëm e mirësi. Ka organizuar shumë takime në nivele kulturore dhe interkulturore, duke zgjedhur gjithmonë temat aktuale dhe interesante.

“Gratë shqiptare ditëve të sotme nuk hezitojnë të marrin pjesë në aktivitetet të cilat i organizojmë. Si moderatore ndjehem mirë kur moderoj për një temë arsimore, sepse vetëm kështu kam mundësinë të informoj gratë si për aktivitetet e tjera edukative e gjithashtu edhe për sistemin shkollor në Zvicër, si edhe për të gjitha temat me të cilat preokupohen fëmijët dhe prindërit në përditshmërinë tonë në Zvicër ” shprehet Mybera Berisha e kënaqur me punën e saj dhe me një përgjegjësi shton : “Integrimi i prindit e ndihmon shumë arsimimin e fëmijës, prandaj është shumë e rëndësishme pjesëmarrja e prindërve nëpër takime e mbledhje të cilat i ofron shteti falas. E dimë se shumica e prindërve e kanë të vështirë të arrijnë në kohë të duhur, por nëse jo rregullisht së paku secili prind të ndajë pak kohë për të qenë sa më afër informatave të cilat janë pjesë ndihmëse e shkollimit apo edukimit të fëmijëve të tyre”

Një femër energjike, që nuk e ka ndërmend të ndalet asnjëherë

Si ndërmjetësuese kulture, si përkthyese, si moderatore, si nënë , si shoqe e si gjyshe ajo kujton me mall falënderimet e shumta që merr nga familja, nga nipat e mbesat, por edhe nga shoqet për përkushtimin e saj ndaj tyre.

Duket shumë e re, energjike, dhe nuk e ka ndërmend të ndalet asnjëherë. Intelektualja Mybera Berisha, një grua me shumë vlerë, një ambasadore e shenjtë

e cila shprehet me një ton të qetë: “Të mësosh një kulturë dhe një gjuhë krahas përkushtimit prindëror, obligimit të punës dhe mallit për atdhe, kjo nuk është edhe aq e lehtë, por është e mundur, sepse nëpër këta hapa kemi kaluar shumica prej nesh. Prandaj sot mundë të them: të gjithë hapat e integrimit më janë kthyer në sukses. Jam shqiptare dhe e dua këtë vend.