Misioni kolosal i autorit: të promovojë vlerat e popullit të tij…

Theksoi redaktorja e librit, Prof. Migena Arllati, në promovimin e mbajtur në Bernë, në promovimin e librit të Rexhep Rifati “Shtegtimet e një gazetari”, ku morën pjesë bashkatdhetarë të shumtë si dhe ambasadorët: Nazane Breca, Ilir Gjoni dhe Halim Hyda (Maqedoni), autori i dokumentarit Alush Kamberi, ndërsa pikat kulmore muzikore i ekzekutoiTrio nga Gjeneva: Mimoza Nazarko, Ermira Lefort dhe Volfi Haxhiaj

Texti: prointegra.ch
Foto: Artan Musatafa

Në kryeqytetin e shtetit helvetik, në Bernë më 26 Tetor 2018 u mbajt promovimi i librit të gazetarit portalit tonë prointegra.ch, Rexhep Rifati, ku morën pjesë bashkatdhetarë të shumtë, që veprojnë në lëmi të ndryshme si dhe ambasadorët tanë në Bernë: Nazane Breca (Kosovë), Ilir Gjoni (Shqipëri) dhe Halim Hyda (Maqedoni), ndërsa që nga Kosova kishte udhëtuar redaktorja Migena Arllati e nga Maqedonia Alush Kamberi, ndërsa pikat muzikore Trio nga Gjeneva: Mimoza Nazarko, Ermira Lefort dhe Volfi Haxhiaj. Po ashtu pjesë e këtij evenimenti ishte edhe mikesha e madhe e shqiptarëve , humanistja Analies Schneler si dhe Don Maarjan Marku, famulltar në kishën katolike zvicerane.
Në adresë të autorit dhe veprës së tij folën me një vlerësim të lartë ambasadori i Republikës së Shqipërisë z. Ilir Gjoni i cili përkujtoi se që nga ardhja e tij në Zvicër ka njohur punën e gazetarit Rexhep Rifati i cili ka përcjell në vazhdimësi gjitha aktivitetet e mërgatës sonë duke luajtur një rolë të rëndësishëm si në informim ashtu edhe në popullarizimin e arritjes së shqiptarëve, ndërsa ambasadori i Maqedonisë, Halim Hyda përkujtoi se veprat e Rexhep Rifatit kanë rëndësi jo vetëm për komunitetin tonë por edhe për të huajt pasi libri i fundit është i përkthyer edhe në gjuhë të huaja.

Fjala e Ambasadores së Kosovës Nazane Breca

“Kam nderin që sonte, të flasë para jush, në këtë mbrëmje artistike, ku po shpërfaqet mjaft bukur, personaliteti i njërit prej gazetarëve dhe fotoreporterëve më të mirë e më të kompletuar që kemi – Rexhep Rifati.
Rexhep Rifati është gazetar që ka punuar një kohë të gjatë në gazetën Rilindja, dhe pas mbylljes së saj edhe në gazeta edhe revista tjera. Gjithë jetën është marrë me gazetari duke kontribuar në fushën e informimit. Në fillim të viteve 90-ta të shekullit të kaluar, ai u persekutua në Kosovë nga Serbia pushtuese, dhe u detyrua të kërkoj strehim politik në Zvicër, ku edhe jeton me familje.
Angazhimi i gazetarit dhe fotoreporterit Rexhep Rifati, ishte dhe është një angazhim mbi informimin e opinionit, jo në mënyrën e thjeshtë, por ky gazetar me përvojë shumëvjeçare ka respektuar, ushtruar dhe zhvilluar modelin profesional të informimit. Ky model nuk është i lehtë të arrihet e të ushtrohet, aq më shumë në epokën e sotme të informacionit digjital, ku një pjesë jo e vogël e informacioneve, po dalin se janë “lajme të rrejshme”, nga të cilat po pëson, para së gjithash pikërisht lexuesi i tyre.
Rexhep Rifati, me punën e tij ka dhënë një kontribut të madh për informim të drejtë e të paanshëm, veçanërisht tri dekadat e fundit, për mërgatën tonë të madhe në Zvicër, por edhe më gjerë. Ai, një pjesë të kontributit të tij të çmuar, e ka përmbledhur në dy librat e tij voluminoz “Shqiptarët në Zvicër-1001 pamje” dhe “Shtegëtimet e një gazetari” ku në të parën ka paraqitur realisht të arriturat e mëdha dhe integrimin e mërgatës sonë në shoqërinë zvicerane në fushën e politikës, kulturës, sporteve, shkencës, bisneseve, mjekësi, arteve si dhe në librin e dytë, një shtegëtim të tij me vokacion prej gazetari, nëpër trojet shqiptare në hapësirat ballkanike në ditët e sotme.
Shpreh bindjen time se gazetari, fotoreporteri dhe intelektuali i formatit të lartë profesional, Rexhep Rifati, do të vazhdoj punën e tij në të mirë të informimit të mërgatës sonë dhe të vazhdoj të paraqes gjithanshëm pamjen reale të mërgatës sonë, mërgatë e cila ditë e më shumë po e bëhet forcë e madhe e me ndikim në jetën e shoqërisë sonë në Republikën e Kosovës por edhe të shoqërisë zvicerane. Një shembull të tillë të forcës krijuese të mërgatës sonë, sonte e kemi këtu!
Ai është Rexhep Rifati!
Urime dhe respekt të veçantë për punën dhe kontributin tuaj!, përfundoi në fjalën e saj zonja, Nazane Breca.

Theksime nga fjala e redaktores, Prof. Migena Arllati

Ndërsa redaktorja e librit Prof. Migena Arllati në një mbi librin ndër të tjera potencoi se: “ Ky botim vjen pas një itinerari të gjatë ecejakesh dhe ndalesash, pikërisht në ato vende ku fotografia nuk do koment, apo aty ku mbresa e treguar bëhet lehtë e përjetueshme dhe e besueshme.
Vizita, ndalesa, përshtypje, takime, dialogë, përqafime dhe sërish një “Mirupafshim!”, sepse ky ndoshta ishte i pari, por jo i fundit takim… Në çdo ndalesë ndryshojnë emërvendet, ndryshojnë stacionimet, takimet rastësore me njerëzit, ndryshon shumçka brenda gjithçkaje që flet e gjallon shqip jo vetëm sot, por në kohëra e kohëra. Vetëm diçka nuk ndryshon e nuk ndalet asnjëherë: aparati fotografik, me të cilin Rexhep Rifati ka vendosur të ndërtojë reportazhin e një itinerari të gjatë nëpër Shqipëri, Kosovë, dhe gjithandej nëpër Ballkan ku ka shqiptarë, bile deri tek arbëreshët e Italisë.

Mision shumëdimensional i autorit

Më tej zonja Arllati shtoi se: Ky botim sjell një përmbledhje të mirë anekënd zonave shqipfolëse, personalitete të dëshmuara të këtij populli të vjetër; e njëjta përgjigje për ata që duan të njihen me disa nga traditat, zakonet, kostumet… Të gjithë këtë mision kolosal, autori e bën i vetëm, i cytur nga një dëshirë e madhe që ka pasur në jetë: të njohë dhe të promovojë vlerat e popullit të tij…
Libri nuk është objekt studimi, por prezantimi, ndaj në këtë prizëm vijnë të
renditura njëra pas tjetrës kaptinat, duke filluar nga Kalatë shqiptare, Qytetet antike dhe të sotme, Kullat, Memorialet e lirisë, Shtatoret e bustet e kryetrimit Gjergj Kastrioti, Muzetë arkeologjikë, historikë dhe etnografikë, Shtëpitë-muze dhe Fondet e personaliteteve shqiptare, Objektet e akteve të rëndësishme kombëtare, Shtegtimet nëpër Malësinë e Madhe, Udhëtimet nëpër Kalabri e Çamëri, Figura që lanë gjurmë në histori, Eksodi shqiptar ’99, Vende e ambiente kreative – turistike, Institucione arsimore e kulturore, Afaristët tanë që bënë emër në botë, Skenat teatrore dhe ikonat e famshme, Shkrimtarë, heronj e artistë të përjetësuar në bronz, Figura shqiptare me përmasa ndërkombëtare, Mjekë e klinika me renome ndërkombëtare, Artistë, ansamble, festivale e ngjarje kulturore.
Falë gjithë kësaj pune voluminoze e të përkushtuar, autori na vë kështu përballë një tjetër monument të kulturës shqiptare. Ky monument është libri i Rexhep Rifati, i cili që të ketë një pamje dhe një vlerë të veçantë ka kontribuar sidomos, Skënder Hajdari që ka bërë shtruarjen teknike dhe me një nivel shumë kreativ këtë libër.

Theksime nga fjala e autorit Rexhep Rifati

Dua të theksoj, se përmes librave të mi, për aq sa më ka lejuar mosha dhe shëndeti, u përpoqa të gjurmoj e të regjistroj më të bukurën, më të arrirën e shqiptarisë, si në trojet etnike edhe në vet Zvicrën, për çka edhe këtë shtet mik e falënderoj, si për strehim ashtu edhe për kushtet që më ofroj.
Ky libër që përmban udhëtimet nëpër trojet tona, ndonëse të ndara me hendeqe e kufij, por që gjithsesi vazhdojnë të na bashkojnë shpirtërisht, me tërë atë thesar vlerash që kanë, nisur nga gjaku, gjuha dhe trungu ynë i përbashkët kombëtar. Nuk them se kam bërë shumë: vetëm një copëz përjetimesh nga ajo begati, vlerë e trashëgimi që ruajnë Arbëria, Kalabria e Sicilia dhe për fat të keq krejt pak Çamëria.
Pra, ndonëse të ndara me lumenj, dete e kufij, desha së paku t’i bashkoja me foto: brenda një gjeografie e harte etnie e imazhesh! U nisa nga parimi, se derisa këto shtegtime i bën të huajt në trojet tona, në kushte shumë më të vështira, pse të mos i bëjmë ne sot në rrethana shumë më të favorshme.
Ajo që përjetova në mesin e njerëzve tanë, kudo që shkova në këta tre vjet udhëtimesh, sikur më përtëriti e më rinoi, ndonëse përjetova pos gëzimeve edhe mjaftë zhgënjime. Por, ia vlejti, sepse pashë shumëçka, por edhe shumë pak nga ajo begati që kemi. Kur e shikojmë globin, trojet tona duken një pikë ujë në oqean, por kur shkel në to, sikur vijnë duke u rritur e zbukuruar, varësisht se me ç`sy i shikon.

Jeta është e shkurtër, por atdheu me jetëgjatësi të pakufishme

Më tej autori shtoi se: Ia vlen të vizitosh çdo kënd e skutë. Mjafton ta bësh këtë me dashuri e me pasion, sepse jeta është e shkurtër, por atdheu me jetëgjatësi të pakufishme. Kështu i pashë njerëzit dhe vendin tim! Atë që e ndjeva dhe e pashë, u mundova t’jua ofroj sadopak me këtë libër. Jo vetëm shqiptarëve, por edhe të huajve, ndaj edhe i tërë libri është i përkthyer edhe gjermanisht e anglisht, me qëllim që edhe të huajt të shijojnë sado pak tërë begati, vlerë e bukuri që kanë trojet tona, pa dallim kufijsh. Dorën në zemër nga vizitat në Shqipëri, sidomos në qytetet antike, jo rrallë kam takua më shumë të huaj se sa shqiptarë.

Koincidenca dhe njeriu që u dha shpirt librave të mi!

Jo vetëm koincidencë: kjo datë e promovimit të librit tim sot, përket me ditën e 51 vjetorit, të punësimit tim në gazetari profesionale, kur më 26 Tetor 1967 fillova punën prej gazetari në të përditshmen “Rilindja”, për të ngel tash e më tepër se gjysmë shekulli peng i këtij zanati.
Me këtë rast dua të falënderoj gjitha ata që më ndihmuan në këtë projekt thjesht vullnetar: në rend të parë Skender Hajdarin që u dha shpirt e jetë dy librave të mi, me një përgatitje të veçantë teknike-profesionale, për çka edhe e konsideroj bashkautor.

Falënderime për projektin e “Shtegtimeve…”

Falënderoj, redaktoren, profesoreshën Migena Arllati, që ka gjet kohë që të vjen sot nga Gjakova, lektorin Hajro Hajra që jeton në Amerikë dhe të gjithë ata që më shoqëruan gjatë udhëtimeve, si dhe sponsorët që ndihmuan botimin e librit, afaristë të suksesshëm shqiptarë në Zvicër. Përshëndes edhe kolegun tim nga vitet e rinisë , gazetarin dhe kronistin Alush Kamberi, që ka ardhur enkas nga Tetova, e që është autor e një seri dokumentarësh përfshi edhe atë të Shqiptarëve të Ukrainës, por edhe autor i dokumentarit “Kronisti i pandalur, që ka realizua bashkë me kolegun tonë, Muharrem Idrizi, që vetëm dhjetë ditë më parë ka kaluar në botën e amshueshme., por që ka lënë gjurmë pashlyeshme në një sërë serish dokumentare.

Gazetaria as si profesion e as si mision nuk është luks!

Në përmbyllje të kësaj fjale: Kam bindjen nga përvoja ime, se as në Kosovë, as në emigracion, gazetaria si profesion e si mision nuk është luks por një sfud që të ndjek kudo dhe ajo nuk mund të bëhet duke u mbyllur nëpër kabinete e zyra redaksish, duke bërë sehir me komente e analiza, sikur të ishim ne më të mençurit e botës, pa iu qasur terrenit, njerëzve dhe vendeve, aty ku buron jeta. Ndaj edhe mendoj se kësaj bote duhet ti qasemi nga afër e jo të presim që ajo të vijë tek ne!

Alush Kamberi solli nga Tetova dokumentarin “Kronisti i pandalur”

Me një prononcim në këtë eveniment u paraqit edhe Alush Kamberi i cili ishte edhe autor i filmit dokumentar “Kronisti i pandalur”, kushtuar Rexhep Rifati. Alush Kamberi që njihet si autor i disa serive për shqiptarët edhe në vendet më të largta të globit, përmendi jo vetëm njohjen e hershme që nga bankat e shkollës së mesme me Rexhep Rifatin, por edhe për punën e tij të rëndësishme në shtegtime për të regjistruar e ndriçuar momente nga e kaluara dhe e sotmja e shqiptarëve si në trojet etnike ashtu në mërgatë. Filmi u prit me një interesim të veçantë nga të pranishmit në sallë

Prononcime për Rexhep Rifatin nga të pranishmit në promovimin e librit

Falë gjithë kësaj pune voluminoze e të përkushtuar, autori na vë kështu përballë një tjetër monument të kulturës shqiptare. Ky monument është libri
Angjelina Xhara (që kishte udhëtuar nga Atina), ish spikere në Radio Tiranë, autore e regjisore e disa dokumentarëve: “ Te jesh pranë artistit te mrekullueshëm, Rexhep Rifati, është kënaqësi e madhe. Veprat e tij janë enciklopedi e vërtetë njerëzore. Sa shume njerëz udhëtojnë me ty ne faqet e librit te ri “Shtegtimet e nje gazetari” Suksese te gjithmonshme, baca Rexhe!

Miradie Maliqi, shkrimtare:Një atmosferë të mrekullueshme përjetuan të gjithë pjesëmarrësit mbrëmë në promovimin e librit “Shtegtimet e një gazetari”, te autorit Rexhep Rifati. Vlerësimet për veprën e tij ishin nga më të lartat sepse ai kudo ka vën shpirtin e tij në një itinerar që përfshin të gjitha trojet tona. Baca Rexhë është pjesë e familjeve tona. Falënderimet e mia më të sinqerta për kënaqësinë e mbrëmjes së bukur, ku malli dhe dashuria për atdheun e çmallja na sollën shumë pranë njeri tjetrit. Të uroj baca Rexhë jetë tė gjatë, lumturi familjare dhe krijimtari në vazhdimësi

Sami Dalipi-Idrizi, doktor shkence në mjekësi: “Baca Rexhe është SINONIMI me besnik i një figure integruese qe ne çdo kontekst shoqëror përmes parimeve te tija kosmopolitke nxjerr ne pah nje NACION: NJEREZINE qe hedh poshtë çdo doktrine politiko-filozofike te ndarjes, përçarjes dhe antropofobise. Ai gjithmonë duke folur pak thoshte shume, duke heshtur impononte dashurinë te cilën ne mënyrë aq sublime dhe besnike arriti ta ekskorporoje përmes fotografisë qe pasqyron shpirtin e tij kërkues dhe kureshtjen e pastër e te rafinuar te imponimit te DASHURISE ndërmjet njerëzve te mbar Botes. Kur takohem me te ndihem sikur e tere Bota te ishte shndërruar ne një njeri qe quhet DASHURIA E BAZUAR NE RESPEKT. AI ARRITI TA TREDIMENZIOLAZOJE PIKERISHT KETE EMOCION SA PRIMAR POAQ EDHE ME RENDESI EKZISTENCIALE.

Ida Jashari, mësuese Pjesëmarrje me prindërit dhe nxënësit e Shkolla Shqipe Ostermundigen Bern, në promovimin e librit „Shtegtimet e një gazetari” të autorit Rexhep Rifati, në Bern dhe të filmit dokumentar kushtuar bacës Rexhep, “Kronisti i pandalur” nga Alush Kamberi, gazetar dhe dokumentarist i njohur i cili kishte ardhur gjithashtu enkas për këtë promovim nga Tetova.
Të paçim me shëndet e jetë të gjatë baca Rexhep e presim edhe promovim të librit të tretë e më shumë!
Suksese!

Abas Fejzullahi, kryetar i Shoqatës së Intelektualëve Shqiptar në Zvicër: Të prift e mbara dhe shëndeti i nderuar Rexhep Rifati, lidhur me përurimin e librit e librit të dytë „Shtegtimet e një gazetari” që do të lë gjurmë të pa shlyera sikurse libri i parë “Shqiptarët në Zvicër- 1001 pamje” kushtuar shqiptarëve në kurbet dhe në atdheun e tyre, përmes fotografive të mrekullueshme që flasin e tregojnë shumë më shumë se edhe vet teksti, për trashëgimin kulturore në shekuj në të gjitha drejtimet deri në ditët e sotme ku dhe kah janë shqiptarët… Libra me vlerë që përhapin njohuri për vlerat kulturore dhe arsimore të kombit shqiptarë në atdhe dhe kurbet, aq më shumë ja shtojnë vlerën librit të dytë „Shtegtimet e një gazetari” me tekstin edhe në gjuhën gjermane dhe angleze, sepse fotografitë e shumta dhe të mrekullueshme flasin vet edhe më shumë se vet teksti që i përcjell.

Këshilli organizativ dhe ekspozita e fotografive
Që ky organizim të shkojë sa më mirë, angazhim të veçantë tregoi Këshilli organizativ për këtë promovim në përbërje: Shukrije Ramadani, Muharrem Blakaj dhe Nazmi Jakurti i cili edhe e moderoi këtë ngjarje.
Paraprakisht në sallë u hap edhe një ekspozitë e autorit Rexhep Rifati me fotografit e odave, veshjeve dhe sofrave shqiptare që ka shkrep gjatë udhëtimeve të tija nëpër trojet shqiptare si dhe tek arbëreshët në Kalabri e Sicili, si dhe në Hot Grud, Plav e Guci dhe Çamëri.