Mirënjohje Zvicrës dhe mërgatës sonë për kontribut në pavarësinë e Kosovës

Ambasadorja e Kosovës, Nazane Breca, gjatë pritjes së djeshme të dhjetëra ambasadorëve e diplomatëve në Bernë, përkujtoi se aktualisht Kosova është bërë faktor paqeje në Ballkan, derisa shefja e sektorit të Ballkanit Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Zvicrës, Bruchez Brugger, vlerësoi lart rolin e komunitetit të madh shqiptar në shtetin helvetik

Teksti dhe fotot : Rexhep Rifati

Për të dhjetën herë në Zvicër, si zakonisht në hotelin reprezentativ, “Bellevue Palace” të Bernës, ambasada e Kosovës e Republikës së Kosovës në Zvicër organizoi pritje për përfaqësuesit diplomatik të shteteve të ndryshme, përfshi edhe disa nga ta që nuk e kanë njohur Kosovën. Dje në kuadër të vitit jubilar të Pavarësisë së Kosovës, ambasadorja e Kosovës, zonja Nazane Breca me bashkëshortin e saj organizuan pritjen tradicionale kushtuar kësaj date me rëndësi të veçantë për formësimin e shtetësisë së Kosovës. Krahas diplomatëve të ftuar nga vende të ndryshme në pritje merrnin pjesë edhe individë e përfaqësuese të mërgatës sonë në Zvicër nga fusha të ndryshme të jetës.

Ambasadorja Breca i bëri ecurive dhe proceseve zhvillimore që nga periudha e para pavarësisë e deri më sot, duke potencuar rolin e madh që patën shtetet mike dhe popujt e tyre në formësimin  e pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës, për të përballua shtypjen e rëndë nga okupimi klasik serb. Ajo me këtë rast krahas rolit të NATO-së, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, renditi edhe rolin e shtetit mik helvetik që u rendit ndër të parët jo vetëm në fazën e njohjes së pavarësisë së Kosovës, kur edhe ish presidentja e Zvicrës, Micheline Calny Rey ndër të parat diplomate të rangut të saj u deklarua botërisht për njohjen e shtetit të Kosovës, gjë që kjo nga të pranishmit u prit me duartrokitje. Krahas njohjes Zvicra ka pas dhe ka bashkë me mërgatën tonë të madhe në këtë vend, rol vendimtar edhe në zhvillimet ekonomike të pasluftës në Kosovë. Angazhimi ndërkombëtar, veçmas ai i shteteve mike ka bërë që sot Kosova nga një vend krizash të shndërrohet në një faktor paqeje në Ballkan.

Thuaja se po këto komponentë, bashkë me relacionet e bashkëpunimit të ndërsjellët të të dyja vendeve, i vuri në pah gjatë fjalës përshëndetëse edhe vet zonja, Bruchez Brugger, shefe e sektorit të Ballkanit Perëndimor në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Zvicrës, e cila vlerësoi lart edhe rolin e komunitetit tonë të madh në këtë vend, si pjesë të rëndësishme integruese zhvillimore në shtetin helvetik.