Mirënjohje mërgatë që dite të peshosh veprën e Agron Bajramit!

Në fjalën e lamtumirës, kronisti i Shkollën Shqiptare të Vallëzimit „Shota“, Ibish Neziri, përkujtoi se veprimtaria e Agronit në Zvicër është  e ngulitur thellë në kujtesën e mërgatës shqiptare ngase brenda tij ngërthehej  drama jetësore shpirtërore e Mërgatës së madhe shqiptare

Teksti e fotot: Rexhep Rifati

Sot,  më 16 Mars 2018, që nga orët e para të mëngjesit të gjitha rrugët e mërgatës shqiptare në Zvicër, çonin kah qyteti i Aaraut, madje jo vetëm nga Zvicra, por edhe shtetet tjera evropiane. Ishin përzgjedh gjitha mjetet e trafikut por edhe gjitha moshat, pa dallim përkatësie. Madje jo vetëm nga radhët e shqiptarëve, por edhe të miqve zviceran e të komuniteteve të tjera.

Mërgata shqiptare në Zvicër, nuk mban mend një varrim më masiv, por edhe më të denjë: përcjellë jo vetëm me lot e lule e kostume kombëtare por edhe me jehun nostalgjik të klarinetës së Laver Bariut, legjendarit të kabaresë që aq shumë e adhuronte Agroni

Secili donte ti jepte lamtumirën një artisti të madh që për tri dekada jo vetëm që u mishërua me jetën e kurbetçinjve, por edhe donte tua bënte jetën sa më të lehtë derisa i mundonte jo vetëm puna e rëndë në kurbet, por brenga e vazhdueshme për Kosovën e robëruar.

Një jetë në shërbim të artit e të kulturës shqiptare

Ishte ky artisti i përmasave njerëzore e artistike, Agron Bajrami që me tërë familjen, u vu në shërbim të artit e të kulturës shqiptare, duke e sjell nga trungu i Kosovës një filiz të artit të vallëzimit për ta shumua e zgjerua këtu në shumë kantone përmes themelimit të Shkollës së tij të vallëzimit “Shota” por edhe duke ndihmuar në themelimin e shoqërive të reja.

Se cila ishte, puna, angazhimi, sakrifica e vetmohemi u pa sot në përcjelljen e tij të fundit me pjesëmarrjen e madhe të cilën më së miri e përshkroi kujdestari i varrezave, duke thënë se tash e 25 vjet sa punon këtu nuk e mban mend një varrim të tillë!

Edhe vet mërgata jonë e madhe në shtetin helvetik, nuk mban mend një varrim të tillë kaq masiv, por edhe të denjë për respekt, që u përshkua jo vetëm me lot e lule dhe kostume kombëtare, por edhe me jehun nostalgjik të melodisë me klarinetë të Laver Bariut, që aq shumë e adhuronte Agroni.

Me këtë rast po shkëpusim sa fragmente nga fjala e mikut, veprimtarit dhe njërit nga njohësit më të mirë të Shkollës Shqiptare të Vallëzimit  “Shota” në Zvicër, autorit të kronikës së kësaj trupe artistike, Ibish Neziri i cili ndër të tjera tha se :

Nëse Tirana e kishte Besim Zekthin e Rexhep Çelikun e Prishtina Marsel Tupecin, ne, mërgata Shqiptare në Zvicër dhe në gjithë Evropën të kishim ty Agron. Për ne ti ishe edhe Besim Zekth edhe Rexhep Çelik, edhe Marsel Tupec, e pse jo edhe Panajot Kanaç. Dhe i tillë do të mbetesh përherë.

Njeri i dy fronteve: sa artist aq edhe atdhetar

Familja, se të kishte shtyllën kryesore, e ne, shokët të kishim mikun e mirë dhe bashkëpunëtorin e zellshëm; të kishim artist dhe atdhetar që me aq pasion i ishe kushtuar kulturës sonë kombëtare dhe idealit të shenjtë të rilindësve tanë për liri e bashkim kombëtar. Me ty së bashku, i ngrysnim netët e i zbardhnim ditët, duke shpresuar se e nesërmja do të jetë më e favorshme për jetësimin e atij ideali. Ti ishe njeriu që dëshpërimin për shokët e rënë në luftëra dhe beteja që Kosovës nuk i mbaruan kurrë, na shndërroje në krenari.

Vallet që ndiznin zemrat e mërgimtarëve

Më tej Ibish Neziri potencoi se Agroni me „Vallen e Shqipeve” e „Vallen e UÇK-së“, ndizte zemrat e të gjithë spektatorëve e i jepte vrull gjakut arbëror që po përpiqet të mbijetoj në këto anë ku na ka degdisur fati i jetës.

Në saje të talentit dhe përkushtimit Agroni me trupën e tij artistike arriti  kudo, gjithandej Zvicrës e Gjermanisë, Francës e Austrisë, duke pushtuar sheshet e Cyrihut e Bernës, Parisit e Lionit, Luksemburgut e Vjenës, qoftë si solist, qoftë si udhëheqës i  Shkollës Shqiptare të Vallëzimit „Shota“ në Zvicër, të cilën e themeloi këtu e 25 vjet më parë, duke e udhëhoqe me shumë sukses, tha më tej Neziri, duke veçuar me këtë rast sidomos pjesëmarrjen e “Shotës” në Festivalin Kombëtar të Gjirokastrës, kur edhe : “me  ty së bashku dolëm në skenë dhe pushtuam Kalanë madhështore të Gjirokastrës!

“Veprimtaria jote, në Zvicër, është  e ngulitur thellë në kujtesën e mërgatës shqiptare. Ajo paraqet epokë, e cila, në bërthamën e saj, siç tha një mik imi e yti, ngërthen dramën jetësore dhe dramën shpirtërore të Mërgatës shqiptare në veçanti dhe dramën e Kosovës së robëruar në përgjithësi”.

Përulje dhe lule, por edhe zotime mësuesit të tyre

Në përmbyllje anëtarët e “Shotës” të veshur me kostume kombëtare i bënë nderime me përulje dhe lule mësuesit e tyre, me zotimin se do ti vazhdojnë e shpejtojnë ato hapa të valles shqipe dhe atë refren që ua përsëriste shpesh Agroni: “ S`ka ndalje e as lodhje. Të ecim dhe këndojmë e vallëzojmë shqip!”  Dhe këto hapa shqip tashmë po i vazhdon edhe dashuria më e madhe e Agronit: nipi trevjeçar Arti!

Në emër të familjes u falënderua, Mustafë Xhemaili, dhëndëri i Agronit, i cili i njoftoi të pranishmit edhe me të pamet e akademitë që do të mbahen në ditët e ardhshme, si në vendlindjen e tij në Prishtinë ashtu edhe në Zvicër.