Mikpritja shembullore në pallatin e Kastriotëve në Qefti të Foxhies

Rasti e deshi që në sheshin Skanderbeg, të këtij qyteti arbëresh të takojmë çiftin bashkëshortor, Ariana Balluku me prejardhje nga Tirana dhe Donato D`Ascrnzo, arbëresh i këtushëm, që jetojnë në pallatin ku dikur ishte pronë e derës së Kastriotëve, ku edhe më tej janë ruajtur freskat shekullore

Teksti e fotot: Rexhep Rifati

Me të drejtë thonë thonë , se fati është mbret i botës dhe po të mos ishte kështu nuk do të ndodhte, që gjatë vizitës sime të fundit në Arbëri, në qytetin arbëresh Qefti apo italisht Chieuti, më 21 Korrik 2019, që çiftin e parë që do të takojmë, të na dalë i njohshëm. Të na përshëndesin me një mirëseardhje mu në qendër të qytezës, të rrethuar në katër anët me godina qindvjeçare.

Më konkretisht fjala është për çiftin shumë mikpritës, Ariana Balluku e Donato D`Ascrnzo. Arjana e lindur dhe e rritur në Tiranë dhe e martuar për Donaton arbëresh, me të cilin edhe e kanë një vajzë që studion mjekësinë! Madje çka është karakteristike se ata jetojnë pikërisht në pallatin që dikur ishte pronë e trashëgimtarëve të derës së kastriotëve, e që kanë blerë nga ta paraardhësit e Donatos.

Pallati gjendet  në afërsi të sheshit  Skanderbeg, e deri te ai të çon rruga Via CASTRIOTA; ku edhe ky çift banon, po në pallatin e pasardhësve të kryetrimit tonë. Për ta kujtua përherë kryetrimin tonë, po në këtë qytezë, në njërin nga sheshet më të frekuentuara, sivjet është inaugurua edhe busti i heroit tonë kombëtar, ndër më të bukurit që kemi pa ndër katundet arbëreshe.

Ftesa për drekë në familje nuk mund të kthehet!

Pa një pa dy, pas ca fjalëve përshëndetëse që këmbejmë në rrugë, ku edhe Ariana na jep një pasqyrë për këtë vendbanim të vjetër, për të cilin thotë se më mirë se kudo në ndonjë vendbanim tjetër arbëresh është ruajtur gjuha, tradita, madje edhe ritet shqiptare, na ofron edhe një ndej në shtëinë e e tyre, ndonëse sapo ktheheshin nga plazhi me Donaton.

Fitorja e Gjergj Kastriotit shpërblehet me toka për luftëtarët shqiptar

Ja edhe pak fjalë dhe pak historik  për Chieutin, apo Qeftin në shqip, që është një qytet italian bri Adriatikut me rreth 1700 banorë e që i përket krahinës së Foxhies , në Puglia.

Sipas shënimeve që ruhen, figuron se mes viteve 1461 dhe1470 një komunitet i madh shqiptarësh u vendos atje, pasi mbërriti në Puglia pas udhëheqësit shqiptar  Gjergj Kastriotit Skënderbeut i cili edhe pat ndërhy në mbështetje të Ferrante I të Aragonit kundër Giovanni d’Angiò .. Në vitin 1464 sovrani aragonez, për të shpërbluar shqiptarët për fitoret e kryera në vitet e mëparshme u dha atyre disa prona në këtë anë, ku edhe ata u vendosën dhe jetojnë deri në ditët tona.

Anija në Adriatik, një freskë që tregon ardhjen e ushtarëve të Skënderbeut

Nga ky kalim i shkurtër në histori, të kthehemi në aktualitetin që shihet e preket kudo në këtë qytet të lashtë, e sidomos në pallatin ku jeton çifti bashkëshortor: Ariana Balluku e Donato D`Ascrnzo. Pasi mësojmë se pallati ku jetojnë u përkiste pasardhësve Gjergj Kastriotit, mbiemër këtë që e bartën për disa shekuj, ate e blen prindërit e Donatos por u desh të bëhen mjaft restaurime. Por u bë çmos që të ruhen disa freska në tavanet e pallatit, ndërsa që muret janë vesh me tapete.

Babai arbëresh e rriti Donaton e vogël me dashurinë për Shqipëri!

Dhe derisa Arjana përgatit dreken, mësojmë edhe një histori interesante rreth asaj se si ka lind kjo bashkëshortësi. Donato, me përkatësi arbëreshe që e flet një shqipe të pastër, tregon sesi gjatë luftës së dytë botërore babën e tij e çuan ushtar në Shqipëri dhe kur kapitulloi Italia, atë e strehon një familje shqiptare. Kështu që babai Donatos, ruajti kujtimin dhe dashurinë për Shqipërinë, por asnjëherë gjatë regjimit komunist nuk iu mundësua shkuarja atje, ku donte të falënderonte familjen që e kishte strehua e mbajte derisa rrezikohej me jetë.

Edhe pse nuk iu dha kjo mundësi, ai e ushqeu Donaton, derisa ishte fëmijë e edhe në rini me dashurinë e madhe për Shqipëri, duke i sjellë libra e revista për vendin e origjinës, sa ky u frymëzua dhe u lidhë shumë me Shqipërinë. Ndërkohë, do të ketë fatin që edhe të martohet me Arianën, pas një ndërmjetësimi te familjes ku dikur ishte strehuar babai i tij në Shqipëri.

Ishte aq e fortë e ajo ndjenë për Shqipërinë sa ti bashkojnë dy të rinjtë që i ndante Adriatiku, por që i lidhte dashuria për vendin, gjuhën dhe traditën e të parëve. Sa sot të kenë një jetë shumë të lumtur: Ariana duke bërë punën e përkthyeses dhe Donato,  punën e bujkut .

Puna në ullishte të sjell leverdi por edhe duhet punuar shumë

Biseda me Donaton u përqendrua te ekzistenca e arbëreshëve, se me çka merren ata aktualisht. Ai na flet për punën  tij që bën në bujqësi:

-Pos tjerash, posedoj një sipërfaqe prej 10 hektarësh ullinjsh me 2.600 rrënjë, që na siguron ekzistencën, por që kërkon shumë punë derisa të arrihet te pjekja dhe vjelja e ullinjve, na tregon Donato me një gjuhë shqipe të rrjedhshme. Përndryshe po nuk e punove vet me kujdes, vreshta kthehen në druaj të zakonshëm jo pjellor. Vetëm kur bëhet vjelja marr edhe punëtorë sezone. Të tillë si unë ka edhe arbëresh të tjerë në këtë anë që merren me bujqësi e vreshtari.- shpjegon rrjedhshëm nikoqiri ynë, ndërkohë e ndihmon edhe Arianen gjatë shtruarjes së drekës.

Edhe vet pallati kërkon shumë punë për mirëmbajtje sepse posedon dhoma e hapësira të mëdha për një familje të vogël siç është kjo, por shumë bujare e miqësore, nga e cila nuk mund të ndahesh pa e vizituar palatin e tyre me famë ku jetuan disa breza të pasardhësve të Gjergj Kastriotit, disa nga emrat e të cilëve edhe sot e kësaj dite i mban mend Donato

Krahas bustit të Gjergji, inaugurohet edhe Abetarja në gjuhën arbëreshe

Me financimin e komunës në  Chieuti  është inauguruar edhe vet busti i heroit Gjergj Kastrioti – Skenderbeu. Me rastin e e këtij inaugurimi solemn Komuniteti arbëresh e priti “Skënderbeun” me veshje kombëtare e flamuj shqiptarë e italianë, por edhe me përurimin e botimi të Abetares në gjuhën arbëreshe të përgatitur nga studiuesi, profesor  Mario Massaro në bashkëpunim me Ariana Balluku. Me rastin e vizitës në shtëpinë e saj Ariana na e tregoi njërin nga ekzemplarët e kësaj abetare që do tu shërbejë vogëlushëve arbëresh, pasi libri është i ilustruar me foto për moshën e tyre.

Më pastaj çifti, na shoqëron në pjesën e  qytezës ku banonte profesor prof. Mario Massaronit që kishte botuar edhe një libër për këtë vendbanim arbëresh me emërtimin: “Qefti dhe e folmja e tij”. Me të cilin edhe u pajisa bashkë me shoqëruesit nga Zvicra, Gjergj Prenkoçajn dhe Shefqet Cakollin. Madje te profesori krahas asaj që pamë një bibliotekë të pasur, shoqja e tij ndonëse e moshuar na pritën me këngë, siç ndodhë zakonisht në mesin e familjeve arbëreshe. Pra ishte kjo pritja te profesori i shquar arbëresh, jo vetëm me libra qindvjeçare, por edhe me këngë e bujari