Mësuesja Vezire Gjiraku Mezini, një flakadan dije e drite që nga Tirana shkrepi në Prishtinë! (6)

Për rrugëtimin përplot sfida, sakrifica, por edhe triumfe të mësueses Vezire, që nga shpërngulja e familjes nga Kosovë në Shqipëri më 1924, vetëm si dyvjeçare, për tu rikthyer triumfalisht mësuese në Prishtinë më 1942 e për tu dëbuar nga andej sërish në Shqipëri, një jetëshkrim ma dërgoj profesor Bardhyl Adem Selimi, i biri i saj dhe i atdhetarit të shquar Adem Selim Gllavica.

Nga Rexhep Rifati

Pas pushtimit të Kosovës dhe trevave të tjera shqiptare nga Serbia më 1913, jeta e banorëve vendas atje u rrezikua dhe u vështirësua pa masë! E tillë ishte ajo edhe për familjen e Halil Gjirakut nga Sllatina e Madhe e Fushë Kosovës, ku në vitin 1878 kishin gjetur strehë të ikurit nga rajoni i Nishit atë dimër të egër të paharrueshëm. Halili ishte punonjës i hekurudhës por policia serbe e arrestoi dhe gjykata serbe e dënoi me burgim për shkak të qëndrimit atdhetar të tij. E liruan vetëm kah viti 1918, kur ai u martua me Belgjyzare Gashin nga Prishtina. Në mes të katër fëmijëve të tyre ishte edhe Vezirja që kishte para motrën Nazike dhe vëllain Mustafa ndërsa prapa Mevluden.

Rruga e mërgimit jo për në Turqi, por në Shqipërinë e pavarur

Shtimi i shtypjes serbe dhe mungesa e ardhmërisë e shtynë Halilin të merrte rrugën e mërgimit jo për në Turqi si mijëra familje të tjera, por në Shqipërinë e pavarur, ku fëmijët mund të mësonin shqip. Nuk e patën të lehtë udhëtimin e gjatë me kuaj dhe qerre deri në postën kufitare të Qafë Thanës e që andej në Elbasan, verën e 1924. Ndaluan në atë qytet, pasi gjendja shëndetësore e Halilit ishte rënduar mjaft dhe në Elbasan banonte një profesor, i afërm i familjes, zoti Ahmet Latif Gashi, një nga drejtuesit faktikë për disa vjet të Normales. Profesori e mbajti familjen e Halilit disa ditë në shtëpinë e vet, u interesua për mjekë dhe ilaçe. Vezirja ishte vetëm dy vjeçe.

Ndërhyrja e Hasan Prishtinës për mëkëmbë familjes Gjiraku

Pastaj familja mori rrugën për në kryeqytet, ku kishte shpresë që fëmijët të sistemoheshin në Jetimore. Aty gjetën një shtëpi tiranase tepër mikpritëse që u liroi të ardhurve nga Kosova martire një pjesë të shtëpisë. Halili vdiq disa javë më pas. Fatmirësisht, me ndërhyrjen e Hasan Prishtinës, ku Belgjyzarja hyri në punë si kuzhiniere, Jetimorja i pranoi tre fëmijët më të rritur. Nazika më tej ndoqi një shkollë të mesme për infermierë të një fondacioni francez, Mustafai hyri në Shkollën Teknike Amerikane ndërsa Vezirja në Institutin Femnor “Nana Mbretëreshë”. Mevludja ndenji me nënën. Nazika e përfundoi shkollën e mesme dhe mandej një kurs të lartë dyvjeçar në Beograd, që drejtohej po nga ai fondacion francez, Mustafai kreu mësimet në shkollën teknike për ndërtimtari dhe Vezirja për mësuese.

Me dhjetëra mësues arrin në Kosovë, ku nxënës pati edhe Adem Demaçin 

Mustafai dhe Mevludja shkuan për studime më 1940 në Itali me bursën e qeverisë  të ndihmuar dhe nga ish nënkryeministri kosovar Iljaz Agushi. Vezirja u dërgua të japë mësim në “tokat e çliruara” pas 1941, në Prishtinë së bashku me dhjetëra mësues të tjerë nga Shqipëria. Profesioni i mësueses ishte përqafuar me gjithë shpirt nga ajo, e cila iu përkushtua plotësisht detyrës duke fituar adhurimin e nxënësve dhe prindërve të tyre. Ndër nxënësit më të spikatur ka qenë edhe Adem Demaçi në vitin 1943, kur ky ndiqte klasën e dytë. Vetë Adem Demaçi, që u bë më vonë Hero i Kosovës, e kujton me shumë vlerësim mësuesen e vet në çdo rast.

Flamurtare në demonstratën e Prishtinës dhe martesa me Adem Selimin

Në Prishtinë në maj 1943 u zhvillua një demonstratë e qytetarëve kundër disa shkeljeve të të drejtave të shqiptarëve nga forcat pushtuese italiane. Vezirja dhe shoqja e saj nga Kruja, Agllai Plaku ishin në ballë me flamurin kombëtar në dorë. Mbase aty ajo i ra në sy intelektualit nga Gllavica, agronomit Adem Selimi, i cili u afrua me të dhe të dy përfunduan në martesë. I shoqi, përveç punës së tij në fermën e Fushë-Kosovës, në gjimnazin Sami Frashëri apo në Drejtorinë e Bujqësisë, merrej edhe me organizimin e rinisë për mbrojtjen e kufijve të Kosovës nga sulmet çetniko-komuniste. Lidhja e Dytë e Prizrenit e caktoi atë, në janar 1944, Kryetar të Komitetit të Rinisë Nacionaliste për Mbrojtjen e Kosovës.

Sllavo-komunistët arrestojnë Vezirën bashkë me të birin e vogël, Bardhylin

Pas ripushtimit të Kosovës në nëntor 1944, Ademi del në mal për ta vijuar qëndresën, ndërsa Vezirja fshihet në fshatin e burrit ku lindi një djalë, Bardhylin, në fund të gushtit 1945. Jeta e saj kishte hyrë në një periudhë të vështirë, madje të rrezikshme për jetën e saj dhe të birit, pasi tërë inatin që sllavokomunistët e kishin me Ademin mund ta shfrynin te ajo. Ata madje e arrestuan Veziren me gjithë djalë në shtator dhe e liruan vetëm pas disa javësh duke e caktuar të punojë si mësuese në Prizren ku kishte nevojë arsimi.

Ndërkohë Ademi me shokë e lë Kosovën dhe kalon në Greqi ku e mbajnë në kampet e të ikurve politike disa vjet. Pas një viti, Vezires i kërkuan të marrë shtetësinë jugosllave por ajo nuk pranoi. Kështu atë dhe disa mësues të tjerë të ardhur nga Shqipëria i dëbuan në kufirin me Shqipërinë, në Morinë të Kukësit. Vezirja me të birin, nënën dhe motrën Nazike e cila kishte pas një martesë të pafat me një gjykatës shqiptar nga Gjilani, Nexhat Bejtullahu, me një vajzë, kthehen në Tiranë. Vezirja dhe Nazika fillojnë punë në profesionin e tyre.

Arrestimi në Krujë duke e kallëzuar si pjesëtare e një grupi armiqësor

Pa kaluar një vit, ndërsa Vezirja jepte mësim në shkollën fillore në Krujë, e arrestojnë duke e kallëzuar si pjesëtare e një grupi armiqësor. Sigurisht ky ishte një kurth i përbashkët i Sigurimeve të Shqipërisë dhe Jugosllavisë, që bashkëpunonin ngushtë. E torturojnë, e keqtrajtojnë, po Vezirja qëndron e paepur, me ndjenjën e pafajësisë dhe të shqetësimit të madh për të birin dhe bashkëshortin, me të cilin i kish humbur lidhjet.

Në verë 1948, pas prishjes së Jugosllavisë Titiste më ish Kampin Socialist, të drejtuar nga Josif Stalini, u liruan nga burgjet politike shumë intelektualë, ndërkohë që Vezirja nis punën në Tiranë. Krahas mësimdhënies ajo shfaqi edhe talentin e saj si piktore për të përgatitur mjete mësimorë figurative. Ndërkohë ajo vazhdonte të mos kish asnjë lajm për bashkëshortin. Lufta e klasave vijonte e ashpër. Shumë shpejt kjo luftë do ta dëmtonte sërish Veziren, por sidomos të birin, për të cilin e ardhmja tani duket pa shpresë. Në këto kushte, Vezirja pranoi të rimartohej me një mësues tiranas, Mahmudin, anëtar i Partisë së Punës. Kështu për Bardhylin krijohej një familje dhe brenda më pak se dhjetë vitesh ai do bëhej me tre vëllezër e një motër.

Badhyli nga shkollimi universitar në profesor matematike e filozofie

Në rrethanat e krijuara, Bardhyli ndoqi pa problem e me zell të gjitha ciklet e studimit. Pas diplomimit, ai u caktua me punë në arsim, fillimisht jashtë Tiranës, mandej në universitet në një nga katedrat më të njohura, atë të filozofisë, duke dhënë mësime matematike dhe filozofike. Vezirja vijoi punën si mësuese, mandej si edukatore kopshti pasi u bë me shumë fëmijë, gjithnjë e përkushtuar dhe e vlerësuar.

I vëllai i Vezires, Mustafai, i cili ndihmonte çështjen kombëtare duke marrë pjesë në Kongresin e Popujve të Robëruar, që më 1956 e pranoi në gjirin e vet edhe Kosovën, mbante lidhje me Ademin dhe të motrën Naziken në Tiranë. Ai e njoftoi Ademin për rimartesën e Vezires, gjë që e trishtoi Ademin. Por njëkohësisht edhe e qetësoi, pasi ai kishte marrë njoftime për regjimin totalitar shtypës në Shqipëri. Kjo e nxiti Ademin që, pas vitit 1950, të mendonte të krijonte edhe ai një familje të re, larg Europës.

Sidoqoftë, Sigurimi e ka mbajtur në mbikëqyrje Veziren tërë kohën sikurse edhe Bardhylin. Por të dy nuk jepnin asnjë shkak për ndëshkim pasi punonin me përkushtim. Kur Bardhyli u transferua në gazetën qendrore komuniste dhe mandej nisi një periudhë trevjeçare prove për të hyrë në Parti, Sigurimi mori kontakt me vetë Ademin, aty kah fundi i 1974 dhe i dha atij mesazhin se “djalin ta kemi ruajtë”, pra “rri urtë!”. Vezirja dhe Bardhyli nuk dinin gjë për këto prapaskena, por vijonin të qetë punën.

Në fund të viteve 1976 sërish degradim politik në familje

Bardhyli u martua me një vajzë kosovare, me profesion mjeke.  Në fund të vitit 1976 atë nuk e pranuan në Parti “për pasinqeritet”, dhe, pas disa muajsh, e dërguan mësues të thjeshtë në shkolla fillore të fshatrave të Tiranës deri në shtator 1991. E hoqën nga Partia vetë Mahmudin dhe nga puna në Gjykatë si juriste vajzën, Iliriana. Tre djemtë e tjerë ishin punëtorë ose teknikë të mesëm, por edhe ata i caktuan në fronte të vështira. Në shtator 1982, Mahmudi ndërroi jetë.

Rreth vitit 1988, Ademi i shkruan letër Vezires nën emrin e Sadikut, djalit të dajës Hysen. i tregon për jetën e kaluar në kampet e Greqisë, për rimartesën, për fëmijët, për mallin që kishte ruajtur për të dhe për Bardhylin ndër vite. Që 50 vjet ai e ruante një bilbil që Vezirja e përdorte në shkollë në Prishtinë. Po ashtu foto të vjetra që i mbante me vete kudo. Shprehte dëshirën që të takoheshin diku, psh. në Bari të Italisë. Sigurisht edhe Ademi nuk e kishte idenë se çfarë vendi i frikshëm dhe i mbyllur ishte bërë Shqipëria, që kur aty u vendos sistemi totalitar komunist. Ndërkohë jetonte ende Betty, bashkëshortja gjermane, por Ademi prej kohësh kishte me të vetëm marrëdhënie ekonomike. Megjithatë Vezirja e kuptonte se bëhej fjalë ende për një takim të pamundshëm.

Ngjarjet politike ndryshuan shpejt në Europën Lindore komuniste. Ra Muri i Berlinit, rumunët vranë diktatorin e vet së bashku me bashkëshorten. Edhe Shqipëria i zbuti ligjet e hekurta. Në pranverë 1990 nisën të dorëzohen pasaportat ndërkombëtare, Bardhyli mori një të tillë dhe udhëtoi për në Romë, te tezja Mevlude. Aty erdhi nga Australia edhe Ademi. U takuan përmallshëm.

Ritakimi i Vezirës me Ademin pas 46 vjetësh!

Pas një viti, 100 mijë qytetarë të Tiranës e rrëzuan shtatoren e diktatorit Enver Hoxha. Në shesh shkoi edhe Vezirja me nipin, tepër e ngazëlluar që ia arriti kësaj dite!  U zhvilluan zgjedhjet e para pluraliste, në Tiranë fituan demokratët. Vezirja shkonte me gëzim në qendrën e votimit. Në shtator 1991, Ademi  erdhi për vizitë në Tiranë, te djali. Tani ish bashkëshortët patën rastin të ritakohen pas 46 vitesh, si miq të vjetër. Mund të përfytyrohet çfarë ndjenjash të fuqishme dhe dhimbje shpirtërore ndjenin ata të dy, sidomos Vezirja.  Ademi kërkoi që Bardhyli të marrë atësinë e tij. Pasi ai u largua, Vezirja nisi procedurat gjyqësore për këtë qëllim. E ndihmoi motra e Mahmudit, Fatimja dhe dy shokë të vjetër të Ademit, profesor Zejnullah Ballanca dhe doktor Spiro Spiro, që kishin shërbyer në Kosovë gjatë luftës. Ademi erdhi edhe në verën e 1994, këtë radhë përfundoi procedurën e dhënies së atësisë Bardhylit.

Pasi ai u kthye në Australi, atij i vdiq e shoqja, Betty. Por edhe gjendja shëndetësore e tij nisi të keqësohej. Nuk ishte më mirë edhe gjendja shëndetësore e Vezires, e cila kish përjetuar këtë takim me ish burrin e vet. Ndërkohë katër fëmijët e tjerë kishin shkuar në mërgim jashtë shtetit. Ngushëllim i madh për Veziren ishte se kishte familjen e Bardhylit pranë, tërë kohën. Pas vitit 2000 u kthye nga mërgimi e bija Iliriana,  e cila i qëndroi pranë deri sa ajo ndërroi jetë me 3 qershor 2017.

Mirënjohje nga presidenti i Shqipërisë dhe presidentja e Kosovës

Një gëzim të papërshkrueshëm Vezirja pati, kur më 1994  presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sali Berisha e dekoroi atë me urdhrin “Naim Frashëri klasi i parë:, së bashku me disa qindra ish mësues të tjerë që kishin shërbyer në Kosovë gjatë luftës. Po ashtu, kur më 2013 edhe presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga e dekoroi atë me Medaljen e Mirënjohjes.  Ishte një vlerësim i madh edhe fakti që në librin voluminoz për mësuesit që kishin shërbyer në Kosovë gjatë 1941-1951, shkruar nga Tahir Berisha, kishte pasur hapësirë edhe për të edhe për Ademin. Po ashtu ajo gëzohej sa herë vinin nga Kosova miq dhe mësues të shkollës teknike të Lipjanit që kishte marrë emrin e Ademit.

Vezirja jetoi bukur gjatë dhe shkoi në amshim krenare se i kishte shërbyer me përkushtim popullit dhe atdheut, kishte rritur dhe nxjerrë në jetë pesë fëmijë dhe, sa ishte gjallë, kishte gjashtë nipa!

Nderimi që iu bë ditën e varrimit, kur vetëm nga Kosova erdhën 20 vetë, ndër ta edhe ish ministri i arsimit zoti Rexhep Osmani është një shpërblim tjetër për vuajtjet dhe përjetimet e saj në të kaluarën në regjimet komuniste në Kosovë dhe Shqipëri.

Nesër :  Mësuesja Vezire në vetën e parë: “Që nga dhjetori 1942, kur erdha mësuese në Kosovë…”! (7)