Mësuesi, Ymer Shypheja nga Elbasani, që në moshë djaloshare reflektoi në qytetin e Ferizajt (30)

 

Secili nga mësuesit nga Shqipëria, që punoi në trojet etnike, ka një histori sa më të veçantë, e tillë është edhe ajo e Ymer Alush Shyphejes nga Elbasani, që pas diplomimit të Normales, më 1941 emërohet mësues ne Ferizaj nga ministri arsimit Ernest Koliqi, detyrë që e pranon me shumë gëzim dhe për Ferizaj niset bashkë me nënën e tij Behije, ku qëndrojnë deri në vitin 1945, duke e kujtuar me shumë mall atë periudhë, deri kur ndahet nga jeta në moshën 55 vjeçare, më 4 qershor 1971.- Edhe fëmijët e tij, që i rriti me dashurinë e madhe për Kosovën, nuk e harruan qytetin ky punoi babaii tyre, ndaj edhe në dy jubile shkollore ishin në Ferizaj.

Nga Rexhep Rifati

Sot në vazhdimin e 30-të të këtij fejtoni edhe për një mësues nga Elbasani, qytet ky që aq shumë u fali mësues jo vetëm Kosovës pore gjitha trojeve etnike, ndaj edhe duhet mbajtur mend rolin që pati Normalja e këtij qyteti por edhe misionin që e filloi ministri Ernest Koliqi, bashkë me qindra mësues që i dhanë krah e shpirt shkollës shqipe kudo në nën qiellin shqiptar, ku pushtuesit shekullor e ndrydhnin e ndalonin jo vetëm shkollën por edhe vet gjuhen shqipe.

Nisja me të amën nga Elbasani në Ferizaj e përshkuar me shumë gëzim

Protagonist i këtij vazhdimi është pikërisht, mësuesi  Ymer Alush Shypheja, i lindur në qytetin e Elbasanit më 24 janar 1916 në një familje autoktone elbasanase, i cili në vitin 1939 mbaron shkollën normale në qytetin e lindjes më 1941, për tu emëruar vetëm dy vjet më vonë mësues në qytetin e Ferizajt nga ministri arsimit Ernest Koliqi, detyrë që e pranon me shumë gëzim dhe niset për Ferizaj bashke me nënën e tij Behije Shypheja, ku edhe nëna e tij qëndron disa kohe aty se bashku.

Duke na e përshkruar këtë histori të babait të tij të filluar thuja se 8 dekada më parë, tash i biri i tij dje pas një kontakti elektronik që pata dje me te, Veli Ymer Shypheja, vazhdon rrëfimin për punën e babit të tij në Kosovë e më tej: “Shkolla kur ishte baba ne Ferizaj quhej “Ismail Qemali”. Largohet nga Ferizaj në vitin 1945, duke e kujtuar me mall e dashuri atë periudhe deri kur u nda nga jeta ne moshën 55 vjeçare, më 4 qershor 1971. Ne 6 fëmijët e tij u rritem duke na  folur shpesh për Kosovën dhe Ferizajn. Gjithashtu edhe gjyshja e kujtonte Ferizajn shpesh. Me ardhjen ne Shqipëri punon arsimtar ne zona te ndryshme te vendit. Martohet ne 1946 me nënën tone Razije Lloshi(Shypheja) ku lindi 6 fëmijë: 1) Sajbe Shypheja ( Llanaj), tash në pension, që ka qene një ndër mësueset e para të gjuhës angleze ne Shqipëri dhe jeton ne Itali, në Massa Carrara. Vajza e saj është Nënkryetare bashkie Elbasan VESA Llanaj (Lico );  2) Unë Veli Shypheja jetoj në Elbasan.  Sopot, Durim dhe Kujtim tre vëllezërit jetojnë dhe këta ne Itali Massa Carrara.  Patëm edhe një motër, që quhej Shkendi Shypheja (Jubani), por që për dhembjen tonë të madhe, më herët u nda nga kjo botë.

Një mësues të përkushtuar dhe qe i donte shumë nxënësit e tij

Më tej në rrëfimin e tij tejet interesant, Veliu vazhdon se: “Babën e mbaj mend, si një mësues të përkushtuar dhe qe i donte shumë nxënësit e tij. Kudo respektohej e nderohej. Ne shtëpinë tone edhe pse ishim ne kushte te vështira, baba nxënësit e tij qe vinin nga zonat ku kishte qene mësues për studime ne Elbasan i ndihmonte, por jo rrallë edhe flinin te ne deri kur akomodoheshin në konvikte. Një nder ta ishte dhe nxënësi babës,  Poeti Martir i demokracisë Genc Leka i cili disa kohë kur erdhi ne Elbasan ne shkollën Normale fjeti në shtëpinë tonë në një shtrat me mua e vëllezërit rreth vitit `59- 60. Me vone rreth viteve `75 burgoset e pushkatohet. Ne fshehurazi qajtëm për Gencin, nxënësin qe baba aq shumë e donte.

Ferizaj me nxënësit e tij, dashuri me të cilat mësuesi Ymer i rrit edhe fëmijët e tij

Edhe Ferizaj ishte një dashuri e madhe e babës, nxënësit e tij atje. Një nder nxënësit e babës ishte mësuesi Ibrahim Hyseni me te cilin qe nga viti 2006 qe u njohëm ishim shumë miq. Me Respekt për ju Veli Ymer Shypheja”.

Porse Veliu ruan edhe një kujtim të mirë për veteranin e arsimit ferizajas e kronistin e shquar të këtij qyteti, Ibrahim Hysenin, i cili gjurmoi biografitë e shumicës së mësuesve nga Shqipëria që shërbyen në komunën e Ferizajt: “ I ndjeri Ibrahim Hyseni ashtu si edhe ju po punoni me pasion për te mos u harruar brezi i mësuesve Shqiptarë. Qe për hir te vërtetës kane qene mësues me ideale te larta, që me përpjekjet e tyre të mëdha bën çmos për të përhapur gjuhën Shqipe ne te gjitha trojet tona  Disa foto e kujtime ja kam dhënë z Ibrahim Hyseni, që e kam takuar për here te parë ne vitin 2006 para kremtes së 65 vjetorit te shkollës pare Shqipe në Ferizaj “Tefik Canga”.

Pse ngeli një natë pa gjumë në Elbasan, mësuesi Ibrahim Hyseni?!

Si sot me kujtohet, kur e gjen shtëpinë time, duke kërkuar ne emër te babës . Qe atëherë u bëmë shumë miq. Nuk e zu gjumi kur unë i thash se mësuesi Abdullah Laci (Shabanaj) jeton dhe se baba im e ka pas shok. U ngrit herët ne mëngjes shkuam e takuam e qe atëherë shume persona te arsimit te bashkisë te Ferizajt bashke me z Ibrahim e takojnë mësuesin Abdullah, i cili jeton për te treguar me emocione te vërteta të asaj  periudhe te ndritur te arsimit Shqiptar. Te uroj natën e mire e nesër do mundohem te shkruaj e te pasqyroj për babën tim  Ymer Shypheja Flm”.

Dhe të nesërmen vërtetë Veliu e mbajti fjalën duke më dërguar edhe ca tekst edhe foto, madje edhe nga puna dhe jeta shkollore në Ferizaj, të shkrepura këtu e rreth 80, që kanë peshë edhe si dokumentar. Por edhe ca foto të më vonshme ku djemtë e familjarë të mësuesve që punuan në Kosovë, morën pjesë në 65 dhe 75 vjetorin e shkollës së parë shqipe, “Ismail Qemaili” në Ferizaj.

Krejt në fund edhe si autor i këtij fejtoni edhe si redaksi e portalit “prointegra.ch”, më mbetet që familjes së madhe Shypheja në Elbasan dhe kudo gjetiu që jeton ti urojë prosperitet dhe mbarsi të përhershme në shenjë falënderimi për punën e madhe të babës së tyre në qytetin tim të Ferizajt.