Mërgimtari nga Vaksinca që me foto artistike vjel vendet e para në Zvicër

Si edhe shumë kurbetçinj edhe Afrim Nevzadi erdhi në Zvicër për bukën e gojës, por dashuri e pasion kishte fotografimin, ndaj edhe ndoqi disa kurse, fotot e tij në saje të stilit, teknikave, motiveve dhe qasjeve profesionale të bëjnë jehonë në shtypin vendas sa edhe në konkurrimet e shtëpive prestigjioze të le prapa mijëra fotografë.-  Fotot e Afrimit përmes firmës ku punon, Clear Channel, realizoi edhe ca foto me motive kosovare që përmes pllakateve të mëdha u shpërndanë në mbarë Zvicrën.

Teksti: Shenasi Aliu & fotot : Afrim Nevzadi  

Thuaja se secili mërgimtar i ynë ka një histori të veçantë migrimi, pasi ato përcillen me shumë peripeci por edhe ëndrra për të ardhmen. Edhe ish i riu Afrim Nevzadi, i lindur në fshatin Vaksincë, Komuna Likovë, në Maqedonisë Veriore, me të mbaruar të shkollimit të mesëm në Kumanovë për shkak të gjendjes ekonomike, politike dhe të sigurisë në ish Jugosllavi, nuk arriti të përmbush dëshirën e tij për studime ndonëse ishte nxënës i shkëlqyeshëm. Ndaj edhe në fillimin e viteve ’90 merr rrugën e kurbetit dhe vendoset në Zvicër dhe në atë kohë ishte djalë i ri, kurse tani Afrimi është 52 vjeçar. Jeton dhe punon në qytetin e Cyrihutut, qytet ky i cili njihet për nga niveli dhe kualiteti i jetesës, kulturës, shkencës, artit dhe çdo fushe tjetër, qytet nga ku kanë dal emra eminent botëror thuaja se në çdo sferë.

Si çdo mërgimtar tjetër edhe Afrimi në fillim u ballafaqua me vështirësi të shumta rreth organizimit dhe strukturimit të jetës familjare. Ishte i edukuar nga prindërit që kafshatën e bukës ta siguronte vetëm me punë të ndershme dhe me djersën e ballit. Ndaj edhe nuk nguronte që të bënte punë të ndryshme, por pasion dhe ëndërr të përhershme, ka do që shkonte dhe që e përcillte si hije kishte artin e fotografisë, art që në Vaksincën e tij nuk mund ta realizonte,thjesht për shkak të gjendjes ekonomike.

Me të filluar punën, akoma pa u akomoduar mirë, monolog të vetëm shpirtëror kishte se kur do vinte dita që ta blejë një kamerë?! Dhe pas dy muaj punë ai blenë një kamerë me kredi e cila në atë kohë kushtonte 700 Sfr. Gjatë takimeve me te, Afrimi më ka dëftuarj se nga gëzimi që po prekte kamerën, ai nuk e ndiente as lodhjen nga puna fizike dhe në mbrëmje komunikonte me kamerën si me një fëmijë, e trajtonte tamam si me qenë qenie e gjallë dhe me shpirt dhe në të vërtetë e tillë ishte për te kamera.

Kështu që, ai filloi të fotografonte me aq sa dinte dhe mundte, zakonisht ditëve të vikendit ai bënte foto të ndryshme dhe brenda një kohe të shkurtë ai arriti ti bënte diku rreth 2.000 foto dhe i sistemonte për veten e tij dhe dashurinë që kishte, por pas disa viteve të gjitha ato foto ia kishin shkatërruar fëmijët duke lozur! Atëherë, Afrimi e kupton se sa ka qenë i lidhur me fotografinë dhe vuan gjatë kohë për atë humbje. Nga ai moment ai i qaset me një dashuri edhe më të madhe këtij lloj arti.

Kurse, në vitin 2010 ai nga dashuria që kishte detyrohet që ti përcjell disa kurse të fotografisë në një nga profesorët më eminent të kësaj fushe në qytetin e Cyrihut, por që akoma vazhdonte që ti ruaj vetëm për vete fotot e nxjerra nga brendia e qytetit me rrethinë, akoma nuk dilte larg për të nxjerr foto që ai dëshironte. Pra, që nga viti 2010 ai merret intensivisht me artin e fotografisë.

Ndonëse Afrimi, ndonëse akoma nuk njihej nga të tjerët për punën që bënte me aparatin e tij! Diku para një viti ai hap një faqe të tij në Instagram dhe i nxjerr disa nga fotot më të mira të tij. Me të plasuar këto foto, njerëzit e artit të fotografisë filluan të interesohen se kush është autori i këtyre fotove. Kurse, pas një kohe të shkurtër filluan të shkruajnë gazetat dhe revistat më të njohura të Cyrihut e pastaj edhe më gjer në Zvicër ,ndër të cilat janë:

Visit Swizerland

Zürich Welt

Visit Zürich

Hello Zürich etj.

Pas shkrimeve dhe fotove të publikuara nëpër këto gazeta ai kishte hyrë në konkurrencë të ngushtë me emrat më të njohur të fotografisë në tërë shtetin Zviceran dhe më gjerë, ndërsa disa herë radhazi fotografitë e këtij artisti kishin zënë vendin e parë dhe ishin shpërblyer nga juria. Konkurrenca nuk ishte e lehtë për faktin se vetëm qyteti i Cyrihut ka disa mijëra fotografë profesionist dhe prej këtyre disa herë shqiptari ishte në maje të piramidës së fotografisë.

Fotografitë e Afrimit janë të veçanta dhe të realizuara në kohën me të reshura dhe ku paraqitet reflektimi i sipërfaqes së ujit me objektet reale të qytetit. Koha më e përshtatshme, siç pohon, për realizimin e këtyre fotove është nata që shpesh herë thotë se ka qëndruar deri në lindjen e diellit. Janë foto që kanë mahnitur artistët më të famshëm botëror dhe në Instagramin e tij ka fansa nga e gjithë bota.

Pas fotove të realizuara nga qyteti i Cyrihut, kohëve të fundit ka bërë udhëtime të shumta dhe ka shkrep e nxjerr edhe foto me motive të lumenjve, peizazheve të bukura natyrore, liqeneve, maleve, por edhe universin duke përfshirë edhe yjet.

Pra, Afrimi kohëve të fundit i ka pasion edhe Alpet e Zvicrës, ku kalon pjesën më të madhe të kohës siç më tha edhe vetë i ka ndodhur që edhe çaj ka përgatitur me plin gjatë orëve të vona në majat e Alpeve.

Afrimin, ndonëse e kam edhe bashkëfshatarë, nuk njihesha më parë, pasi nuk ishim takuar asnjëherë të vetme, kurse ai kishte lexuar se edhe unë jam i pasionuar pas botës bimore dhe alpeve, ndaj edhe vendos të më më merr në telefon që të mund të takohemi dhe ta realizojmë një eksplorim në Alpet zvicerane. Ai për të nxjerr foto dhe unë për të identifikuar lloje të ndryshme të bimëve.

Kështu, të dielën e kaluar me te vizituam një ujëvarë të bukur në Unterwasser të Toggenburg-ut dhe në Malbun të Lichtenstein-it. Malbuni është fshat në majën e Alpeve të Lichtenstei-it, i cili njihet dhe është i famshëm për mishin e terur të gjedheve, që është i kualitetit më të mirë në botë, i njohur me emrin “Malbunär fleisch”. Në këtë fshat Afrimi e nxjerri një foto shumë të bukur me motiv lumin, objektin e kishës, bimësinë, dhe vetë malet e Alpeve. Sipas njohurive dhe eksperiencës që ka është i bindur se edhe me këtë foto do e marr vendin e parë. Foton do ia bashkëngjis këtij shkrimi.

Si përfundim kaluam një ditë shumë të mirë me artistin e madh të përmasave botërore, por që fatkeqësisht asnjë nga gazetat shqiptare të paktën nuk e kanë marrë mundimin që ti përkthejnë intervistat të cilat Afrimi i ka dhënë në gazetat gjermanofolëse. Nga ana ime gjithë artistëve ju uroj suksese në fushën e tyre dhe në veçanti Afrimit i uroj suksese të mëtutjeshme dhe qëndrimin në majën e këtij zhanri që aq shumë e dashuron. Të gjithë ju që dëshironi që ti shihni fotot e këtij artisti të madh po ju jap linkun e tij të Instagramit: afrim_photography