Mentor Thaqi: Legjenda, miti, tradita dhe historiografia në shtjellim në krijimtarinë e Prend Buzhalës

(Vështrim me rastin e promovimit të krijimtarisë së Prend Buzhalës, në Lucern të Zvicrës)

Prend Buzhala, një emër i kudondeshur gjurmëve të jetës, një personalitet në mësimnxënje gjeneratash, pedagog me pasthirrmë disidenti, gazetar sa i kohës, poaq i para dhe pas përditshmërisë, publicist me petkun e një rrebelimi të arsyeshëm dhe të nevojshëm jetikisht në shërbim kombëtar, poet i fjalës kumbuese zik-zakeve të labirinthit kjenësor, eseist i goditjeve mesrreshtash në bashkëhapërim antonpashkian sa edhe bohemist mirkogashian me jopak nuanca tahirdeskiane, pëshpëritës i vetëvetes në skenën e dramës kombëtare si frymim teatral, kritik letrar në diapazonin alfa dhe omega, shijues vlerësimi i artit pamor në kornizat e kritikës elaboruese e deri te thjeshtësuesi i kompleksitetit të botës letrare përmes një vështrimi të thuktë, apo më saktësisht, të përtejthuktë, që jorrallë na ngujon në të panjohurat tona të filozofisë së tij aq të thellë eruditike!
Këtu dhe me kaq e ndali vrojtimin tim në drejtësen e pafundme dhe të pasegmentuar me limitim të një jetëvështrimi prendbuzhalian, që të mos ngatërrohem vetë personalisht në universin e tij krijues!
***
Epo, pasi që për veprimtarinë letrare të përgjithshme dhe me konkretizim të Prend Buzhalës folen këta dy llapjanët e do flasin edhe tjerë, unë nuk e kam ndërmend të shtyhem bërrylas me ta, andaj vendosa të flas diçka tjetër që e di nja 100 herë më mirë se dy llapjanët dhe kjo për Prend Buzhalen e Dukagjinit që fort e lakmon Ndrenika ta merr brënda mexhës ndërterritoriale!
E pse?
Sepse jam më i afërt me të edhe gjeografikisht, sepse si thonin të moçmit «vëllaun më të afërm e kem kojshiun familjar, deri sa të vinë tjerët, shpia shkon!», e këta nuk e kanë këtë BONUS!
Pra, Prend Buzhala i traditës:
* Kolonia e Artistëve në Deçan
* Dita e Gështënjes
* Takimet «Don Mikeli»
* Takimet në Zym të Hasit
* Festivalet mbarëkombëtare
* Festivali «Klina këndon»
* Një tren me vagona të pafund festivalesh, orësh letrare, takimesh!
Deshta të ndalem me kaq, por ec e durohu pa iu thënë dy llapjanëve: Rrini urt se larg jeni ju me hy midis vllaznisë dukagjinase!
Po pra!
E qe de, hë!
Pastaj, o baca Prend, këta janë «BINZIONERA» e po kanë kohë më shumë me shpurdhë kah letrat tua, unë i ngrati pa u pensionu ende nuk po gjej shumë mundësi kohore me hy në gjurmim si këta, o djalosh Dukagjini!
Ti Prend Buzhala, të gjitha po i përthekon shkelqyeshëm, andaj shpesh del në shesh edhe xhelozia e Òligarkisë së Letrave Shqipe» (në thonjëza), që i ikin ballafaqimit me krijimtarinë tënde madhështore si prej gjarpnit!
Me lejen tuaj, do të hy vetëm deri te pragu i «Ani i Ilirishtes», pa lypë leje nga këta dy, sepse të paktën emrin e kam më ilirik se këta: Ani i Ilirishtes për nga shtjellimi gjeneologjik dhe etimiologjik, është një nga KRYEVEPRAT tona historiko-letrare të llojit të vetë!
Kaq!
Në përmbyllje të fjalës sime do ndalesha shkurt te veshja krijuese e Prend Buzhalës, si vijon:
* Mitan ala AntonPashk që vështirë t´i kuptohen kopsat e palëve!
* Të mbathura të lashta ezopiane që mbante edhe Pjetër Budi!
* Tirqi të një pleqnari ala BibakAli e GjonMarkaGjoni!
* Këmishë me të zi arre të trevës DukëGjinase!
* Kapelë rilindase bohemiste që nuk mundon as mjekrra mirkogashçe!
Po ndalem me kaq, tjerat i thëmi në 100 vjetorin e lindjes tënde, veçse mos u ndje shumë i përgdhelur, sepse deri atëherë nga 120 libra, të paktën 240 i kërkojmë prej teje!
Falëmeshëndet, Djalosh!