Pak ditë më parë nga mesi ynë, u nda poeti-shkrimtari, atdhetari, veprimtari e paepur, njeriun e artit dhe kulturës, Fran J. Tanushi, duke lënë një zbrazësi të madhe jo vetëm në familja por edhe te vet Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, ku ishte njëri nga themeluesit e saj. Vdekja e këtij poeti dhe njeriu të dashur u përjetua rëndë në mesin e krijuesve në mërgatë, ndërsa që dje një nga qytetet e Gjermanisë u organizua edhe një pamje për te. Ndaj edhe me këtë rast nga kjo e pamje po e japim ca rreshta të poetit Mentor Thaqi, njërit nga miqtë më ngushtë të Fran Tanushit:
-Dje për në qytetin e Oktavian Augustit, për në Augsburg të Bavarisë së Gjermanisë, ishin akordua navigatorët rrëfimtarë të rrugës dhe adresimeve të shumë shqiptarëve (“gjipiesët”), konkretisht në lokacionin e Shoqatës “Atdheu” dhe KF “Alba” (ndoshta edhe ndonjë asociacioni tjetër që unë nuk kam njohuri) me një adresim dhe qëllim: E Pamja për poetin-shkrimtarin, atdhetarin, veprimtarin e paepur, njeriun e artit dhe kulturës, tashmë të ndjerin Fran J. Tanushi që ndërroi jetë para do ditësh.
Vinin mërgimtarët nga të gjitha anët për të shprehur ngushëllime, për të nda dhimbjen me familjaret, për të nderua emrin dhe veprën e Fran Tanushit, dhe nuk mungonin lotët, fundja ata dalin nga dhimbja shpirtnore!
Ishte një ditë shtatori me mot të mirë, paçka si ishim për ngushëllim, organizimi i mirë, lokacioni i përshtatshëm, masat adekuate në mbrojtje nga pandemia, shërbimi tejet i mirë dhe tejet vllaznor me pije (nga një gotë raki tradite, kafe e ujë), qëndrimi dhe pritja fisnike e familjarëve për “kryeshnosh” dhe në fund edhe dreka, bënë që pjesëmarrja aq e madhe, ardhjet e shumta si valët e lumit, të nderohej, drejtohej dhe përcillej si i ka hije shqiptarit! Paj, edhe mordja e ka hijeshinë e saj kur ka kush të nderon, kur ka kush ndjenë dhimbje dhe kush të ngushëllon!
Eh, Fran J. Tanushi, miralani jonë, po të ishe ti dhe të bëhej kjo për dikë tjetër, do të thoje se nuk paska vdekur kur paska lënë pas vetes kaq dashuni, respekt e nderim për të!
Nga sot duam të të lëmë pak qetësi deri në një datë dhe shënjim tjetër nga datat tuaja jetësore!
Pusho tash i miri jonë, pusho në Tokën e Dardanisë tënde Ilirike që aq shumë e doje, nderoje dhe bekoje!
…
Sot nuk do shkruaj poezi, po shkruaj vetëm vargje e rreshta!
Letër pas letre miralan, po ti je bâ koprrac e përtac, nuk po i kthen letrat!
Sot po t´shkruej pa poetikë, po sall n´etikë.
T´pamen ta majtëm, u munduem ta bâjmë qysh ti folshe dikur:
T´pame Shqyptare!
Po, t´pame t´koh´s!
Qe besa, bukurdo gota e “rrapllisa” dhe kullufita për ty, m´ranë hise dyfish, bile edhe ato “tuat”, po njâ diqysh si “jashtë” tradite,
u l´kuna pak!
M´kqyren vllaznia pak si çuditshëm.
Nuk cakrrohen gotat n´mordje, nuk âsht dolli gzimi!
Eh, miralan,
iu thashë se nuk kâm shkallu, jo,
iu thashë se âsht dolli për ditë t´lemjes,
ma heret kjè pandemi e nuk mujtem me i cakrru gotat bashk,
thashë se dit´s t´lemjes nuk kemi pse t´i mshefemi as n´mordje,
âsht ditë e përditshme,
âsht ditë e përvjetshme,
âsht ditë e pavdekshme!
E unë i cakrrova se borxh t´mèta o miralan,
se kohë ileti e naleti kjè
e borxh nuk dua me i mètë jet´s para dek´s!
…
Eh …
M´pate thânë:
“Jeta âsht e vdekshme qysh n´bark t´nân´s, nuk i frikohemi,
gabon kush thot jo!”!
U pajtova, po edhe t´thashë se vdekja nuk âsht dekë, âsht sall nji ndamje e vogël!
E luajte kryet n´pohim e m´the që: “Mirë âsht me lânë diçka t´mirë mrapa!”!
Paj, ec e mos u pajto kur pleqnojshe me dashni t´vènit o djali i midis tri Sukave të DukGjinit!
Mentor Thaqi
13 Shtator 2021
( Krahas fotove nga kjo e pame po japim edhe ca foto të shkrepura në takimet e krijuesve në mërgatë si dhe një foto nga vizita e përbashkët në shtëpinë ku punoi i madhi Gjergj Fishta, që Frani e kishte edhe burim Frym¨zimi pasi të parët e tij rridhnin po nga ajo trevë)