Mentor Thaqi: AT, KU ËSHTË ARBËRIA

 

( Në ditëlindjen e tij, poeti Mentor Thaqi i thur vargje monumentale At Antonio Belluscit)

Ku është Arbëria jonë o At

që e hasi kahdo që shkoj?

Cili është ai truell jetëgjatë,

që s´arrij dot ta veçoj?

A është kjo përtej Shkëlzenit?

Apo ajo përtej Jonit?

Ndoshta ajo e Peloponezit?!

Ajo nga hartat e Progonit?!

Është aty ku gjuhë e Zotit,

flitet rrjedhshëm dhe këndohet,

mu aty ku mot pas motit,

Trualli i Lashtë vetëm rinohet!

Aty është ku vetë ky emër,

Arbër-ri, ka kuptim jete,

rron në shpirt i mbjellur n´zemër,

i njëjti sot pas 6000 vjete!

Është aty diku kah Vlona,

që lanë faqet me ujë Joni,

kah Morea, Arta, Dodona, …

ku pat´kullat dhe Posejdoni!

Është në Korçë, Butrint, Janinë,

në Manastir, Shkup e Prishtinë,

në Luginë kah rrjedhë Morava,

në Sanxhak kah rrehë meçava!

Në Tivar është, në Tuz, Ulqin,

Lis e Shkodër me Shëngjin,

në Mirditë, Pukë e Prizren,

që bëjnë mrizin nën Shkëlzen!

Ah! Është në Zarë sikur në Kopër,

e vërtetë, jo mediokër!

Është në Çift, Firmozë, Frasnitë,

ku ARBËRISHT flitet përditë!

Është në Ungren e Gjitonisë,

në Shën Dhimitër e në Platën,

në Kozencën e Ipeshkvisë,

deri në Hora nën Det Tiren!

Arbëria kudo gjallëron,

ku shqip këndon Shpirti Arbëror,

ku Arbërishten e ligjëron,

At Belushi n´këndim hyjnor!

Kudo është ku gjaku i shprishur,

mbijetoi me mijëra vjet,

Kuq e Zi në Flamur të ndritur,

nën Qiell t´kaltër, n´Truall të vet!

Paj, Arbëria është e madhe,

është kudo ku rrojnë arbërorë,

ku këndohet e luhet valle,

ku mbretëron Plisi i bardhë si borë!

Mentor Thaqi

7-8 qershor 2024