Mentor Leposhtica (1976-1999) Infermier i ekzekutuar në Masakrën e Makovcit – Prill 1999

Mentor Leposhtica (1976-1999) Infermier i ekzekutuar në Masakrën e Makovcit – Prill 1999 – Lindi më 08.03.1976 në fshatin Marec KK Prishtinë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje në lagjen Bullaj. Ishte ndër nxënësit më të dalluar. I takonte grupit të shkollës në gara diturie, ku dy vite rresht, falë përgatitjeve të tij, shkolla fiton vendin e parë. Ishte i dalluar edhe në poezi, ku spikatë poezia e tij në dorëshkrim: “Rri këtu”. Në vitin 1990 regjistrohet në shkollën e mjekësisë në Prishtinë. Pas dy vitesh, regjimi serb i nxjerrë nga shkolla, por, vazhdon mësimet në shtëpitë shkolla.

Në vitin 1999 kthehet në vendlindjen e tij në Marec. I bashkohet UÇK-së, duke dhënë kontribut të çmuar në ndihmë të zhvendosurve në viset malore të Gollakut nën drejtimin e Dr. Islam Husaj nga Peja, infermierin Muharrem Borovci e dy infermiere.

Ofensiva serbe e prillit 1999 kundër të zhvendosurve në malet e Gollakut ishte fatale. U vranë me qindra civil të pa fajshëm, dogjën dhe shkartuan çdo gjë. Në mesin e të vrarëve ranë shumë dëshmorë. Në fshatin Grashticë më 21 Prill 1999 forcat serbe e ekzekutuan Mentorin dhe shumë civil e ushtarë shqiptar.

Faksimili i poezisë origjinale e shkruar nga Mentor Leposhtica 03.05.1997

RRINI KËTU (MOS IKNI)

Mos ikni vëllezërit e mi!
Pse s’rrini, ku ikni?
A mendoni se kështu lirinë
Ndonjëherë do ta fitoni?
Në vend të huaja shtegtojnë,
Vetëm zogjtë e mjerë të qyqes,
Kurse ne këtu duhet të qëndrojmë,
Sepse jemi bijtë e shqipes.
Askush nga ne nuk mundet,
Të duroj robërinë,
Pse pra të shpërndahemi?
Kur e dimë se bashkimi e bënë fuqinë.
Sa shumë nëna gëzohet,
Kur sheh bijtë e saj rreth vetes,
Por aq më tepër dëshpërohet,
Kur ata nëpër botë i treten.
Prandaj vëllezër mos u largoni!
Dhe ju që jeni larg në kurbet,
Një gjë kur mos e harroni,
Guri peshon rëndë në vend të vet.
Unë, jo nuk dua të largohem,
Do të rri këtu ku kam le
Dhe askujt nuk i frikohem
Nëse vdes për mëmëdhe.
Më mirë të vdisni për vendin tuaj,
Nga tortura, plumbi dhe thika,
Se të tretemi në dhe të huaj,
Nga iluzioni dhe nga frika.
03.05.1997

Mentor Leposhtica
(pason nënshkrimi)

Ky shkrim është pjesë nga libri:
KRIMET SERBE KUNDËR PACIENTËVE DHE PERSONELIT MJEKËSORË SHQIPTARË
KOSOVË 1998-1999

DR. SALIH SH. KRASNIQI
«Sulmet ndaj objekteve shëndetësore, mjekëve dhe pacientëve të tyre janë krime lufte»
«Attacks on health facilities, doctors, and their patients are war crimes», said Jennifer Leaning Jennifer Leaning PHR