Mehmet Gjevori, mësues i mësuesve apo baba i abetares në Kosovë?! (10)

 

Në prezantimin figurave të shquara të mësuesve nga Shqipëria që shërbyen në Kosovë, një nga ata që zuri vendin e nderit ishte, Mehmet Gjevori, me prejardhje nga Elbasani, që për 56 vjet kauzë jetësore pati ngrijën e mësuesisë dhe të librit shkollor në Kosovë.- Ndaj edhe gëzoi disa epitete, jo vetëm në rrethet arsimore, si “Mësuesi i mësuesve shqiptarë” apo “Baba i abetares së parë në Kosovë”.

Nga Rexhep Rifati

Brezi im pati rastin të mësojë nga abetarja e parë e Mehmet Gjevorit, që në fillim ishte bardh e zi, e kur unë dola në klasë të dytë, doli abetarja po nga ky auror, por në kolor, ndaj edhe e luta mësuesin tim Nazif Osmani në Komogllavë të Ferizajt që edhe një herë të më kthej në klasë të parë. Mehmat Gjevori, autori i abetares së parë në gjuhën shqipe në Kosovë, botuar në vitin 1946, por edhe i shumë e shumë i lindur në Elbasan më 1910, në Kosovë erdhi me misionin  e parë të mësuesve në krye me Ali Hashrovën, çka dokumentohet edhe nga një foto e shkrepur në Prizren, më 13 Korrik 1941 në Prizren e që është ruajtur në arkivin e vet Aliut, nga i biri i tij Ilir Hashrova, i cili në pranverën e këtij viti humbi jetën nga kovid 19 në Amerikë ku edhe kishte migruar.

Edhe Mehmet Gjevori si edhe mësuesi tjetër elbasanas Abdullah Laçi- Shabanaj pati jetë relativisht të gjatë. Vdiq në moshën 97-vjeçare në Prishtinë, duke lënë pas vetes një ushtri të tërë mësuesish e pedagogësh, por kishin dalë nga dora e tij apo shërbyer nga librat e tij.

Bashkë 400 normalistë elbasanas si pishtarë ndriçuan shqiptarizmin

Gjatë një vizite në Kompleksin Memorial Adem Jashari në Prekaz,  Mehmet Gjevori, shkruan se:  “Unë Mehmet Gjevori nga Elbasani, por tani që gjendem në Kosovë, prej vitit 1941, kur erdhëm rreth 350 mësues nga Shqipëria dhe hapëm shkollat e para në gjuhën amtare në të gjitha viset e Kosovës, në vitet 1945-47 kam pas ardhur në disa shkolla të Drenicës dhe i kam pas udhëzuar mësuesit e parë të rinj, një ndër ta ka qenë edhe babi i heroit Adem Jashari, Shaban Jashari”, përshtypje këto të cilat i përcjell kolegu im nga “Rilindja”, Behlul Jashari, me rastin e kalimit në amshim të kësaj legjende të arsimit shqiptar në Kosovë, duke përkujtuar se Mehmet Gjevori ishte ndër të parët që : “ Në shtator të vitit 1941 iu përgjigj vullnetarisht apelit të ministrit të atëhershëm të Arsimit të Shqipërisë Ernest Koliqi për të ardhur në shërbim në Kosovë. Në atë kohë, misionarët e arsimit në trojet shqiptare të Kosovës dhe Maqedonisë u bënë 400 normalistë, shumica e tyre djem dhe vajza të Elbasanit”:

Kryeinspektor i shkollave shqipe të Kosovës

Ja edhe disa të dhëna sa i përket rrugëtimi prej një pishtari veteran të shkollës shqipe në Kosovë:  Mehmet Gjevori, pas ardhjes nga Elbasani, fillimisht emërohet në Prizren si drejtor i shkollës fillore “Abdyl Frashëri”, ndërsa nga 1944 deri më 1950 shërbeu si kryeinspektor i shkollave shqipe të Kosovës, e pastaj redaktor në Shtëpinë Botuese “Mustafa Bakija” në Prishtinë. Nga viti 1958 e deri në pensionim më 1975 ka punuar redaktor e kryeredaktor në Redaksinë e Botimeve “Rilindja”.

Sipas një interviste që i kishte dhanë kolegut, Behlul Jashari, Gjevori tregonte se: “Krahas detyrës kryesore  si redaktor i botimeve kam  bërë  edhe  detyrën  e lektorit  në gazetën Rilindja. Para  dite punoja  në Redaksinë  e Botimeve kurse pasdite  në  redaksinë  e gazetës Rilindja… Kontrolloja  gjuhësisht  shkrimet  e  gazetës  që do të jepeshin për botim.”

I dekoruar në Kosovë e Shqipëri

Për meritat e tij të mëdha dhënë shkollës shqipe në Kosovë, Mehmet Gjevori ka marrë shumë dekorata, mirënjohje dhe falënderime, por ai, gjithnjë veçonte dy nga ato: “Nga të gjitha dekoratat që kam marrë deri më tani, unë veçoj këtë të Presidentit të Kosovës, Dr.Ibrahim Rugovës, dhënë më 10 qershor 2003, si dhe medaljen e artë ‘Naim Frashëri të klasit I” të Kryetarit të Republikës së Shqipërisë, Dr.Sali Berishës, dhënë në Tiranë, më 11 prill 1994, për shërbimin në shkollat shqipe në Shqipërinë Veriore e Lindore, jashtë kufijve politikë të vitit 1913 të shtetit shqiptar”, ka shkruar Gjevori, duke qenë ndër të paktë që janë dekorua në të dyja shtetet.

Një nga emrat e rrallë të arsimit shqip në Kosovë

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, me rastin e shuarjes së Mehmet Gjevorit , në telegramin e ngushëllimit kishte shkruar se: “Mehmet Gjevori është nga emrat e rrallë të arsimit shqip në Kosovë, i cili gati një shekull të plotë jetë ia kushtoi edukimit dhe arsimimit të brezave në Kosovë. Erdhi në Kosovë atëherë kur na u desh më së shumti dhe qëndroi në Kosovë për gjithë kohët e vështira që kaluam si popull për të qenë këmbëngulës në misionin e tij të shenjtë. Si autor i abetares së parë shqipe në Kosovë, Mehmet Gjevori me përkushtim të rrallë shpërndau shkronjën shqipe gjithandej nëpër Kosovë…
I falemi përgjithmonë përkushtimit të tij jetësor!”

Në kujtesë të shumë brezave

Pa dyshim se emri i Mehmet Gjevorit, do të kujtohet ndër breza, në saje të punës së tij vetëmohuese, duke qenë në krye të një plejade mësimdhënësish nga Shqipëria, që me aq shumë idealizëm e devotshmëri iu përkushtua ngritjes së shkollës shqipe në Kosovë, madje më gjatë se të gjithë të tjerët, duke qëndruar në këmbë si një lis shekullor, pasi edhe vet rrumbullakoi gati një shekull jetë në shërbim të arsimit shqip në Kosovë.

I përjetshëm kujtimi për këtë figurë markante të Normales së Elbasanit, i cili nuk diti të ndajë dashurinë mes Elbasanit e Kosovës, pasi që Shqipërinë e Kosovën përherë i përjetonte si një të pandarë!

Nesër: Rrahman Palushi, në krye të mësuesve kuksiane në Kosovë (11)