Me vrasjen e 1.400 fëmijëve, Serbia synoi vrasjen e ardhmërisë tonë

1052

Vrasja dhe masakrimi i fëmijëve të Kosovës nga makineria policore -ushtarake serbe, as nuk ka ndodhur në mesjetën e largët, as në ndonjë luftë fisesh, diku në ndonjë skaj të botës, por në mes të Evropës- tha Prof. dr. Nusret Pllana, në promovimit të librit “Fëmijët martirë të Kosovës”

Teksti dhe fotot: Rexhep Rifati

Rrallë ndonjë promovim libri ka tërheqë ndonjë interesim aq të madh sa ai i librit “Fëmijët martirë të Kosovës” të autorëve Hanëmshahe Ilazi dhe Nusret Pllana kushtuar 1.400 fëmijëve të vrarë e masakruar nga makineria fashiste serbe, që u mbajt dje në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani”, meqë rast të pranishmëve ngeli në këmbë. Promovimi filloi me paraqitjen e një grupi fëmijësh, të veshur si engjëj, ndërsa që me fjalë rasti pos autorëve u paraqitën edhe redaktori i librit, Prof .dr. Emin Kabashi, Prof dr. Don Lush, Gjergji, Prof.dr.Sabile Keçmezi- Basha , recensentë dhe mjeku i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dr. Faik Bllata.

Për portalin tonë, prointegra.ch përzgjodhëm fjalën e Prof. dr. Nusret Pllana.

Luftë me përmasa gjenocidi, që nuk i kurseu as foshnjat 

Lexuesi i nderuar, kudo që do të jetë ai dhe kurdo që do ta ketë këtë vepër në duar,  do ta përjetojë një përmasë krejt tjetër të tragjedisë së luftës në Kosovë. Sepse, vrasja dhe masakrimi i fëmijëve, është vrasja dhe masakrimi i ardhmërisë së një populli. Sepse, vrasja dhe masakrimi i fëmijëve, është pjesë e shuarjes së jetës në familje të tëra. Sepse, kur janë vrarë fëmijët në Kosovë, kur janë masakruar fëmijët në Kosovë, në një luftë me përmasa gjenocidi, ku ka familje që janë shuar fare, ku ka familje që u ka mbetur vetëm një fëmijë, ku ka familje që as sot nuk e di ku e ka varrin e fëmijës së masakruar, janë shkelur normat elementare të të Drejtave të Fëmijëve, sipas Konventës Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve.

Përmasa e tragjedisë nga armiku shekullor

Kjo përmasë e tragjedisë së luftës në Kosovë është shkaktuar nga armiku shekullor I shqiptarëve, nga Serbia e fund shekullit njëzet, e cila ka përdorur të gjitha metodat, mjetet dhe arsenalin shfarosës të nazizmit hitlerian dhe të fashizmit musolinian, jo vetëm nuk është trajtuar asnjëherë në organet e Kombeve të Bashkuara, por as që janë përmendur ndonjëherë.

Fëmijët nuk u vranë vetëm në duar, por edhe në barkë të nënës

Duke lexuar faqet e këtij libri për vrasjen dhe masakrimin e fëmijëve, aq shpesh edhe në duart e nënës, aq shpesh edhe në bark të nënës, aq shpesh edhe para syve të anëtarëve të tjerë të familjes, njeriu jo vetëm trishtohet, njeriu jo vetëm revoltohet, njeriu jo vetëm reagon , por ai për një çast shtanget, i merret gjuha dhe nuk mund ta thotë asnjë fjalë, i penetrohen këmbët dhe nuk mund ta bëjë asnj hap. Ai lemeriset me ato që kanë ndodhur në jetën e fëmijëve tanë, të cilët janë vrarë dhe masakruar në mënyrën më çnjerëzore.

Mendja e njeriut normal, e atij që qoftë vetëm se ka parë fëmijë duke luajtur në oborrin e shtëpisë, në oborrin e shkollës apo të kopshtit të fëmijëve, në rrugë, apo duke bredhur pas bagëtisë në secilin nga fshatrat e Kosovës, të djegur, të rrënuar dhe të shkatërruar deri në themel, nuk mund të besojë se ata fëmijë janë masakruar në atë mënyrë nga një vend i Evropës, i cili as sot e kësaj dite nuk ka fuqi ta pranojë peshën e këtij krimi.

Vrasja dhe masakrimi i fëmijëve të Kosovës as nuk ka ndodhur në mesjetën e largët, as nuk ka ndodhur në ndonjë luftë fisesh, diku në ndonjë skaj të botës, por ka ndodhur në mes të Evropës në fund të një shekulli dhe në fillim të shekullit të ri, siç është quajtur shekulli njëzet e një.

Neglizhenca e institucioneve të Kosovës

Kjo plagë e madhe e Kosovës nuk është shëruar as sot e kësaj dite, nuk do të shërohet asnjëherë në jetën e atyre familjeve që u janë masakruar fëmijët, andaj lexuesi i këtij libri, kudo që do të jetë ai, te shqiptarët dhe te popujt e Evropës, me siguri do të pyesin çka kanë bërë shqiptarët e Kosovës dhe shqiptarët kudo që ata janë, çka kanë bërë institucionet e tyre, shkollore, shkencore dhe shtetërore që këta fëmijë të vrarë dhe të masakruar nga armiku ynë shekullor, jo vetëm të mos harrohen, jo vetëm të kujtohen një herë në vit, fjala vjen, por të dëshmohet se vrasja dhe masakrimi i  tyre është pjesë e vrasjes dhe masakrimit të ndërgjegjes së shqiptarëve dhe të të gjithë popujve të civilizuar të botës. Sepse, ata vetëm rastësisht ishin fëmijë të shqiptarëve, sepse ata vetëm rastësisht ishin fëmijë të një populli që ishte në armiqësi shekullore me Serbinë fashiste.

Përmasë e gjenocidit serb të marrë dënimin e merituar

Lexuesi i këtij libri, kudo që do të jetë ai, do të pyes, çka kanë bërë institucionet përkatëse të shteteve të Evropës dhe të botës, që kjo përmasë e gjenocidit serb të marrë dënimin e merituar në ndërgjegjen e botës së civilizuar, jo vetëm si keqardhje ndaj këtyre familjeve shqiptare, sepse keqardhja është veti e të dobëtit, por si reagim i ndërgjegjes kolektive të njerëzimit, që të mos lejohet barazimi i viktimës me pushtuesin, siç është vepruar qe njëzet vjet thuajse në të gjitha institucionet e drejtësisë dhe të politikës evropiane .

Lexuesi i këtij libri, kudo që do të jetë ai, së paku duke shfletuar të dhënat elementare jetësore të këtyre fëmijëve shqiptarë, të vrarë dhe të masakruar nga pushtuesi serb,  për një çast do të harrojë se ata fëmijë janë shqiptarë, qoftë edhe vetëm për një moment të vetëm do të mendojë se ata fëmijë mund të jenë të cilitdo popull në Evropë dhe në botë, andaj do të mund të ketë qenë edhe fëmija i secilit nga lexuesit e mundshëm.

Libër jo vetëm për fëmijët e Kosovës

E këtillë është përmasa e tragjedisë shqiptare të Kosovës, kur janë vrarë dhe masakruar edhe mbi njëmijë e katërqind fëmijë, nga barku i nënës e deri në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare. Prandaj, kjo vepër nuk është vetëm për fëmijët e Kosovës, por është një kujtesë për të gjithë fëmijët e botës, që janë e që mund të jenë viktima të pushteteve fashiste, e të shteteve që mendojnë se vetëm ata e kanë të drejtën historike të ekzistojnë, tha në përfundim të fjalës së tij profesor Nusret Pllana.

Momente prekëse por edhe zhgënjim me institucione

Në këtë eveniment libri, një moment shumë prekës e solli sidomos mjeku i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Dr. Faik Bllata, i cili përshkroi disa situata të rënda kur u gjend përballë pamundësisë që tu ndihmonte fëmijëve të plagosur, pa pasur kushte elementare, në mungesë të pajisjeve të duhura apo edhe personelit të mjaftueshëm në rrethana lufte. Kujtesa e solli mjekun në ato ndodhi të rënda, sa nuk mund ti ndalë as lotët dhe kjo të shkaktojë emocione e pikëllim edhe në mesin e atyre që humbën fëmijët e që ishin të pranishëm në sallë dhe jo vetëm të tyre por edhe të të gjithë atyre që përcollën këtë promovim.

Krahas pezmit dhe indinjatës ndaj regjimit fashist pati edhe ankesa e dëshpërime në raport me institucionet e Kosovës, që nuk treguan as interesimin më të vogël jo vetëm për financimin dhe botimin e këtij libri por as për ngritjen e kësaj teme në organizata e organizma ndërkombëtare.