MË SË LARGU, APO MË SË VONI?

Në lidhje me përdorimin e shprehjeve ndajfoljore “më së largu” dhe “ më së voni” në mjetet e informimit publikë, si në gazeta, revista, radiotelevizion e gjetiu po vërehen shpesh disa “lajthitje” gjuhësore.

 Shkruan: Sami Islami, Londër

Zakonisht në media, kur shpesh shpallen konkurse, lajmërime a shpallje të ndryshme, shprehjet ndajfoljore , si: “më së largu” apo “më së voni” mund të duken në konstrukte si këto: “Dokumentet e kompletuara do të dërgohen në këtë adresë më së largu…”, ose “Konkursi mbetet i hapur më së largu deri më…”. “Provimi do të mbahet me 20 qershor, më së largu me 1 korrik” etj.

Ndajfoljet LARG dhe VONË, që po ndeshen në gjuhën e përditshme por edhe në media, dihet mirë se nuk janë sinonime. Ato ndryshojnë , sepse e para tregon vend apo distancë largësie, kurse e dyta tregon kohë dhe distancë kohore. Kur duam t’i përdorim këto shprehje ndajfoljore për të krijuar fjali të natyrshme në gjuhën shqipe , duhet pasur kujdes të mos i ngatërrojmë kuptimet e tyre. Një konstrukt i drejtë do të dukej në këto fjali: “Ferizaji prej Prishtinës është përafërsisht 30 km, më së largu 35 km”. Ose “Do të vij nesër në orën 12, më së voni në orën 14”.

Edhe kur këto shprehje ndajfoljore përdoren për të shprehur veprimin që është kryer shumë herët, para disa vjetësh, dekadash, shekujsh, mileniumesh apo epokash,P.sh. “Kjo ngjarje ka ndodhë në kohën e hekurit, më së largu (këtu duhet: “më së hershmi”) në kohën e gurit.. Në shembullin tjetër kemi kur kjo ndajfolje përdoret për të shprehur diçka që mund të ndodhë më vonë. P.sh . “Porosinë të ma dërgoni, më së largu deri në orën pesë…” Në këta dy shembuj duket shumë qartë se kemi dy fjali me shprehjet ndajfoljore të gabueshme për kuptimet “heret” dhe “vonë”.

Këso gabimesh mund të hasen kudo. Si në mediat e shkruara apo edhe ato radio e televizive apo elektronike. Ja disa shembuj: “Sipas skemës së re programore Ditari i Tretë u vendos të emetohet më së largëti (duhet të jetë “më së voni”) në orën 21.45 minuta”. Liberalizimi i vizave do të ndodhë brenda disa muajsh, e më së largu deri në verë”. “Kosova duhet të kalojë nga sistemi analog në atë digjital më së largu deri në qershor të vitit 2015” (RTV21, 30 korrik 2013) etj.

Dihet fare qartë se koha, pra, mund të jetë e hershme e tashme apo e vonë, varësisht se kur është kryer apo do të kryhet veprimi. Nëse duam të flasim për diçka që ka ndodhur shumë herët në histori, para disa shekujsh , mileniumesh apo epokash mund të themi “Kjo ngjarje ka ndodhur në kohën e gurit, më së hershmi (jo: “më së largu”) në kohën e bronzit.

Shpesh ndodhë të kemi aso konstrukte fjalish, të cilat nuk janë fare të qarta, si: “Nuk është kohë e largët kur edhe malaria, si dhe paraliza, do të frenohet”! Për cilën kohë bëhet fjalë në këtë rast (për kohë të vonë apo të hershme)?

Në këtë pasiguri përdorimi të shprehjeve ndajfoljore “më së largu”, “më së voni”, apo edhe “më së hershmi”, siç i sollëm këtu, duhet bërë përpjekje t’i përdorim drejt , si p.sh.: “Kuponët e plotësuar të dërgohen në zarfe të mbyllur, më së voni deri më datën 6 të muajit vijues” (jo: më së largu). Ose “Prishtina prej Ferizajit i ka 30 km, më së largu 35 km” etj.