Me mjete e punë vullnetare ngritet objekti i ansamblit “Sharri” në Zvicër  

Vërtetë një shembull i pa parë në mërgatën shqiptare në kantonin e St. Gallenit në Zvicër: rreth 70 mërgimtarë kryesisht afaristë dhe drejtues të vet i Shoqërisë Kulturore Shqiptare “ Sharri” në Bernhardzell, që tubon mërgimtarë nga gjitha viset etnike, duke dhënë rreth 2 mijë orë vullnetare dhe 140 mijë franga, aftësuan një objekt modern për nevoja të kësaj shoqërie, por edhe të aktiviteteve të tjera të komunitetit, në ketë rajon të populluar me shumë shqiptarë

Teksti dhe fotot : Rexhep Rifati

Që nga themelimi i Shoqërisë Kulturore Shqiptare, “Sharri”, në 13 prill 2008 ( me seli në Romanshorn të St. Gallenit), anëtarët e kësaj trupe artistike bashkë me kryesinë përballeshin me shumë vështirësi ngase në rend të parë ishte mungesa e lokalit adekuat edhe atë duke huazuar objekte të herëpashershme me qira. Kjo pat shkaktuar mjaft vështirësi, sa nga viti në vit thuaja se erdhi në pyetje edhe ekzistenca e Shoqërisë “Sharri”, përkund asaj që në këtë pjesë të Zvicrës jeton një numër i madh shqiptarësh, madje me prejardhje nga të gjitha viset etnike.

Por, falë bashkëpunimit e harmonisë që ekziston midis shqiptarëve të që jetojnë në këtë kanton e më gjerë, lindi ideja për ngritjen e një objekti të pavarur për nevoja të shoqërisë, pa ditë në fillim  se do të kërkonte aq shumë punë vullnetare dhe mjete financiare. Por falë gatishmërisë së rreth 70 donatorëve, të cilët po ashtu u treguan të gatshëm të ndihmojnë jo vetëm me 140 mijë franga por edhe me rreth 2 mijë orë pune vullnetare, dje ky projekt u përurua përmes një manifestimi shumë mbresëlënës, ku ishin tubuar më se 200 mërgimtarë moshash të ndryshme, madje duke pas në mesin e tyre edhe miq zviceranë , përfaqësues të pushtetit dhe partive lokale.

Kryetari i kësaj shoqërie, afaristi i njohur Nagip Memedi, i cili më shumë është i prirë të ndërmerr aksione dobiprurës, duke i përvjel edhe fizikisht krahët, se sa të plasë, thuaja se tëra meritat ua përshkroi bashkëpunëtorëve të tij dhe mërgimtarëve në veçanti, kryesisht prindër të anëtarëve të SHKSH “Sharri”, të cilët treguan një gatishmëri të paparë në realizimin e këtij projekti madhor për kushtet e një komuniteti të një mjedisi .

Kjo bëri dje që në skenë të ftohen jo vetëm me dhjetëra donatorë që ndihmuan këtë nismë të mbarë, por edhe falltaret e shkëlqyeshme të cilat entuziazmuan me lojën e tyre që të gjithë të pranishmit, përshafshi edhe  z. Markus Brunner , President i Partisë SVP Wittenbach- Hägenschwil- Muolen, i cili përshëndeti të pranishmit , duke i përgëzuar edhe për punën e bërë rreth objektit por edhe programin artistik të përgatitur nga Shoqëria Sharri, e cila tash e tutje do të ketë kushte më të mira edhe për ushtrime e edhe për shfaqjen e programeve.

Aq më parë se siç na deklaroi udhëheqësi i Shoqërisë “Sharri”, Nagip Memedi ngritja e objektit nxiti interesimin si në radhën e të rinjve ashtu edhe të prindërve të tyre, kështu që tash mbi 70 anëtarë janë ofruar  për tu bërë pjesë e kësaj trupe artistike, për çka edhe do të ndahen në katër grupe, për të enë puna më efikase gjatë ushtrimeve. Ajo që ra në sy edhe kësaj radhe ishte puna e madhe që bëjnë gratë shqiptare qoftë në ofrimin e pijeve apo ushqimit apo edhe duke ndihmuar edhe me mjete, pasi ca nga këto gra janë edhe drejtuese firmash private.  Ndërsa që këtu nuk ka dallim në mesi ish udhëheqësve të shoqërisë me ata të sotmit, sepse si rrallë gjetiu këtu ka një bashkëpunim dhe kolegjialitet të paparë mes tyre. Dhe jo vetëm kaq, sepse siç u pa edhe në manifestimin e djeshëm, “Sharri” zhvillon bashkëpunim të mirë edhe me shoqëritë tjera kulturore shqiptare, gjë që kjo u pa dje edhe me praninë e Ansamblit “Vatra” dhe SHKA “Dardania” , udhëheqësit e të cilave ishin të ftuar si mysafirë në këtë manifestim shumë mirë të organizuar, si rezultat i një pune disavjeçare vullnetare të komunitetit tonë shumë të organizuar.

Kjo u dëshmua edhe në programin e djeshëm kur grupi i valltareve impresionoi me lojë të bukur, ndërsa që atmosferën e bën edhe më mbresëlënëse vëllezërit Afrim dhe Beqir Aliu me këngë dhe ekzekutime në instrumente të ndryshme. Ndaj edhe me këtë rast në emër të platformës tonë “prointegra.ch” shumë sukses SHKA “Sharri” që ta shohim me lojën e artistëve të saj simpatik jo vetëm në Zvicër por edhe më gjerë në trojet shqiptare e gjetiu, por edhe përgëzime donatorëve dhe mërgimtarëve vullnetarë për këtë punë të madhe për krijimin e kushteve për kulturën tonë kombëtare.