Me minatorët e “Trepçës”, që përballen me mbijetesë elementare

 

 

Ndonëse kaherë doja të jem në mesin e minatorëve të Trepçës, sa u gjenda në mesin e tyre u zhgënjeva, pas gjithë asaj sakrifice të tyre për mëvetësinë e Kosovës. Deri në vetëflijim. Shumë nga ta kanë një histori të dhembshme. Kështu, Ramadan Xheloshi, me vetëm 57 vjet është kërrusur, sa nga puna e rëndë në minierë, e më shumë nga pjesëmarrja në dy grevat që tronditën Jugosllavinë, si shpagim për pjesëmarrje në to edhe mbi 7 muaj burg me tortura. Dhe tash, pa mbrojtje sociale e shëndetësore, si shumica e minatorëve! Histori në vete është edhe drejtori i minierës, Qazim Jashari. I mishëruar me jetën dhe hallet e minatorëve, xehetar e luftëtar brenda një njeriu, por që nuk e humb shpresën për një të nesërme më të mirë.

Në hyrje të zgafelles takon minatorë, të dërmuar në thellësi të tokës e të zhgënjyere nga indiferenca e institucioneve e shteti, për të cilin aq shumë luftuan. Shqetësimi shtohet edhe më, kur sheh rrobat e minatorëve varur me zinxhir në pavijonin e terjes që të nesërmen ashtu të zhytura duhet veshur për të iu kthyer luftës me shkëmbinjtë, të pasuruar me argjend e ari, derisa vet përballen me mbijetesë. Mjafton të vizitohet Muzeu i kristaleve të këtushme, për të parë se ç ‘thesar ruan brendia e horizonteve të Trepçës.  

( Teksti e fotot : R.Rifati)