Me Hasan Prishtinën lidhet kauza shtetndërtuese e shqiptarëve

Ekspozita që po e shpalosim sot para jush këtu në Librarinë e qytetit në Ulqinin e bukur, vjen si rezultat i një bashkëpunimi të frytshëm në mes të ITSHKSH dhe Arkivit Qendrior të Shtetit Shqiptar, me ç’rast i falënderoj të dy drejtorët. Z. Skender Asanin dhe z. Ardit Bidon për përkushtimin e tyre profesional që kjo ekspozitë të del sa më e plotë dhe sa më autentike.
Me këtë rast falënderoj posaçërisht edhe Këshillin Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi për mikpritjen dhe për dëshirën që të jetë nikoqir i kësaj ekspozite.

Jemi të vetëdijshëm se jeta dhe vepra e Hasan Prishtinës ka qenë shumë më e bujshme dhe më dinamike se sa që del në këto fotografi dhe në këto dokumente, për vet faktin se rruga jetësore e këtij kolosi të kombit nuk ishte e shoqëruar gjithmonë me fotograf, por përkundrazi ajo ishte e shoqëruar me momente sfidash  dhe rreziqesh ku ishte vështirë të fiksoheshin në objektivin e fotoaparatit.

Megjithatë historiografia jonë, sidomos arkivistika, arriti të grumbulloj një pjesë të fondit me dokumente dhe fotografi mbi jetën dhe veprën e Hasan Prishtinës dhe pjesë e atij fondi  është edhe kjo ekpozitë që po shpaloset sot në Prishtinë. Veprimtaria e lavdishme Hasan Prsihtinës kap periudhat më delikate të historisë së popullit tonë, që nga vitet e bujshme në prag të shpalljes së Pavarësisë, deri te momentet e fundit të jetës së tij. Ai ishte jo vetëm pjesëmarrës i ngjarjeve kryesore që formësuan idenë e lirisë dhe pavarësisë së popullit tonë,përfshi edhe ditët sa ishte kryeministër i Shqipërisë,  por ishte edhe një nga protagonistët kryesor të asaj ideje.

Jeta dhe veprimtaria e Hasan Prishtinës ishte e lidhur edhe me këtë zonë, konkretisht ndërlidhet me përkrahjen që mori edhe nga Malësia e Traboinit-Tuz , Ulqini dhe Malsia e Mbishkodrës, Krajës per te negocijuar direkt ne emrin me autoritet e Stambollit.

Hasan Prishtina ka qenë kryeminstri i 8-të i shtetit shqiptar, ministër i Brendshëm në qeverinë e Ismail Qemalit, ministër i Telegrafëve në qeverinë e Turhan Pashës, deputet në parlamentin shqiptar, 3 herë deputet në parlamentin osman.

Me Hasan Prishtinën lidhet kauza shtendërtuese e shqiptarëve, e cila u bë edhe platformë  e lëvizjes sonë kombëtare, e njohur ndryshe si 14 pikëshi i Hasan Prishtinës.

Me Hasan Prishtinën lidhet edhe një dimension tjetër mjaft i rëndësishëm që ka të bëjë me profilin moral e patriotik të politikanit. Hasan Prishtina është shembulli më unikal i i politikanit i cili asgjë nuk mori nga politika, por vetëm i dha asaj. Ai është i vetmi politkan që nuk hyri në politikë për t’u pasuruar dhe ky virtyt i tij ndoshta ishte pengesë për ato qarqe që nuk iu konvenonte pastërtia morale e njerëzore e tij, prandaj  bënë ç’mos që ta eliminojnë edhe fizikisht nga skena politike.
Hasan Prishtina e shkriu pasurinë e vet të madhe për Shqipërinë, shtetin shqiptar që sipas tij ishte një shtet me të gjitha trojet, përfshi edhe Ulqinin. Pasurinë e shkriu dhe për arsimimin dhe dijen e shqiptarëve. Për të vënë në shërbim të kryengritjes për çlirimin e Shqipërisë nga osmanët, serbët, grekët ai shiti shumë nga pasuria e tij dhe e përdori në shërbim të kryengritjes. Ai ndau një buxhet të caktuar nga të ardhurat dhe pasuria e vet dhe financoi shkollimin e shumë djemve nga Kosova për të studiuar në Normalen e Elbasanit. Një profesor i kësaj shkolle (Luigj Gurakuqi) u thoshte nxënësve se:ju djemtë e Kosovë duhet të mësoni tre fish për shkak se ua mundëson arsimin Hasan Prishtina.

Fatkeqësisht, Hasan Prishtinën e eliminuan fizikisht, por jo edhe shpirtërisht, sepse emri dhe vepra e tij vazhdon të jetë pjesë e pandashme e idealit të njerëzve të ndershëm të popullit tonë. Emri dhe vepra e Hasan Prishtinës rron në zemrën e çdo shqiptari dhe ata që nuk e deshën të gjallë, sot mund ta shohin të ringjallur në shpirtin liridashës të çdo shqiptari.

Ekspozita që po shpalosim sot në Ulqin argumenton disa copëza udhëtimesh jetësore e politike të Hasan Prishtinës, dhe kjo ndoshta mjafton që të krijojmë një përfytyrim më të përafërt mbi imazhin e këtij udhëtimi, i cili ka qenë i mbushur me ngjarje e ide në të cilat Hasan Prishtina ka qenë protagonist kryesor.
Kjo ekpozitë më 6 dhjetor është shpalosur në Shkup dhe në Prishtinë, kurse më 7 dhejtor në Tiranë. Arsyeja se pse po e sjellim këtu në Ulqin këtë ekspozitë lidhet drejtpërdrejt me kauzën madhore të Hasan Prishtinës për një Shipni etnike, ku nuk do të ngelte asnjë cep i territorit jashtë saj.Megjithatë aneksimi i dhunshëm i Ulqinit edhe përkundër rezistencës heroike të kryengritësve shqiptar, dëshmoi se historia megjithatë u tregua shhumëe hileqare ndaj interesave të shqiptarëve.  Hasan Prishtina me aktivitetin e tij diplomatik e patriotik e kundërshtoi fuqishëm këtë aneksim dhe deri në minutat e fundit të jetës së tij luftoi për një Shqipni që do ta kishte brenda edhe Ulqinin.
Krejt në fund iu shpehi mirënjohje të gjithë atyre që kontribuuan në organizimin e kësaj ekpozite, sidomos drejtuesit e Librarisë së Ulqinit dhe të Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi dhe mbetemi me shpresë që në ekspozitat e ardhshme të kemi detaje të reja nga jeta dhe vepra e Hasan Prishtinës.

Ju falënderoj për vëmendjen!

Ulqin, 14. 12. 2021
MEHMET PRISHTINA