MBUZATI – VENDLINDJA E JUL VARIBOBËS QË EDHE SOT FRYMON SHQIP

(Nga vizita e ekipit të prointegrës në Kalabri veçuam shkrimin e bashkëshoqëruesit tonë, biologut Shenasi Aliu, për të cilin është hera e dytë në mesin e arbëreshëve të Italisë)  

Mbuzati emërtimi i fshatit në gjuhën shqipe dhe San Giorgio Albanese emërtimi i fshatit në gjuhën italiane. Është fshat shumë i bukur arbëresh. Ardhja dhe themelimi i fshatit daton pas vdekjes së Skënderbeut, nga viti 1468 – 1506.

Fshati Mbuzat sipas statistikës së dhjetorit 2019 numëron 1.364 banor. Lartësia mbidetare e fshatit është 420 metra. Fshati gjendet 72 km larg nga Cosenza.

Si në çdo qendër të fshatrave arbëreshe edhe në qendrën e fshatit Mbuzat gjendet përmendorja e Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Në këtë fshat funksionon edhe Shoqata «Unioni Arbëria», është fshat me kulturë dhe traditë tipike arbëreshe.

Në këtë fshat të bukur ka lindur Prifti, shkrimtari arbëresh JUL VARIBOBA (1725) dhe ka vdekur në Romë (1788).

Shkollimin Jul Variboba e ka mbaruar në Kolegjin e famshëm të kohës Shën Adriani, në Shën Mitër Korona.

Ngaqë mendohet se ka bërë mëkate me një vajzë të re, ai ka shkruar të vetmen vepër «Gjella e Shën-Mërisë Virgjër» në vitin 1762 në një fshat rreth 30 km nga fshati i lindjes Ullano.

Ishte me kënaqësi të veçantë sidomos ndeja në kafen në qendër të fshatit ku me vendasit mundëm të komunikojmë shqip, ndonëse me pak vështirësi. Madje aty një bashkëbisedim patëm edhe me të moshuarin Giorgio Chinigo i cili me mërgimtarin e ri, Marjus Metkan nga Berati që jetonte këtu prej katër vitesh, na gostitën me pije.